Suplementi Pena Shqiptare/ Armida LAÇEJ: Përkushtim për një nënë   

518
Sigal

 Kopshti i ri i fëmijëve u hap. Kudo tullumbace rreth e rrotull. Kënga dhe hareja përhapet në të gjithë lagjen e “21 Dhjetorit”, ku cicërrimat e gëzueshme të vogëlushëve zgjojnë lagjen që në mëngjes herët. Është kopshti që mban emrin e një nëne të nderuar, që gjithë jetën ia kushtoi rritjes dhe edukimit të fëmijëve, është nëna që dekada me rradhe drejtoi “Shtëpinë e riaftësimit mendor të fëmijëve jetimë” si dhe kopështe të tjerë të kryeqytetit. Ti kushtohesh asaj kategorie fëmijësh do shumë dashuri, pasion dhe përkushtim, gjë që nënë Fadile Laçej e kishte në themel të jetës së saj. Ti përkushtohesh atyre fëmijëve, për t’i sjellë në jetë më tërë aftësitë e tyre duhet talent, por talenti buron nga dashuria e madhe që mësuesit kanë për këta fëmijë. Ndoshta dhe duke bërë gjëra të vogla për ta, por me një dashuri të madhe, duke zëvëndësuar mungesat e jetës së tyre, me gjithë atë dashuri që s’ka kufi. Edhe këtë dashuri shumë të veçantë e dhe ti Nënë Fadile, që edhe në fundjavat në shtëpinë tënde i kishe kthyer në kopësht, ku ti së bashku me katër fëmijët e tu, merrje dhe fëmijë kopështi, që të luanin dhe të hanin së bashku me familjen tënde, gjithashtu i shpërndaje dhe në familje të tjera që ata të ndjenin ngrohtësi familjare.

Të japësh dashuri, merr me siguri dashuri nga fëmijët, një dashuri të sinqertë pa kufi e të pastër si bora e malit. Të gjithë, që e njohën Nënë Fadile Laçej e respektonin  shumë, sepse ajo jo vetëm jepte dashuri, por dhe merrte shumë dashuri prej fëmijëve  e prindërve të tyre. Ishin fëmijët e Nënë Fadiles, që së bashku me miq e kolegë vendosen që këtë respekt të veçantë ndaj saj ta transmetojnë, që emri i saj të përjetësohet në jetë, ndaj banesa ku ti jetove u kthye në kopësht që mban emrin e saj, Kopështi i Fëmijëve “Mama Fadile Laçej” me kontributin e katër fëmijëve të saj Armida, Fatmir, Artan e Arben me synimin e një kopështi lider në zonën e rëndësishme të kryeqytetit, “21 Dhjetori”. Po ku buronte kjo dashuri e thellë e tepër e veçantë e kësaj nëne të mrekullueshme? E rritur jetime, që në moshë fare të vogël, mori dashuri nga njerëzit që e rrethonin. Jeta e saj ish kalvar vuajtjesh, përpjekjesh, ku mungonte dashuria e përkëdhelia e nënës, lot me sy që nuk fshiheshin, vuajtje, pjesmarrje si e re dhe në ndihmë të Luftës Nacional – Çlirimtare të vendit të saj, vajzë që me të gjitha sakrificat, e shkolluar, e me të gjitha këto cilësi me rradhë e bënë atë një nënë me emër.

… Udhëtojmë të gërmojmë  në origjinën e saj……

 

