Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Falmë nënë !

121
Sigal

 

Më fal nënë, më fal, që s’të kam shkruar!

Mbetur pas punës, kam harruar se je plakë:

tretur në lëkurë, se netëve s’ke dëgjuar,

zërin tim, të thyej heshtjen nëpër prag.

Të ëmblën puthje në gji, ruaje për mua,

kurbetit kur të kthehem lotuar në behar,

ndonjë ftua hiq mënjanë, se si dikur e dua,

të falem nënoke, të falem,sa të jem gjallë!

S’dua aspak, larg teje të mbes mërguar!

E di se sa vuan e merakosesh çdo natë,

ti thurmë një ninullë e këndoma mua,

prehrit kur të vij, t’më zërë gjumi ëmbëlak.

Do shkel gjethet e rëna, lehtë, pa zhurmë,

t’mos trembesh kur rri mbi të vjetrin prag,

flokëve të bardha, do hedh lulërina shumë,

të ngjyrosen thinjat, një nga një me radhë.

Qielli le të yllëzojë prej vezullimeve prush,

valles t’ia marri mbi diskun e verdhë hëna,

sipër balukes së thinjur, të bjerë i arti nur,

se asnjë yll qiellor s’ka bukurinë që ka nëna.

Ti nënë, mua bijën tënde, kurrë s’më ke mohuar,

dhe pse prej meje, syri yt ka derdhur lot,

ke pritur si fëmi, të vija një ditë të bekuar,

falmë nënë, që të lash vetëm për kaq kohë!…

 

Mos më thuaj, O NËNË, më dhemb zemra!

Mos thuaj , më dhemb zemra, o nënë, mos thuaj!

Shpata e dhimbjes, më gjakos dhe vuaj…

Erës i lutem t’më çoj , në folenë e vjetër, mua,

t’mos pushoj së thëni: Të dua o nënë, të dua!

Mos thuaj nënë, më dhemb në gjoks, mos thuaj,

aty ndihem foshnje dhe pse tani jam grua,

kur kokën aty mbështes, grindem si atëherë,

kur lashë sisën dhe qumështi më ndillte me erë.

Se aroma e qumështit, më rrjedh buzëve, si vesa,

rrjedh e gjarpëron në damarë dhe eshtra,

mos thuaj nënë, më dhemb zemra, mos thuaj,

jam fryt i barkut tënd dhe si zog i humbur vuaj!…

 

Ti NËNË, zbukuron çdo stinë

Nën gjethet e arrës që bien nëpër erë,

pret nëna ime, duke soditur udhën,

mbi krye i rri një copë diell përherë,

teksa vjeshta ia ngjyros pak rrudhën.

Kur shkel udhën me gjethe të verdha,

ndiej si ulërin malli për të në buzë,

për së largu thërras: Dil nënë se erdha!

teksa loti djeg retinën, si shpuzë.

Pritmë nënë , sa të pi ujë tek burimi!

Të shuaj etjen që më rri ndër buzë,

shpirti të më tretet,sa të më soset durimi,

kur shija e ujit të më mbetet në gjuhë.

Se shushurima e tij, më ndjek në çdo hap

dhe kur më rrëmben era e fëmijërisë,

në kujtime humbas, po udhën e gjej prapë,

për t’u kthyer te gjiri, ku qumësht kam pirë.

Se të gjitha udhët kanë aromën që ke ti,

aromë që vjeshtës ia përtërinë magjinë,

që i ke marrë ngjyrat e ndezura, ajo e di,

për të zbukuruar dhe hijeshuar çdo stinë.