“Refleks nga muzgu im“, është një përmendore poetike, e gdhendur me kujdes nga dalta e artë e mendimit të mjeshtrit të fjalës poetike Vullnet Mato. Ligjërimi poetik në këtë përmendore shpirtërore me përmbajtje shtresore të thellë e me formë të përsosur artistike, është formësuar nga harmonizimi unik i botës lëndore dhe materies me energji gjallëruese të mendimeve racionale me shpërthime vullkanike të brendshme. Kjo formë ligjërimi kushtëzon trajtën e kësaj vepre letrare, duke nxjerr në pah vlerat e padiskutueshme të artit të mirëfilltë. Mendoj se vepra poetike e autorit të shquar të letërsisë shqipe Vullnet Mato, është një kredo jetësore e patosit qytetar, e dashurisë për njeriun, e shkrirjes së unit poetik me natyrën dhe të bukurën e virtytshme. Vullneti është poet i dlirtë liriko-epik, që shquhet për mjeshtërinë e gjetjeve artistike, për forcën e imagjinatës dhe fuqinë e gjenialitetit krijues. Gjithçka theksova më lart, përbëjnë thelbin e universalitetit poetik të veprës së tij letrare, në brendinë e së cilës, lexuesi arrin të imagjinojë një botë që gjallon bukurinë e jetës, brenda kaosit të botës reale, ku ndeshet egërsia e kohës, tronditja e psikikës njerëzore që tashmë ka prekur fundin, vlerat e larta morale të njeriut modest dhe fërfëllimat e zëshme të dashurisë. Të këtyre momenteve emocionale janë disa nga lirikat e vëllimit poetik “Refleks nga muzgu im”. Poezia “Muzgu im”e shkruar në trajtën e vëtërrëfimit, përcjell përjetimin emocional të muzgut që poetit i vjen, i veshur me ngjyra, si të gjithë poetët që kanë pirë pjalm nga natyra, por poetët, me të cilët, ai nisi vrapin në rërë, janë shuar nga kjo jetë, pothuajse të tërë. Mrekullisht bukur shkrihet misteri i vazhdimësisë së ekzistencës së tij në tokë, nëpërmjet simbolikës së veçantë (kandili): “kandili im, si duket ka ende vaj më tepër,/dhe lëshon fortë flakën e moshës së vjetër…/”, dhe të vërtetën shkencore, se jeta është thjesht energji, shkruar në genin e njeriut, që gjendet te kuptimi i thellë i vargut matojan.
Bota poetike e Vullnetit është një univers i magjishëm drite, me vargje të shkruara me vetëtima. Sipas përfytyrimit tim, ai është i pakapshëm, njësoj si shpendi shtegtar i foleve, që nuk e ndal kurrë tempin e ecjes në udhën e eterit të artit poetik, derisa rrezet diellore të gdhendin emrin e tij në kujtesën e pavdekshme të erërave dhe reve: (Ecje e pandalshme) ”Eci, me gjurmët e padukshme të erës, /shkel me kërcinjtë e ujshëm të shiut,/ fluturoj me flatrat e avullta të reve,/ nga ekuatori në polin e Jugut e të Veriut”. Vargje mbresëlënës të fuqishëm, që arrijnë shkallën më të lartë të ngjyrimit figurativ metaforik e filozofik. Për më tepër tingëllojnë si lajtmotiv kuptimplotë, për këtë erudit të fjalës së shkruar, që ka treçerek shekulli, në këtë ecje revan, paralelisht me dritën, krah rrezeve diellore, duke përshkuar çdo paralel e kapërcyer çdo meridian të hapësirës tokësore dhe gjatë kësaj vërtitje kohore, shpirtin e ka qetësuar në shtratin bosh të një orakulli. Pasionin e parë në art, Vullneti e ka pasur për pikturën. Realizoi portrete e peizazhe me ngjyra vaji dhe çeli disa ekspozita personale në qytete të ndryshme të vendit. Mesa kuptohet, piktura, kjo poezi e heshtur me rrënjë të thella në shpirtin e tij, ushqeu me nektar pasionin e tij të zjarrtë për poezinë. Ngjyrat e njeriut nga portretet e vajit, i bëri në varg me fjalë, duke ngjyer penelat në shtigjet e padukshme të qiellit të natës, tek një këngë e heshtur, në ajrin e kaltër, në diellin që rri mbi dy brigjet e zemrës, në llambën xixëlluese të diskut të hënës. Me një gjuhë natyrale e