E kisha shkelur atë zonë malore, por tani pata fatin që të qëndroj më gjatë, në atë tokë plot jetë e histori, aty ky Fadilja kish lindur e kaluar fëmijërinë e saj ku kish luajtur e vrapuar. Ecja në këtë udhëtim në Dinoshën e largët në malësinë me ullishte, vreshta, fiq e driza. E ndjeja brenda shpirtit se po më trokiste e kaluara, origjina e familjes time. Doja ta njihja dhe pse pak më kishin folur njerëzit nuk donin të kujtonin barbaritë e kohës, e atyre viteve të shkuara, por vetëm ndonjë tepër të moshuari fshehurazi i kisha vjedhur kujtimet teksa i përgjigjej  pyejtjeve të mia kureshtare. Po bëhej muzg, në të errësuar. Më ndihej se dëgjoja britma rrënqethëse…Ç’po ndodh ?…Po janë zëra fëmijesh, ëngjëj të vegjël, të cilët u shkëputen nga duar nënash…. Çuditërisht lotët filluan të më rridhnin, teksa në memorien time po trokisnin copëza historie të dhimbëshme të kohës së mamasë time. Eh, kushedi nënë Fadile sa fëmijë më të vegjel se ty dikur, i ke parë rrugës duke kaluar, e ti mendoje ato vite larg. A e ke fshehur kokën sa herë nën batanije që të mos dëgjoje qarje fëmijësh, a je strukur pas ndonjë peme, që të mos të shihte njëri që po qaje….. a e ke menduar sesi ajo jetë tinzare, e egër, barbare, mori tinëz fëmijë, moshatarë si ti….? Ah, sa do kisha dashur që edhe ti Fadile e vogël të ledhatoheshe në kraharorin e nënës tënde dhe kushedi sa do kishe dashtë me të përqafu, por ajo iku shpejt e të la jetime 3 -vjeçare me 3 vëllëzer të vegjël. Eci rrugëve të kalldrëmta të fshatit e më duket se deri gurët gëzojnë e malet përreth ulin kryet, pse duan të dëgjojnë oshëtimin e gurgullimën e valëve të Cemit që tregon….. Ata flasin, ndoshta tregojnë historinë e shenjtorëve nën tokë. Bisedojnë për brezat që u zhduken, kuvendojnë për gjemat e atyre të shkuara afro një shekull….Flasin për fëmijet e tyre, për breza që u shuan. Zgjimi i ditës  i bën që të ngrihen natën shpirtrat dhe përsëri të kthehen sapo vjen  agimi se vlaga e tokës i mban. Çdo gjë mbi tokë mund të zhduket nga mendjet e zemrat gjaktare, por shpirtrat e tyre që u masakruan, u dogjën e u torturuan, jetojnë e asnjëherë nuk vdesin. Po erresohët dhe muzgu po vjen dalëngadalë dhe më ngjit shkallët e ngurta, të cilat mezi mbahen, një dritare e gurtë e vogël në këtë shtëpi, një botë gërmadha gurësh që duket se rënkojnë….jo jo ato klithin…pse vetëm shpirti i ka mbetur, Një gur i rëndë sikur lëvizi fort dhe unë u ndjeva e tromaksur….Më dëgjon, jam shpirti i Mahmutit, babait  tënd, një copë trupi i prerë. Ishte një vegim. O gjemë e madhe dhe këmbet po më dridheshin a thua….se ish termet. Ishin vitet e errëta 1930-1940, atëherë Mahmuti ishte vetëm 50 –vjeç. Dëgjoj klithma nga gurët, klithmat e fëmijëve që kërkojnë babain e shtëpisë….Mahm—ut , Mahm—ut, Mahm—ut….Ku je?… Me këmbe të gjakosura fëmijët kërkojnë copa trupi, një dorë, një brinjë, një shpatull….Oh, dorë gjakatare…..Shekja, më i madhi i fëmijëve 10 vjeç, tërhiqte Fadilen 4 vjeç se mos i gjente trupin e coptuar babait. Mahm—ut….Ku je? Në s’po të shohim, a thua se kjo dorë gjakatare kish fshirë gjurmët, çetnikët me disa armiq të betuar serbë së bashku zhduknin çdo gjurmë në zonën e Veriut. Një pamje makabre si në pikturën Guernika të Pikasos, si pikturat surealiste të kohës…. Po gurët nuk bëzanin në Kodrat e Malësisë së Dinoshës, e malet përreth heshtnin. Ku jeeee….na fol se të kërkojmë. Haliti më Fikon për dorë rrezoheshin nga gurët e thepisura në gërmadhat e shtëpisë së djegur. Po Fadilja  pse qan e si mundet të vrapoje të gjejë babain ku ja kanë prerë barbarët trupin me shokë, pse mbronin kombin. O zot çfarë gjëmë…të papara e të padëgjuara. – Oh çfarë zije…ku jeni ju…pleqtë e urtë që të ndalonit këtë dorë barbare? Ku jeni ju perënditë që të lëshonit rrufe në male? Pse kjo gjëmë në tokën tonë, në shtëpinë tonë?  Pse kjo dorë barbare, pse mbrojtën tokën tonë…shtëpi të rrënuara, në majë të kodrës, trarë e çati të shkatërruara. Ehh…Abdiajt, Lulgjurajt, Haxhiselovët e sa e sa pjestarë të tjerë u zhdukën e u sakatuan. U largua nga shtëpia Fadilja vetëm 6 -vjeçare, me kokën mbrapa, duke lënë 4 vëllezërit…Shekja, Haliti, Gania, Fikja, se jeta nuk i mbante dot, se fati i mbrapshtë i solli ashtu të rriteshin në dyer të ndryshme, jetimë pa nënë e baba, që në moshë fare të vogël…Fëmijëri e hidhur, pa përkëdhelje, vetëm lot, fëmijëri e zhuritur që në agim, fëmijëri që bisedon me shpirtrat e prindërve e gjyshërve. Heshtnin malet përreth e s’tregojnë dot, përkulen me qetësi se vështirë të tregojnë fatin e tyre, çka panë e çka kaluan. E lulet e shegës kanë çelur me ngjyrën e tyre të kuqe të zjarrtë, sikur duan ti japin gëzim natyrës së ashpër përreth. Ehh këto male të heshtur, por krenar…kanë çfarë të tregojnë….. Ushtonin krismat e jatagonit të gjysh Abdiut që edhe i plagosur qëllonte që të mbronte në kështjellë gratë nga armiku, mos ti përdhunonte. Kohë e largët por e bukur për t‘u ditur… Dhe populli e përjetësoi dhe i këndoi udhëheqësit të saj krenar…..

