Suplementi Pena Shqiptare/ Miltiadh Davidhi: Pylli i fëmijërisë

89
Sigal

Pylli i fëmijërisë

Zëri im!
Bëhu erë, krahë drite,
e fluturo në pyllin e fëmijërisë.
Mes ëndrrave tona të shkuara,
e thirr, atje,
emrat e shokëve dhe shoqeve:
Petraqin, