Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Duart e nënës

Ndjesinë që më falën duart e tua,

dy krahë drite mbi rrënjët e mia,

Sigal

s’e kam ndjerë as kur ranë mbi mua,

mijëra rreze dielli qysh nga fëmijëria.

Ç’nuk kanë bërë gjithë jetën të tuat duar!

Kanë lidhur e zgjidhur foshnje me radhë,

djepin e drunjtë kanë tundur papërtuar,

nëpër mjegullat e netëve të dimrave të gjatë.

Dhe pse ato duar janë gërvishur qindra herë,

përkëdheli e ngrohtësi më kanë dhuruar.

Kishin diçka magjike duart e tua ,moj nënë,

ndaj pas ikjes tënde ngrica më ka pushtuar.

Sa shumë përmallohem për të shenjtat duar,

që kishin aromën më të ëmbël të kësaj bote,

shpeshherë nuhas çorapen e papërfunduar,

Ah,nënë, sa e hidhur qenka mungesa jote!

NUK HARROHET PUTHJA E NËNËS

Mbi ballë më ka mbetur ende puthja jote,

se heq dot as uji, as shirat e vjeshtës,

as rrezja e diellit,s’e vyshk dhe po të donte,

se ajo i ka rrënjët në thellësi të zemrës.

Sa stuhi janë munduar puthjen ta përpijnë,

t’ia thithin ëmbëlsinë që ti ke hedhur,

unë e kam ruajtur në dritë e në errësirë,

ndaj medaljon në ballë ka mbetur.

Dashuria ka ngjyrat e puthjeve të tua,

guxon të çel lulen e agimit të bardhë.

Moj puthja e nënës,që në amshim ka shkuar,

o shpirt i gjallë i nënës,që të mbaj në ballë.