Publicisti dhe eseisti i talentuar Bashkim Koçi, përmbi pesë dekada të jetës së tij, me penën e tij të mprehtë, ka nxjerrë në dritë tablo, ngjarje, bëma dhe portrete, ku ndihet fuqishëm intelekti dhe shpirti i tyre kombëtar në shërbim të Atdheut dhe bashkëkohësve të tyre. Krahas artikujve dhe eseve të ndryshme në shtypin e kohës, një varg veprash publicistike shpërfaqin në sytë e kohës dhe të njerëzve, vlera të rralla e të spikatura historike, zakonore, kulturore e shkencore, të mirëpritura nga lexuesi i gjerë. Në publicistikën shqiptare janë të rrallë ata gazetarë të kohës së Bashkim Koçit, që kanë mbetur të freskët, të gjallë e polemist, duke përcjellë ide e mesazhe të reja, e mbi të gjitha, gdhendjen e njerëzve në portretet e tyre historike kulturore dhe shkencore, në dobi të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, duke mbartur edhe botën shpirtërore dhe psikologjinë e kohës.

Libri “Fisnikëria në fron” është shkruar duke skalitur portrete njerëzish të shquar, që tashmë janë bërë veteranë në punën e tyre akademike, (profesor Ismet Elezi dhe Njazi Jaho), por edhe veteranë të luftës, luftëtarë të lirisë, në të cilat autori përshkruan ngjarje të ndryshme, takime, festa që kanë të bëjnë me to, vizaton momente njohjesh të ndryshme dhe asgjë nuk i shpëton syrit të një gazetari të sprovuar me mendje të mprehtë, siç është Bashkim Koçi. Pikënisja e shkrimeve dhe qëllimi i mirë ka qenë dhe mbetet si kënaqësi analize e meditimi, pasi autori i shikon këta njerëz përmes vlerave të tyre në përpjekjen e sinqertë që tregohet, duke i paraqitur si njerëz që dhanë shumë për atdheun dhe e ndërtuan jetën e tyre me sakrifica, në dobi të punës e mbi të gjitha të lartësimit të njeriut përmes saj. Ndaj, edhe titulli i librit “Fisnikëria në fron” është mjaft i gjetur dhe justifikues. Dihet se fisnikëria rri gjithmonë në fron dhe shumëkujt ky titull mund t’i duket si diçka që s’ka nevojë të theksohet, por në kohën tonë që shpesh pushtohet nga indiferenca dhe apatia, nga një hutim për të vendosur drejt kriterin e vlerave, theksimi i këtij titulli është mjaft i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Në një shoqëri ku “vlerë” mbetet tregu, spektakli, propaganda false, moda dhe thyerja e miteve të vërteta, në një shoqëri ku konsumohet arti si limonatë dhe që vuan nga kitshkultura-kultura masive mediokre, pikërisht në një shoqëri të tillë, autori bie në vëmendje një libër, leximi i të cilit na bën të mendojmë se vlerat e vërteta, pavarësisht nga një vel harrese që u hidhet përsipër, nuk humbasin. Kthimi i vëmendjes te profesor Ismet Elezi e Njazi Jaho (të dy konstitucionalistë të shquar), nuk vjen krejt rastësisht. Duke vënë në pah elementë të rrugës jetësore si dhe të veprës së tyre (ndonëse shkurt aq sa lejon shtrati dhe teknika e paraqitjes së një portreti), autori arrin që të japë për lexuesin e gjerë një informacion të shkurtër dhe aq sa duhet mbi këta dy personalitete, por mbi të gjitha, krahas produktit të tyre shkencor, edhe vlerën e dy fisnikëve, ku njerëzit e ditur e mbajnë në harmoni dijen dhe ndershmërinë, ata karakterin njerëzor nuk e shesin për dukje dhe nuk vuajnë nga dilemat e shqiptimit të fjalës. Kjo