shprehëse, transmetohet lidhja e fortë midis pikturës dhe poezisë, që është një pikturë e shprehur, në vargjet e poezisë “Si mund të bëhet portreti yt”: “Kur pikturën kam pasur pasionin e parë, në art,bëra portrete vaji, akuarele e ç’më zinte dora./ Tani kur ngjyrat e njeriut, me fjalët i bëj në varg, për portretin tënd, do ngjyej penelin në metafora./ Për flokët e gjatë, luhatur supeve, si lavjerrës,/ do marr kataraktin e një ujëvare, që bie nga lartësitë,/ kur mesdita të kreh krelat, me krehrin e saj të erës,/ teksa ujëvara pret zogjtë e etur , të vijnë nga largësitë.” Gjetja klasike e ligjërimit intim, përmes ndjesive të holla për të realizuar temat universale në lirikat e fuqishme të dashurisë dhe të natyrës, e pagëzojnë këtë poet në “magjistar” të fjalës së bukur poetike. Dhe si i tillë, ai zotëron aftësinë të eksplorojë deri në thellësi, çdo grimcë ndjesore të botës njerëzore, për të thurur variacione poetike e retorike nga më të veçantat në poezinë e sotme moderne shqipe. Ky poet na sjell në poezitë e tij, dehjen nga bukuritë e natyrës dhe thirrjen e brendshme të tij, që përpiqet të komunikojë me të, duke njësuar në këtë mënyrë shkrirjen e njeriut me vetitë thelbësore të natyrës: ”Po më thërret një puhizë e lehtë,/lulet me aromë, të freskojmë bashkë./Më presin zogjtë të ngremë foletë,/në degë pemësh thurur me kashtë./Më fton një pishë e blertë në shprep,/ta sodis, kur nxjerr qerpikët prej vajze./ Më fton një gurgullimë përroi e shpejtë,/të vaditim arat e fushës së madhe/ ”(Më thërrasin hapësirat). E shkruar me një gjuhë tepër të zjarrtë dhe ligjërim të fuqishëm filozofik, janë edhe vargjet e poezisë ”Fola me barin e gjelbër”: ”Teksa isha shtrirë mbi qilimin e tij, si kadife e butë,/më foli bari i gjelbër,që fëshfërinte nën ahishte:/Dëgjo, o njeri i shkujdesur që më shkel me këpucë,/pëshpëriti, me kërcellin e hollë të gjuhës barishte:/Unë jam blerimi i parë, që çava koren e lashtë të tokës/dhe shtrova zahire, të ushqeja kafshët e para të kopeve./Unë u priva pemëve, që zgjatën degët nën diellin e botës/ dhe lidhën kokrra për njerëzit e për shpendët e foleve.” Në fund të fundit, poeti është qenie njerëzore e jashtëzakonshme dhe pjesën më të madhe të ekzistencës së tij mbi Tokë ia kushton luftës së njerëzimit, për të njohur natyrën dhe për të krijuar lidhje të përhershme me të, meqenëse rrënjët e njerëzimit ushqehen me gjakun e gjelbër të nënës natyrë. Po kaq i çmuar është edhe guximi i qenies njerëzore, me ndjesi të trashëguara, për të bukurën ideale dhe për të zhbiruar misteret e tërësisë së ndjesive, që formësojnë strukturën e madhështisë së universit të dashurisë. Poezia “Madhështore mbi të gjitha madhështitë” është krijimi më i fuqishëm poetik i këtij poeti, që me unikalitetin e jashtëzakonshëm të vargut, përpiqet të nxjerr në pah vlerën e vërtetë që ka dashuria në çdo kohë: ”Dashuri! Ti bashkon gjallesat në tokë e dete,/qetëson dhe egërson dallgëzimet e jetës,/ti na bën të kemi, një tufë engjëjsh me vete,/dhe engjëjt i ndan pas një tjetër martese,/Dashuri, ti je bujku dhe ara e begatshme e jetës,/ku mbillet fara e gjakut e mbijnë filiza njerëzor,/je djepi shekullor i familjes, ku fisi zgjat degët/dhe varri i lakmitarit, të nxitur nga verbimi epshor…” Në lirikat e tij, Vullneti shkruan me një frymëzim gati hyjnor dhe intuitë të mistershme për universin e dashurisë, që mbart në thelb burimin e jetës tokësore, magjinë dhe misticizmin e pakohësisë. Por përmasat e vështrimit të poetit në muzgun e jetës, janë sa idilike aq edhe melankonike, prandaj i frigohet deri në llahtarë, bukurisë femërore. Kjo ndodh, ngaqë nuk e di fuqinë