Dyshime për korrupsion me paratë e taksapaguesve/ Hungaria heton 4IG të kompanisë “One Albania”

Qeveria hungareze ka nisur një auditim të hollësishëm për të gjitha lidhjet pronësore, financiare dhe kontraktuale mes shtetit dhe gjigantit teknologjik “4iG Group”.

Mësohet se, kryeministri Péter Magyar ka ngarkuar ministrat e Ekonomisë, Mbrojtjes, Financave dhe Shkencës në Hungari që të raportojnë mbi gjetjet e këtij kontrolli, mes dyshimeve për korrupsion në dhënien e kontratave publike.

Sigal

Në qendër të hetimit është një marrëveshje 10-vjeçare me vlerë 3.1 miliardë euro me Ministrinë e Mbrojtjes, e nënshkruar në mënyrë jo transparente para zgjedhjeve të fundit, si dhe një tjetër kontratë tjetër kuadër për mbrojtjen që mbetet në fuqi.

Bëhet me dije se, auditimi do të shtrihet gjithashtu në zgjerimin e “4iG”, kompanisë pronare të “One Albania”, në sektorët e telekomunikacionit dhe teknologjisë satelitore, fusha ku grupi ka përfituar kredi shtetërore, porosi publike dhe shërbime strategjike.

Autoritetet theksuan se rezultatet do të bëhen publike menjëherë pas përfundimit të hetimeve, duke nëvizuar se përdorimi i parave të taksapaguesve nuk mund të trajtohet si çështje private. Përmes këtij procesi, qeveria synon të verifikojë mbrojtjen e interesit publik dhe administrimin e burimeve shtetërore, ndërsa konkluzionet zyrtare do të jepen vetëm pas mbylljes së plotë të kontrollit.