Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: TË SHIJOJMË APOGJEUN E DASHURISË

256
Sigal

Brenda qenies sonë, një lumë rrjedh nxituar,

herë gjarpëron qetuar, herë egërsuar,

unë e ti notojmë rrjedhës, të dashuruar,

qetësojmë me afsh dallgën e trazuar.

Është betejë e ashpër të qetësosh një lumë,

por ne duhemi dhe s’dorëzohemi kurrë,

tretemi valëve, kur çmenduria na mund,

pijmë apogjeun e kënaqësisë, me fund.

Brenda qenies sonë, një lumë rrjedh nxituar,

një bulëz uji duam, shtratit të bekuar,

energji e saj, të ndez zjarre,te ty e te mua,

zjarre që s’ka perëndi që i shuan.

Më shumë se ty, askush s’më ka lumturuar,

më shumë se ty, askush s’më ka ledhatuar,

kaq bukur sa ty, askush s’më ka thënë:të dua!

I falem nënës tënde, që të lindi për mua.

Të lindi rrjedhës, ku gjarpëronte dashuria,

me eliksirin e ngrohtë, të të shuhej uria,

se limfa e saj, isha unë, lindur nga Shën Maria,

krijesa më e përsosur, që bëri Perëndia.

Brenda qenies sonë, një lumë rrjedh nxituar,

herë gjarpëron qetuar, herë egërsuar,

mund të na çojë në ferr a parajsën e amëshuar,

kudo që të na shpjerë, ti do jesh me mua.

Brenda qenies sonë, një lumë rrjedh nxituar,

nga palca e eshtrave gurgullon mërmëruar,

të përkohshëm jemi në këtë rrjedhë të trazuar,

pa shijuar apogjeun e dashurisë, apokalipsin s’e duam.