Ish një vajzë e ish një djalë.
Vajza e donte e djali e donte,
po Shkumbini i madh me valë
i kish ndarë e s’i bashkonte.
Dhe thërrisnin: O o o, të dua!
po kjo klithmë e lashtë fjalësh
u dëgjohej: Jooo, s’të dua!
nëpër thashetheme valësh.
E humbisnin të dy shpresën
e shpresonin prap më tepër,
siç humbet dhe drita vesën,
dhe e gjen mëngjesin tjetër.
Ooo, të duuaa, nisej fjala!
Jooo, s’të duuaa, mbërritne zallit.
Vajza thosh: Më piftë vala!
Të përpiftë!, i vinte djalit.
Bot me buzë, bot me duar,
anës dallgëve ndërkryer,
herë për jetë dashuruar,
herë për vdekje të zhgënjyer.
Hidhnin fjalën ta kalonin,
shprishej porsi plisi i kumit,
hidhnin gurin të qëllonin,
binte m’u në mes të lumit.
Një çast lumi s’ish më lumë
mes dy brigjeve të mallit
dhe u bind e ra në gjumë
dhe u hap e fjeti zallit.
Rendi vajza e rendi djali
sa u ngrit një erë e marrë,
që rrëzoi shkëmbinj nga mali,
e një breshër që s’ish parë.
Zgjatën duar, vunë gurë,
shtruan dhimbjet, që nuk thuhen.
Gjer mbi lumë u bënë urë,
të kalojnë ata që duhen.