Klajda Gjosha, ish- ministre e Integrimit: Kryeministri Rama me vetëdije po izolon Shqipërinë nga Bashkimi Europian

469
Sigal

Refuzimi i negociatave për të tretën herë është një mesazh i qartë për ndryshimin e qeverisë dhe nevojën për të provuar një qeveri të re, që do t’i japë prioritetin e duhur procesit të integrimit! Këtë e kanë në dorë qytetarët shqiptarë në datë 25 Prill.

Klajda Gjosha, ish- ministre e Integrimit në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se kryeministri Rama me vetëdije po izolon Shqipërinë nga Bashkimi Europian, sepse deri më sot nuk ka realizuar asnjë nga kushtet e BE-sw. Zonja Gjosha e argumenton këtë, sepse tashmë BE e veçoi Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit, kështu që rrëzohet edhe propaganda e Ramës, se Europa ka problemet e saj të brendshme, që nuk hap negociatat me Shqipërinë.  Zonja Gjosha thotë se “Negociatat do të thonë ndarje e pushtetit dhe Z. Rama nuk ka asnjë interes për këtë!”

– Zonja Gjosha, Bashkimi Europian e veçoi Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut në procesin e hapjes së negociatave. Pse Europa veproi kështu kësaj here?

– Shqipëria është veçuar nga Maqedonia e Veriut për një kohë të gjatë tashmë, që nga momenti që qeverisë shqiptare iu vendosën 15 kushte për të çelur zyrtarisht procesin e bisedimeve për anëtarësim. Ndërsa Maqedonia e Veriut pritet të ketë një datë fikse për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, pasi ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura më parë bashkë me krye kushtin, që kishte të bënte me marrëveshjen e emrit me Greqinë. I gjithë procesi duket se po vlerësohet në bazë të meritës!

– Reagimi i parë i kryeministrit Rama është se Hollanda mban qëndrim mohues ndaj Shqipërisë sepse ka problemet e veta. Ju si e deshifroni qëndrimin e kryeministrit Rama?

– Nëse do të ishte që vendet anëtare e dënojnë Shqipërinë për problemet e tyre të brendshme, atëherë e njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe për Maqedoninë e Veriut. Por kur vendi ynë fqinj është drejt marrjes së datës për konferencën e parë ndërqeveritare, ky është argument i rrëzuar dhe që tregon se vlerësimi vendeve bëhet në bazë të meritës. Rilindja po mundohet të mbulojë paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë, duke hedhur topin sërish te palët e treta. Në bilancin e kushteve të kërkura, sot janë plotësuar 0 kushte. Fatkeqësisht kjo është bërë me vetëdije të plotë për të bllokuar perspektivën europiane të Shqipërisë!

“Rilindja’ po mundohet të mbulojë paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë, duke hedhur topin sërish te palët e treta. Sot janë plotësuar 0 kushte. Fatkeqësisht kjo është bërë me vetëdije të plotë për të bllokuar perspektivën europiane të Shqipërisë…”

 

– Çfarë kushte ka plotësuar deri tani Shqipëria nga 14 kushtet e BE-sw?

– Zero kushte të plotësuara. Shqipëria ka dy kushte kryesore dhe më pas edhe 13 kushte që pasojnë e që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, pandëshkueshmërinë e shit-blerjes së votës, lirinë e shprehjes dhe vendimin mbi kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve lokale të 2019. Po ajo ç’ka i bën vendet të jenë dyshuese, është fakti se as dy kushtet e para dhe kyçe nuk janë plotësuar, që lidhen me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë dhe reformën zgjedhore, e cila është goditur rëndë me prishjen e marrëveshjes së 5 Qershorit.

–  A mendoni se vendet e Bashkimit Europian kanë perceptimin se kushtet e integrimit që ka vendosur ndaj Shqipërisë, nuk plotësohen sepse mungon vullneti politik nga Shqipëria (qeveria)?

