Fytyrë e bukur dikur, tani stigmatike.
Në gjurmët e tua gjej vrasjen që të kanë bërë.
Ne gratë që i humbe, që i braktise, a shpëtuan
duke ikur prej teje, për të mbetur gjallë
diku në lëmoshë ndjenje?
Fytyrë e bukur dhe sot, me gjithë prishjen, dyshimin,
dekompozimin, trup që zvarrisësh e birresh në tokë të mallkuar.
Mase vigane dhe e dëshpëruar njëkohësisht.
Një vath në vesh-diç ja nxit kotësisë kuptimin.
Çdo ditë humb diçka nga çiltërsia e yllit,
vërvitesh në rërë.
Çdo natë fiton diçka nga pamortësia e vdekjes.
Oh, tani që po shuhesh, ndërsa vazhdon akoma të shuhesh.
Vervit në ajër tentakula të tmerrshme vetmie të shthurur
me lak fshikullues kap, tërheq e shtrëngon,
robëron me buzët sterile, trupin e pandjeshëm.
Shpesh kam rënë në gjurmët e bjerrrjes sate, shfrimit.
Mënyrës së tërthortë të shfaqjes, helmimit;
fshehjes, sofizmit, lëkundjes, së paqenë.
Ndjenja luksoze, në esenë shkatrruese;
grryejnë si macet gjire grash të lëna.
Rrugëhumbur i bukur që vazhdon të humbësh,
që di të sillesh, por që etika s’ta përmbush dot shpirtin.
Jam jotja, më ke, gjithmonë më ke pasur,
mbështetje, frymë, shteg në rrugë pa krye,
Por ti s’e kupton, ngaqë je gomar,
dhe ky është shkaku
që unë të dua tmerrësisht.