Ti lind Agimet me vesë
Ti nënë thyen stuhi me buzëqeshje,
zinxhirë këput edhe nën lëkurë,
kur gjirit derdhen ngrica dhe reshje,
kur shpirti skuqet e digjet furrë.
Jetën e universit mbanë ndër duar,
ëndrrat vërtiten boshtit rreth teje,
ishull’i lirisë vdes e ngjallet gazmuar,
se ti shpesh u ngjan përrenjve.
Ti je rrëzëllitëse,si yjet e qiellit,
sytë e t‘u janë një ëndërr e bukur.
Nën hijen e qerpikut fle rrez’ e diellit,
krahët e lodhur shtrin aty çdo flutur.
Se ti je magjike, sot e përgjithmonë;
je kaq e brishtë sa kërkon kujdes,
fronin e botës askush s’ta merr dot,
se ti lind agime mbëshjellë me vesë.
Agimet paqësore në sytë e një gruaje
Ç’forcë eterike bulëzon në sytë e tu, o grua?
Që agimet paqësore lindin shpirtlarë,
vesën rruazore shkundin në retinat e tua
dhe s’dinë as për ta fshehur , as për ta tharë…?
Ç’forcë eterike bulëzon në sytë e tu , o grua?!
Që agimet e shpresës lindin shpirtbardhë!
Kërthizën lidhin, me fijen e ndjenjave të tua,
pijnë kroin e syve, të freskojnë botën mbarë.
Ç’forcë eterike bulëzon në sytë e tu, o grua?!
Që natyra zgjohet në shpërgënjtë e mrekullisë,
duke soditur pragmuzgjet e agimeve të tua,
veshur me dritën e praruar të përjetësisë.
Ç’forcë eterike bulëzon në sytë e tu, o grua?!
Që askush se ka të lehtë të hyj në zemrën tënde,
pa gjetur portën nga lindin agimet e vesuara,
pa puthur zambakët e agimeve me ëndje.
Ç’forcë eterike bulëzon në sytë e tu, o grua?!
Që syri bart strukturën riprodhuese të agimeve,
ngjyrimet e muzgjeve të pranverës së vonuar,
ultratingujt që zgjojnë shpirtin e perëndive.
Mos vallë, syri yt ka rrezatimin e sistemit diellor,
xixëllimën fosforishente të planetëve yjor,
llavën e prushtë të vullkaneve venusiane,
drithërimën që fërgëllon hapësirën ndërplanetare?!…






