– Ky nuk është vetëm perceptim, por është fakt i vërtetuar prej vitesh. Nga momenti, kur  ‘Rilindja’ ka tre vite që ka hapur shampanjën për çeljen e negociatave, nuk ka se si të pranojë se duhet  të vazhdojë të punojë për negociatat. Mashtrimi ndaj shqiptarëve ka kaluar çdo kufi dhe propaganda te pala ndërkombëtare është një element që nuk funksionon më. Vullneti mungon, sepse interesat për të mbajtur pushtetin në një dorë janë shumë të mëdha. Negociatat do të thonë ndarje e pushtetit dhe Z. Rama nuk ka asnjë interes për këtë!

“Nga momenti, kur  ‘Rilindja’ ka tre vite që ka hapur shampanjën për çeljen e negociatave, nuk ka se si të pranojë se duhet të vazhdojë të punojë për negociatat. Mashtrimi ndaj shqiptarëve ka kaluar çdo kufi…”

 

-Si e shpjegoni ju, pse kryeministri Rama nuk priti Opinionin e Venecias për Kodin Zgjedhor, shpërfilli në mënyrë demonstrative edhe Apelet e vazhdueshme të KE, PE, KiE, për më tepër vetëm 1 javë më para, sesa BE të vendoste në Konferencën Ndërqeveritare për hapjen e negociatave?

– Kryeministri nuk mund ta priste Komisionin e Venecias, sepse është i mbytur në frikën e humbjes së pushtetit. Kjo e shtyn atë drejt çuarjes së marrëzisë deri në fund. Por nuk ka asnjë taktikë elektorale sot që do të mund ta shpëtonte ‘Rilindjen’ nga humbja!

Pse në raportet që shkruajnë ambasadori i BE-sw në Tiranë dhe zyrtarët e BE-sw kanë handikap me qëndrimet, vlerësimet e qeverive të vendeve kryesore të BE-sw përsa i përket progresit të Shqipërisë në reformat e integrimit?

– Sepse ata mundohen të jenë më të butë në qëndrimet e tyre në mënyrë që edhe vendet më strikte të jenë më të zbutur në vendime. Kjo fatkeqësisht ka pasur efekt të kundërt, sepse vendet anëtare kanë grupe të pafundme monitoruese në Shqipëri, nga të cilat marrin të dhëna dhe fakte të drejtë për drejta, pa qenë e nevojshme të fokusohen vetëm te raportet e Komisionit Europian!

“Vullneti për të integruar Shqipërinë në Europë mungon, sepse interesat për të mbajtur pushtetin në një dorë janë shumë të mëdha. Negociatat do të thotë ndarje e pushtetit dhe Z. Rama nuk ka asnjë interes për këtë!..”

– Pas refuzimit të tretë rradhazi të BE-sw për të hapur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, cili duhet të jetë reagimi i shqiptarëve?

– Refuzimi i negociatave për të tretën herë është një mesazh i qartë për ndryshimin e qeverisë dhe nevojën për të provuar një qeveri të re, që do t’i japë prioritetin e duhen procesit të integrimit! Këtë e kanë në dorë qytetarët shqiptarë në datë 25 Prill!

Mendoni se ky refuzim i BE-sw për hapjen e negociatave me Shqipërinë do të ketë impakt në vendimin e shqiptarëve në 25 prill 2021, se për kë duhet të votojnë?

– Kam besim se qytetarët e vendit tim do ta analizojnë me kujdes votën e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Dhe besoj te vendosmëria e tyre për një Shqipëri europiane, që nuk mund të arrihet kurrë me këtë qeveri!/ Gazeta ‘Telegraf’

– Faleminderit!

‘Kryeministri nuk mund ta priste Komisionin e Venecias, sepse është i mbytur në frikën e humbjes së pushtetit. Kjo e shtyn atë drejt çuarjes së marrëzisë deri në fund…”