Kadri Veseli në Hagë, caktohet dita e seancës së parë

270
Sigal

Kadri Veseli do të dalë më 10 nëntor 2020 në orën 15:00 para sallës së gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Aktakuza kundër Kadri Veselit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

“Aktakuza e ngarkon Kadri Veselin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale. Paraqitja e parë e Kadri Veselit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializura.

Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.