e saj dhe druhet se mund t’i godasë trurin e ta lerë krejt pa mend. Dhe natyrshëm, ai kujton pranverën, që i ka kaluar dhe preferon t’u shmanget afrimeve trazimtare, madje t’i qëndrojë sa më larg mrekullisë së bukurisë femërore, sepse ka frikë se mos e “vret”. Refleksin e kësaj frike të ndërtuar në kufijtë e njerëzores dhe hyjnores e hasim në vargjet mbresëlënëse të poezisë “Afrimi yt trazmitar”: ”Vërtitesh, si flutura rreth një llambe nate,/të vërej me siklet, po s’të përgjigjem dot./Druhem mos krahët, me brishtësi delikate,/nga afrimi i tepërt, mund t’i djegësh kot./Megjithëse je lastar, me kërcell të njomë,/dëshiron me ngulm, ngrohtësi prej meje./Druhem mos ndoshta, gjethet t’i përcëllon, /flaka e oxhakut tim, me kërcu qeresteje./ Përfytyroj aromën, që përhapin lulet si ti /dhe kujtoj pranverën, që më ka kaluar…/ Oh, mos qoftë asnjeri, në këtë hallin tim, /mrekullinë e bukurisë, të kem frikë se më vret! Vullneti është gjithmonë në proces kërkimi të temave që trajtojnë problematikat e jetës familjare dhe asaj bashkëshortore, që janë shtylla kurrizore e shoqërisë njerëzore. Këtij konceptimi i është afruar artistikisht meditimi poetik i poetit Mato, që nëpërmjet materialit jetësor për temën delikate, të martesës së konsumuar, duke vënë theksin tek problematikat e shumta të saj, të cilat bëhen shkak për prishjen e harmonisë familjare. Një kambanë e fuqishme për reflektim, janë vargjet e poezisë “Të lidhur me unazat e floririt“. Poezia është ndërtuar në formën e ligjëratës oratorike. Patosi qytetar, transmeton ndikim të fuqishëm dhe poezia fiton atribute në planin shoqëror. Në këtë poezi çdo detaj është një dhimbje ngjethëse dhe çdo varg mbart notat e fatalitetit, çka e bën poezinë të jetë e gjallë dhe dhembjen universale për familjen, e bën lajmuese të fuqisë e bukurisë së saj, që shkrihet pa u ndier në honet e harrimit: ”Ndodh me çifte, të martuar prej vitesh,/koha e magnetizimit, fillon dobësohet,/ ndjenjat ndahen, me fëmijët që rriten/dhe çifti ndjen ngricën, që po afrohet./ Më keq vuajnë tradhtinë e njëri-tjetrit,/ duke fluturuar netëve nëpër yje lumturie, / të shtyjnë vitet, me çaste të reja dashurie.” Vargjet përmbyllëse të kësaj poezie kanë në themel pyetjet retorike, të cilat thellojnë qëndrimin e mprehtë të poetit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe më fuqishëm në ndjenjat, emocionet dhe ndërgjegjen e lexuesit: ”Opinioni i gjerë, mund të japë gjykim pa zë,/ a duhet të gjejnë dashuri, ku u ngjitet syri? /Apo duhet të bëjnë, sikur s’ka ndodhur gjë,/ dhe të mbahen lidhur, me unazat e floririt?”. Kjo përmendore poetike shquhet për dinamikën e formave rrëfimtare, që rrjedhin mbi një shtrat lirik, me ritmin dhe tonin e ligjërimit, që ndërthuren me qëndrimet vlerësuese-emocionale, me gjendjen shpirtërore të poetit, që herë është i paqtë prej lumturisë që i buron së brendshmi dhe herë është i pikëlluar nga humbjet fizike të të dashurve të zemrës. Të mprehta e me një tingëllim elegjiak dhe ritëm drithërues të brendshëm janë poezitë “Zgjohu moj nënë, se fjete shumë !”, “Motër, s’të harrojmë dot!“, “Babai, me njëqind mjeshtëritë e tij” etj. “Zgjohu moj nënë, se ke fjetur shumë, /mbuluar këtu, nën dheun e ftohtë!