jo vetëm se janë të ditur dhe me vepra: “Profesor Ismet Elezi është autor i 14 teksteve universitare, 27 veprave shkencore e 16 librave”-citim nga libri, por me kohë dija e tyre është bërë pronë publike. Fjalë të tilla mund të thuhen edhe për Njazi Jahon-në thelb, njeriu i ditur që dha konsulenca juridike të sakta dhe të pagabueshme. Në librin e Bashkim Koçit pjesën më të madhe të shkrimeve e përbëjnë ato për veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe figura të shquara mësuesish e njerëzish të tjerë me rezonancë shoqërore. Kuptohet, autori duke qenë gazetar, dhe i prirur me të drejtë në respektimin e vlerave të kësaj lufte, ka një material të pasur për këto figura, ka realizuar kontakte të gjalla me ta, është ulur dhe ka biseduar duke prekur jetën dhe historinë jo nga rrëfime të dyta apo të treta, por direkt nga goja e këtyre veteranëve që bënë epopenë e madhe çlirimtare. Në këtë pikëpamje, sa ç’rrëfen për të vërteta historike, të njohura tashmë, aq edhe bie një material të vjelë direkt prej tij dhe të mbajtur shënim në bllokun e gazetarit ose të regjistruar, dhe më pas të botuar në gazetën “Kushtrim Brezash” apo gazeta të tjera të kohës. Në këtë kujdesje për të mos i humbur asgjë nga çfarë ka shkruar, ai i bie këto shkrime të përmbledhura në këtë libër me një titull domethënës dhe përcjell një kontekstualitet të caktuar. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare mbetet një faqe lavdie në historinë e popullit shqiptar dhe bartësit e kujtesës, krahas dokumentimit historik ose asaj çka është shkruar për të-dhe nuk është shkruar pak, mbeten veteranët, ata të cilët luftuan llogoreve të kësaj lufte për të sjellë lirinë e shumëndërruar. Por këta veteranë nuk u mjaftuan me meritat e Luftës, çka është një e vërtetë e madhe, ata i vunë shpatullat ndërtimit të Shqipërisë dhe punuan në frontet më të vështira, gjë që përbën një anë tjetër të personalitetit të tyre, duke sjell vetiu një nderim të dyfishtë për ta.


Në këtë aspekt, libri i Bashkim Koçit fiton një dimension tjetër kuptimor përsa i përket zgjerimit të këndvështrimit tematik dhe fluksit të ideve dhe përcjelljes së tyre në mënyrë analitike dhe që shoqërohet me një informacion të pasur të njerëzve, si dhe të ngjarjeve dhe fakteve që paraqiten e shtjellohen në këtë libër. Libri ndërtohet me disa ndarje shoqëruar me tituj. Në kreun e Parë “Nderim e përulje për çlirimtarët”, krahas figurave të dy konstitucionalistëve të shquar, që i cituam më sipër, flitet për Njazi Çepanin, Naxhi Zhupën, Neim Bicin, Muharrem Pëllumbin, Xhile Liçin, Musa Hysin, për “Heroin e Popullit” Met Hasa, për Mynever Shuteriqin, Heronjtë e Vigut etj. Ajo që vihet re në realizimin e këtyre portreteve është se autori kap në to ato detaje, të cilat shprehin më së miri figurën e tyre, duke u kthyer në modele frymëzuese. Atdhedashuria dhe patriotizmi, sakrifica dhe sublimiteti i saj përmes asaj çfarë bënë dhe çfarë kanë arritur –është një mesazh pothuajse për të gjithë, por autori nuk harron të theksojë zonat nga vinë, trashëgiminë familjare dhe njëkohësisht idealet liridashëse e atdhedashëse, që përçoi dhe mbolli kjo luftë në zemrat e patriotëve më të mirë të popullit shqiptar.
