Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Vullnet Mato

625
Sigal

Shtrati i perëndisë

 Miku im fluturak, ka bredhur tërë botën,

duke ecur më shumë në qiell, se në tokë.

Qejfeve kurdoherë u ka ngrënë kokrrën,

ka trokitur dhe me djallin ndonjë gotë.

Ka fjetur në dyshekun masazhist të Manhatanit,

në shtratin puplor të Dubait ku digjen shtatë yje,

në djepin qiellor me kolovitje të aeroplanit,

por askund s’ka gjetur, një shtrat perëndie,

Si atëherë kur kish dalë zbathur në fshehtësi,

të takonte vajzën mes misrit në mesnatë,

ku mikes i shtroi nënvete xhaketën e tij,

dhe u shtrinë në një kanal, me bar të thatë.

Mjegulla i kish mbuluar me çarçafin e ftohtë,

nektari i puthjeve, u përzihej me pikla vesë,

rrëketë e arta të yjeve, u vetëtinin mbi kokë,

në atë shtrat perëndie, që s’e harron sa të vdesë.

 

Të jesh njeri…

Sot mund të ngjitesh në lartësi deri te qeveria.

Mund të bëhesh deputet, kryeministër, president.

Mund të vendosësh në bankë miliarda nga pasuria.

Mund të jesh bos mbi bosët në çdo shtet e kontinent.

 

Femra mund të bëhet këngëtare me shkëlqim zëri ndër yje,

balerinë, fotomodele revistash dhe ekranesh në çdo skaj.

Mund të bëhet miss bota me kurorë vezullimesh mbi krye,

mund të zbulojë një minierë ari, brenda trupit të saj…

 

Sot mund të jetosh e të shkelësh nëpër disa kufij shtetesh.

Mund të marrësh çdo titull, apo emër e mbiemër të ri.

Sot mund të sigurosh, disa diploma universitetesh,

Por është tepër e vështirë të arrish të bëhesh tamam njeri…

 

Tempulli i fjalëve hyjnore

Ndej përbrenda vetes Papën e Romës,

në Vatikanin poetik përmbi kërbishte,
dhe kryemyftiun e botës, në Mekën e kokës
ku vras djallin e së keqes me gurishte;

Ndjej gjithashtu kryegjyshin e bektashinjve,
me tyrben e çallmës, mbuluar me shall jeshil,
mbaj palosur vargjet e Nimit të frashërllinjve,
bektashiut, që i këndoi zemra, si bilbil.

Me to, predikoj artin e fjalëve hyjnore
dhe ftoj të gjallët të vinë të falen tek unë,
të zbardhin shpirtin nga mëkatet jetësore,
që t’u prijë mbarësia në shëndet e në punë…

Nuk jam shenjtor, as magjistar iluzionist,
por dua me fjalë hyjnore, të bind çdo njeri,
se idetë, mataforat dhe rimat e poezisë,
predikojnë në shpirtra, paqe dhe qetësi;

Largojnë nga mendja trishtimin, hakmarrjet,
që i vijnë trurit, si dallgë të padukshme ligësie,
nga zënkat dhe politikat, që nxitin përçarjet,
me megafonët shurdhues të mediave të tyre.

Unë bëj, të puthen fort miqtë dhe mikeshat,
të falen sa më shpesh në tempullin poetik,
duke mërmëritur heshtur, vargje nga vjershat,
për të fjetur çdo natë, si në shtrat kozmik!…

 

Pse kaq shumë antiteza

 

Pse ku janë për t’u bërë shumë punë,

shteti ka shumë të varfër e të papunë?

Pse ku ka bakër, krom, hekur-nikel,
ka më shumë parazitë dhe dembelë?

Pse ku ka shumë intelektual të shquar,
drejtojnë servilë dhe të pashkolluar?

Pse ku duhen njerëz me botëkuptim të ri,
kuadrot e kohës së shkuar, marrin fuqi?

Pse ku ekonomia, ka rrëshqitur në batak,
të korruptuari vjedhin çdo qindarkë?…

Pse ku ka nevojë për drejtësi njerëzore,
juristët bëjnë çdo padrejtësi shoqërore?

Pse ku për nderin e femrës kriste pushka,
dalin jashtë shtetit më shumë prostituta?

Pse ku talentet lindin, si yje të dritës,
qeveritë sillen mizorisht me artistët?

 

Pse ku ka dy dete nuk pushojnë pensionistë,
po rrogat e larta dhe pensionistët turistë?…

Pse ku njeriu ka tapi me pronë të trashëguar,
ka mbetur prej vitesh lypsar me letra në duar?…

 

Pse jetojmë me kaq shumë antiteza,
me fare pak të bardha e shumë të zeza?…