/ Eja, se tani lotët më janë bërë lumë,/ o, dashuria ime, më e madhe në botë!” Fluturimi në amshim i nënës është i dhimbshëm për poetin, por ikja e parakohshme nga jeta e motrës së vetme, që pas vdekjes së nënës ishte foleja e vëllazërisë, që i mbante të lidhur me njëri-tjetrin, i kapërcen kufijtë e dhimbjes njerëzore, duke lënë pas një shkretim, me re të zeza në horizont. Përsëritja e vargut ”Motër, s’të harrojmë dot!” Në fund të çdo strofe të poezisë, është kryevargu i pangushëlluar i poetit vëlla, që ka humbur një pjesë të shpirtit të tij. Atë pjesë ku gjallonte amaneti i nënës, që s’e tret as dheu: “Ngrite velat pa na lajmëruar, sikur të thirri i madhi zot,/ zgjodhe lundrën e arkivolit dhe u nise në një det me lot,/ Motër s’të harrojmë dot! / Se kishe amanetin e nënës, që iku nga pakujdesia e kotë,/ të na mbaje me njëri- tjetrin, të lidhur e shtrënguar fort./ Motër s’të harrojmë dot!”. Të një shpalimi të plotë emocional, janë edhe poezitë ku trajtohet ideja e atdhetarisë dhe e zgjimit kombëtar për mosbraktisjen e tokës së të parëve, për të mos e lënë këtë tokë të bekuar vejushë, siç shprehet dhe vetë poeti në poemën perlë ”Toka jonë e bekuar “, ku nuk mungojnë veçoritë himnizuese të tokës arbërore dhe figuracioni i pasur letrar: “Mos braktisni tokën,/ dhuratën e bekuar,/ që vet Zoti i madh/ ne na ka dhuruar! / Të mos lini këtë tokë,/ si vejushe të urtë,/ për të jetuar diku larg,/ me toka mantenutë./”Nënteksti i poemës ngrihet në rrjedhën e energjive të pashtershme kuruese, që gjallojnë në thërrmijat e kësaj toke dhe që mrekullisht paqtojnë e shenjtërojnë shpirtin e çdo shqiptari. E fuqishme është realizuar thirrja, me të cilën poeti iu drejtohet bijve të shqipes, që kanë braktisur foletë e lashta të shqiponjave: ”Kthehuni, o shqiptarë,/ se toka, po iu lutet,/ me shalle ylberesh, /t’i mbështillni supet…” Prandaj, o djema, jeta,/ është këtu ku keni tokën./ Në tokën tuaj keni nderin, /te kjo tokë keni gjithë botën.” E gjithë poema tingëllon si një himn për tokën e atdheut, se në bërthamën e kokrrizës së dheut të saj, kemi jetën dhe vdekjen. Harmonizimi me mjeshtëri i notave epike me ato lirike është kryekëput një dukuri tepër interesante e rrëfimit, që lidhet ngushtësisht me situatën dramatike që po përjeton kombi ynë, për shkak të shpopullimit masiv të trojeve. Kurse në poezinë “Dëgjoni ju !” fshikullon ashpër me mprehtësinë e mendimit, shkaktarët kryesorë të këtij fenomeni hemorragjik, që po e çon të tashmen dhe të ardhmen e vendit në shtratin e agonisë e të zymtësisë: ”Dëgjoni ju: Të korruptuar, hajdutë, kriminelë,/ turmë e ngrehinës suaj, nga çatia në themel!/ Ju atentator të padukshëm, vrasës me pagesë,/ Ju djegës makinash, nga ligji, prekur në interes..” Gjëmimtare e të guximshme janë vargjet e shkruara me rrufetë e shpirtit, që klithmojnë deri në zenit për plagët e njoma në shtatin e kombit: ”Jam kolonia e shqiponjave, që emrin trojeve u jep,/ lëshohem pingul, u ngul kthetrat, u shqyej me sqep!/ Mjaft më vodhët, më rraskapitët, më robëtuat,/ të më ikin bijtë e bijat largësive, ku ju m’i zbuat!”. Më shumë se çdo autor tjetër shqipfolës, poeti Vullnet Mato përdor fjalë e shprehje figurative me kuptime shtesë të fshehura, ose të drejtëpërdrejta, të cilat luajnë një rol qendror në sistemin retorik dhe atë të vargëzimit poetik, gjë që dëshmon fuqinë e artit të tij, për të ndëshkuar fenomene të rënda të jetës shoqërore e politike të vendit. Atij nuk i mungon guximi për t’u përballur me të keqen, që po gjymton trurin dhe shpirtin e kombit: “Ka ardhur koha, të më paguani borxhin, me kokë!/ Unë jam populli, tashmë këtij vendi, po i dal për zot!” Përfundimisht, kjo përmendore poetike, është një vepër që dallohet për vlera të veçanta letrare, për hollësitë artistike dhe për strukturën e ndërtimit të përmbajtjes, që e ka burimin te rrënjët e shpirtit të poetit, të cilat janë të lidhura përjetësisht me rrënjët e shpirtit të kombit, sepse Kombi për të, është mitra nga ka dalë dhe guri i varrit, ku do të prehet përfundimisht.