Abdi Gruda ku u tret në Varosh po qet kuletë….

E Fadilja e vogël me 4 vëllezërit e tjerë i dëgjonte netëve pranë oxhakut, kur baba Mahmuti i tregonte për bëmat e Malësisë se Trieshtit, Taraboshit e Dinoshës etj etj. të babait të tij me shokë,  të burrneshave të Malësisë të asaj zone, pjestarë të familjes Abdia si Trina Smajli, gruaja burrneshë e alpeve, gruaja me xhubletë veshur e me armë mbërthyer. Heronj të fortë si shkëmbinjt e natyrës, që i rriti e i mbajti. Kujtime, histori e shkruar dhe e pashkruar e njerëzve të thjeshtë krenar pa fjalë të familjeve malsore fisnike, që mbrojtën kombin me çdo çmim. Ata kanë gjurmë në gurët kilometrike të historisë së vendit tonë. Ky udhëtim shumë befasues më mësoi se pa ditur, të shkuarën tënde, s’mund të dish të tashmen, por edhe të ardhmen ku do të shkosh. Gurët e kalldrëmit sikur më thonin kërko të njohësh, pse ato janë themelet e tua. Tani e vetëm tani, unë e kuptoj pse jeta kur të përplas fort, ajo të jep atë optimizëm të rrallë që kishe ti Nënë Fadile. Sot në përvjetorin e ikjes së Nënë Fadiles, nuk përkujtohet vetëm bija e Mahmutit dhe Havushës, as nusja e Laçejve, as Mama Fadile e fëmijëve Armida, Fatmir, Artan dhe Arben, por sot  përkujtohet Mama Fadilja e fëmijëve që u kujdes aq shumë për ta dhe gjithë jetën ja kushtoi atyre duke derdhur tërë dashurinë për rritjen e këtyre fëmijëve. Ndaj Kopështi i Fëmijëve  „Mama Fadile Laçej“, kopështi që mban emrin e saj ka objektiv që të bëhet një kopsht lider  në  Tiranë, nën kujdesin edhe te motrave të palodhura Mersini.  Të faleminderit për krenarinë që na dhe ne, fëmijëve të tu, dhe kushdo tjetër që të njohu dhe mirënjohje të thellë për punën dhe fisnikërinë tënde të rrallë. E gezofshin  vocërrakët kopshtin ku do ndjehen si në shtëpinë e tyre e do mësojnë duke luajtur.  Le të jetë ky shkrim një tufë lule në banesën e saj të përjetshme.

Armida LAÇEJ

e bija