Suplementi Pena Shqiptare/  Nazmi  Seitaj: Dedikuar Shkrimtarit Shpendi Topollaj në 77 Vjetorin e lindjes

29
Sigal

Dy fjalë për romanin e Shpendi Topollajt:

“Unë kam qenë në “MAT’ HAUZEN”

Romani i tij shpërthyes “Unë kam qënë në Mat’hauzen” është një prozë e ngjeshur poetike shumë e ngjashme me një poemë simfonike, apo më mirë të themi është një kryevepër e denjë si tekst për një simfoni me frymë klasike. E lexoja dhe tronditesha deri në shkallmim nga ato ngjarje të përshkruara, që ndodhnin orë e çast në atë kamp çfarosjeje nga ato bisha të tërbuara të nazizmit gjerman. Është shumë e habitshme sesi ai i përshkruan me aq saktësi ato ndodhi a thua se ka qenë vet në atë kamp tmerri. Po aq me saktësi i përshkruan vendet e ndodhive dhe personazhet e shumtë me ato veprimtari të tyre, a thua se nuk kemi të bëjmë vetëm me një penë të vetme prej shkrimtari, por me shumë të tilla të organizuar nga një institucion për të nxjerrë në pah atë të shkuar të largët me një saktësi të vërtetë si të hedhura në letër nga disa kronikanë tërë mjeshtëri. Aty jepen edhe emrat e sa e sa spiunëve të dëgjuar sado të maskuar e të fshehtë të kenë qenë ata. Shpendi e përshkruan Tropojën, fshatrat dhe njerëzit e saj si të ketë lindur në atë zone e të ketë jetuar aty dekada të tëra. E jo vetëm Tropojën, por edhe trojet e rrethinave të huaja si në Itali, Austri e gjetiu. Romani është i mbushur me ngjarje aq shumë interesante saqë dhe çdo frazë e tij është interesante. Le të kujtojmë kalin e gjeneralit të vrarë austriak që e gjeti ai fshatar varfanjak dhe që e pësoi aq keq nga ata pushtues mizorë. Po aq interesante është dhe episodi i tri deleve për t‘i lexuar një analfabeti letrën që i vinte nga i biri ushtar dhe po tri dele duhet të jepte për t‘iu përgjigjur të birit. Episodi i fshehjes së armëve në pyll nga fshatarët për të mos ua gjetur pushtuesit duke u vënë shenja drurëve po ashtu mbetet interesant ngaqë midis të tjerave rrëfen edhe zgjuarësinë e fshatarëve.  Ideali i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është ideja themelore e këtij romani e madje ëndërra përvëluese e vet shkrimtarit, ëndërr kjo që ende ka mbetur e parealizuar duke i shkaktuar në shpirt një dhimbje të madhe autorit Topollaj. Me sa vërtetësi e mjeshtëri jepen në këtë roman episodet e pushtuesve gjermanë dhe rezistenca ndaj tyre apo pështjellimet mendore ndaj ideve të nacionalistëve dhe partizanëve me mendësi komuniste të ndikuara nga sërbomëdhenjtë. Sa i çuditshëm episodi i atij oficeri gjerman, që shtinte kundër avionit fluturues e njëherësh hante mollë. Apo episodi i atij njeriu me kokë të prerë nga predha dhe eci e bëri disa hapa pa kokë. Apo një bordello brenda kampit për robërit gjermanë e austriakë. Apo episodi kur robërit hanin minj të gjallë nga që ishin shumë të uritur. I tillë është edhe episodi i plëncit që gjetën të dënuarit shqiptar në përrua kur dolën nga kampi i çfarosjes teksa ndodheshin shumë afër Romës në Itali dhe e hëngrën të uritur. Një nga majëlartat e këtij romani është ndeshja për jetë a vdekje e të riut shqiptar me të moshuarin polak ku i riu shqiptar shtrihet si i mundur për t‘i hapur rrugë atij polaku me grua e fëmijë, ndërsa atë beqar të ri e hedhin brenda një grope të thellë mbi një dërrasë të madhe mbushur tërë gozhda – bajonetë duke u shpuar i tëri prej tyre. Ky ishte heroizmi më i madh që kishte parë ai kamp çfarosës dhe këtë heroizëm mundi ta bënte vetëm një i ri shqiptar. Dhe po kaq heroike na mbetet edhe pena e artë e shkrimtarit Shpendi Topollaj, nga e cila le ta marrë vesh tërë bota mbarë se kush është shqiptari. Ndaj dhe them se ky roman është krijuar për t‘u hedhur me nota në një simfoni me frymë klasike. Për këtë që unë theksoj e për ata që kanë veshë muzike le të dëgjojnë ju lutem nga Ferenc List poemin e tij simfonik “Preludet” që të ndjejnë e të kuptojnë se çfarë romani është ky i poetit tonë Shpendi Topollaj. Proza e tij në këtë roman është e tëra poetike. Ja sesi shkruan ai: “Doja të arrija sa më parë. Shihja rreth e rrotull e nuk ngopesha. Malet, kodrat, pylli ishin po aty ku i kisha lënë. Më dukej sikur edhe ata gëzoheshin për kthimin tim.” … “Të gjithë gëzohemi e bëhemi shend e verë, kur takojmë dikë që kemi kohë pa e parë. Por gëzimi i nënës është i veçantë. Asaj i qesh gjithçka. Edhe fustani i vjetër e i zbardhur që mban veshur. Edhe ajo shami e bardhë që e ka në kokë. Edhe ajo përparësja me lule që e ruan qysh kur ka qenë nuse e re. Edhe masha që ka në dorë. Ajo nuk ecën, por vallzon nëpër shtëpi!” Kur fshatari i Shipshanit e heroi i kësaj epopeje, Ahmet Zeneli, del nga kampi i çfarosjes e ndërsa themi se këtu do ‚ti vinte fundi këtij romani e se ajo zgjatje e mëtejshme prej dekadash jete në atë sistem socialist të duket si dalje jashtë teme, jo nuk është ashtu, se sistemi komunisto – diktatorial nuk ishte tjetër vetëm se një Mat’hauzen tjetër mjaft i rafinuar ku jo vetëm Ahmeti, por i tërë ky popull hoqi e vuajti deri në të zezën e skëterrës.