Në kreun e dytë me titull “Njerëz me kurorën e punës” merr në shqyrtim njerëz të tillë si: Sefedin Çela, Kujtim Nanushi, Izet Dashi, Mjaftoni Nikollari (mësuese), Vigjilenca Demiraj (mjeke), Iliaz Kapxhiu (shkrimtar-humorist), Skënder Lena (humanist), Mihal Krimçe (mësues), Kastriot Rexhepaj agronom (veprimtar-njeri i shquar), Veli Haxha (njeri me virtyte të larta). Këta njerëz, Bashkim Koçi i njeh mirë, por kjo nuk mjafton. Me syrin e mprehtë e vëzhgues të një gazetari dhe të një artisti, ai di të marrë nga figura e secilit atë që është më thelbësore, e nevojshme dhe e domosdoshme për t’u përfillë jo vetëm si vlerë njerëzore, por edhe si vlerë artistike, si dimension i njeriut që me atë që ka bërë e sendërtuar në jetën e tij, përçon vlera, të cilat frymëzojnë shoqërinë dhe njerëzit e tjerë. Këta janë njerëz që u lindën nga populli i thjeshtë, prindër të nderuar, që çanë në jetë në sajë të zgjuarsisë, talentit dhe përkushtimit, por mbi të gjitha, në sajë të moralit të shëndoshë njerëzor dhe humanizmit, duke zbatuar një thënie të filozofit Gilel (izraelit) se “po të mos jem për vete, kush do të jetë për mua, por po të jem vetëm për vete, përse të jem fare”. Këta njerëz ishin për vete, ishin edhe për të tjerët-një premisë e bukur e kësaj urtësie të thjeshtë, që e vendos drejt raportin shoqëri –individ dhe anasjelltas. Ana njerëzore dhe gazetareske, si dhe si shkrimtar, e Sefedin Çelës është mbresëlënëse. Ai është njeriu që nuk e shfrytëzoi karrigen për distancim e përfitim, por për punë dhe drejtësi-komunikim e humanizëm. Po kështu, shkrimtari Iliaz Kapxhiu-një humorist dhe satirist i shkëlqyer i Skraparit njeri “problematik” për pushtetarët e kohës. Kastriot Rexhepi, agronom e shkencëtar ka lënë gjurmë në ekonomitë bujqësore të Vlorës. Në portretet e Bashkim Koçit për këta njerëz sillet mjaft informacion aq sa ia lejon struktura organike e konceptimi tematik –ideor i këtij libri. Ky informacion është i qëmtuar me kujdes dhe synon zhbirimin në botën shpirtërore, të cilën Bashkimi e ka metodë dhe e përdor mirë si teknikë të përshkrimit. Ja çfarë thotë ai për të mirënjohurin Izet Dashi: “Ky njeri e kishte në mendje dhe në zemër bindjen e palëkundur, e durimi, këmbëngulja dhe djersa e ballit, përbënin një kombinim të pamposhtur për të arritur te suksesi”. Ky postulat mund t’u shkojë shumë mirë edhe portreteve të tjera të vizatuara me dashuri nga autori në këtë kapitull të librit të tij. Në kapitullin e tretë “Reportazhe” Bashkimi e zgjeron frymëmarrjen e vështrimit të tij, tashmë në shkrimet e tij gazetareske nuk hyn vetëm një portret, por hyjnë shumë njerëz. Reportazhet nuk janë përshkrime të thjeshta, ato nuk kanë vlerën e një ditari, përkundrazi, reportazhet kërkojnë tematikë dhe këtë Bashkimi, si gazetar i mirë, e ka ditur dhe jo vetëm, por edhe e ka materializuar me reportazhe të bukura.
Përgjithësisht, reportazhet e Bashkim Koçit ndërtohen mbi një tematikë të tillë, ku autori ka kapur ngjarje,- por siç ndodh zakonisht me këtë tematikë, gjuha gazetareske del disi e rrumbullakosur dhe është e vështirë të kapësh problemin. Por Bashkimi e di mirë se krahas problemit duhet të zbulosh mjedisin dhe njeriun. Dhe këto dy komponentë të teknikës përshkruese i realizon me sukses dhe talent. Njerëzit që përshkruhen nuk janë triumfatorë mendjemëdhenj-por njerëz modestë e me vlera. Këtë e shohim dhe e ndiejmë më së miri në reportazhin “Në Përmet, në 80 vjetorin e Kongresit”, por edhe në reportazhin tjetër “Vlusha, aty ku u formua Brigada e VII –të Sulmuese”, por sidomos në reportazhin tjetër “Në Skrapar”, ku flladitet edhe një mall e nostalgji e merituar.
Në këtë reportazh, (Në Skrapar) autori krahas përshkrimit të bukurive natyrore të Skraparit-paraqet edhe problemet dhe vështirësitë ekonomike, shqetësimet e kohës. Ai nuk e lustron realitetin as nuk e shkruan reportazhin për hir të ndonjë ideje apo qëllimi, por realiteti imponon që syri vëzhgues dhe aftësia përshkruese e autorit të vijnë përmes një natyrshmërie që besohet dhe të ngjall emocion në leximin e këtyre rreshtave edhe me bukuri stilistike, dhe me një gjuhë të rrjedhshme. Autori tregon gjurmët e kohës në këto vende, në Skrapar e Gramsh, bukuritë natyrore dhe resurset turistike, njerëzit që i njeh dhe njerëz të rinj të takuar-gjithnjë i kujdesshëm dhe i vetvetishëm, duke nxjerrë në pah vlerat e tyre trashëguar nga tradita dhe rifreskuar nga moderniteti. Të bën përshtypje se në portretet dhe në reportazhet e Bashkim Koçit ka shumë emra-krahas protagonistit apo temës kryesore, kjo tregon se njerëzit që ai ka njohur dhe që i ka përshkruar nuk i ka parë në një kuadrat të vogël, as në një optikë të thjeshtë. Këta njerëz janë heronj, luftëtarë, shkencëtarë, veprimtarë shoqërorë, krijues letrarë, njerëz të pushtetit, njerëz të thjeshtë, një galeri e tërë mbushur me portrete të tyre, të cilat tregojnë jo vetëm njohje, por edhe mjeshtëri, duke e zgjedhur e përdorur fjalën në maksimumin e saj të shprehjes.
