Ka ikur koha e Hamletëve
Koha që jetojmë na vesh shpesh rrobën e Hamletit. Sfidën e tij për të ndrequr botën. Shpesh thërrasim “Ku je Hamlet që tërë jetën thirre:
“ O botë, o prapësi o dreq që unë paskam lindur të të ndreq!”
I duhej të kthente kokën i skuqur nga fjalët e miqve.
I thonin të shartohej me të keqen,
se kishte ikur koha e Përrallës së Qerozëve.
Se kishte ikur Koha e Hamletëve…
Zjarret e jetës e digjnin …pa plagë
si një shkëndijë,
që djeg edhe kashtën e fundit të mullarit.
Ku të kërkonte ndihmë?
Ku?
Ku????
Kur toka e shkrumbuar nuk shuhej me ujë aspak,
kur shpirti i dërrmuar
ishte më i thatë se fija e vyshkur e barit.
I thonin të miqësohej me të keqen.
Tavolina kthehej në tavernë bixhozi.
Rruga tjetërsohej në një këmishë të hekurt.
Hesht Hamlet!
Hesht!
Fshihu diku pas kështjellës së Shekspirit!
Ka ikur koha e dilemave botën për ta ndrequr.
I thonin se kungulli me shalqirin kishte mbushur tregun
e nuk dihej se kush ishte i pari Mbret në tryezë.
Ai skuqej…
Ai mërmërinte…
Fytyrëzverdhur dëgjonte, dëgjonte;
qielli i kaltër në çast nxirosej e bëhej sterrë!