Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Kotësi

Gropë i bëtë kolltukët e Port Saidit*,
Orë të tëra, gropë, lëkurë e zezë.
Nuk pushon së rëni zilja e celularit
Kot, fare kot, “bay-ciao” ju është bërë ves.

Thonj të zi, sikur më mbysin në Flag Ship*,
Tek lëpihen mbi syprina xhami gri.
Akrepat e fosfortë te muri cip mbi cip
S’di, nëse kot po rrinë, apo bëjnë dashuri.

Sigal

Tym duhani vesh tavanin e Çollakut*,
Missin ledhaton te lajmet Ora News.
Stresi mal sesi më gërryen prej merakut,
Më mbyt kjo kotësi, më mbyt, mezi e ngrys.

 

Kur të godet rrufeja

Bregut shpejtoje, përmbi rërë,
Sikur të kish rrëmbyer era.
As gjurmët s’t’i shihja.
Shpirt i lindur nga toka dhe uji, sikur ishe bërë,

Flakadan që frymonte drejt duarve të mia.
Ish çasti kur njeriu nga dashuria buis,
Sekondi kur të godet rrufeja, thonë.
Të vjen shkarkimi befas, në kurriz,

Nga lart-poshtë, nëpër kolonë
Dhe copëzat e vertebrave të tua
Me të miat u ngërthyen përgjithmonë.
Ti ishe gjithçka që kam pasur nevojë,

Ti ishe çasti i duhur.
I ngjashëm me lirinë,
Që perceptohet me hapësirën e pafund,
Ku fishkëllejnë avionë supersonikë,

Ku yjet puqen me njëri tjetrin,
Si unë dhe ti në një çast magjik,
Ku asnjë hije s’do ta zerë diellin,
Gjersa ne të bëhemi pluhur.
Ti ishe gjithçka që kam pasur nevojë,
Ti ishe njeriu i duhur.