Në kapitullin e IV “Ese” autori shfaqet si kritik dhe mendimtar për çështje të artit dhe të letërsisë. Teksa analizon romanin “Rënia” të Shefqet Mekos apo librin e Gjovalin Gjeloshit “Balta që (s) duam”, autori ndalet më tepër në vlerat ideore të këtyre librave, duke sjellë shkurt e me një analizë të thukët aspektin përmbajtësor të tyre brenda vërtetësisë së kohës. Autori i quan këto shkrime “ese” dhe vërtet ato janë ese përshkruese, sepse qëllimi i tij nuk ka qenë të na japë një vështrim të detajuar, megjithatë lexuesi e merr sharmin dhe një farë vlere artistike të tyre.
Shkrimet e publicistit të talentuar Bashkim Koçit tregojnë se si mund të shihen dhe analizohen librat nga një gazetar dhe apo nga një kritik letrar. Libri bën jetën e vet dhe bie në duar lexuesish të kualifikuar, të cilët, të ndodhur jashtë interesit dhe lajkave letrare, dinë të japin vlerësimin më të saktë, në këtë kohë kur propaganda mediatike e vlerësimit letrar, shpesh bie në kufirin banal të njohjes për interes ose të interesit me një qëllim të paracaktuar.
Kreu i pestë i këtij vëllimi interesant titullohet “Skica”. Skica është një zhanër i prozës së shkurtër lëvruar nga mjeshtra të mëdhenj të saj, si: Nonda Bulka dhe Migjeni, Petro Marko apo Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, apo Arshin Xhezo, Në skicë duhet të zotërosh artin e të shprehurit shkurt e të thuash shumë. Nga vetë fjala që e emërton dhe nga vetë vështirësia në shkrimin e saj, pak autorë i janë afruar, dhe të shumtët i janë larguar me droje. Bashkim Koçi merr guximin t’i afrohet dhe ta lëvrojë, jo pa sukses. Skica të tilla, si: “Dy pika lot në sytë e Anilës”, “Lule në vend të plumbave”, “Ne ishim katër”, “Borxhi”, “Krushkat”, “Lutje nga burgu për të qëndruar në burg”, “Çorapet” etj dëshmojnë për talentin e autorit dhe për një vështrim të hollë të detajit jetësor, që ngjishet me mendim dhe e manifeston atë përmes shkurtësisë në mënyrë mbresëlënëse. Për shembull skica “Njerka” ka një detaj psikologjik, ku thellësia e ndjenjës transmeton një poetikë të hollë të shpirtit njerëzor. Skicat e tij shpesh ndërtojnë kontraste të fuqishme siç ndodh në krijimin “Palaço dhe heronj”, por përgjithësisht ato kanë një strukturë të ngjeshur dhe disa prej tyre japin premisën për t’u zgjeruar më tepër në tregime dhe novela. Vëllimi “Fisnikëria në fron” me ndarjet që ka me kapituj të titulluar dhe me realizimin publicistiko-letrar, lexohet me interes dhe sjell profilin e një gazetari të spikatur dhe serioz, por edhe të një analisti dhe të një krijuesi, i cili na tregon se kur fjala ngjyhet në mushtin e jetës dhe e pi atë, merr shëndet të mirë artistik. Pasuria jetësore është njëra anë e këtij libri, që natyrisht është e begatë, por këtë pasuri dhe lëndë të begatë, autori ka ditur ta përdorë në mënyrë mjeshtërore, duke sjellë atëherë në kufijtë e një proze memorialistike, herë në kufijtë e një proze analitike e herë artistike, duke krijuar kështu një libër mozaik publicistiko – letrar me shumë vlera për kohën dhe shoqërinë.



















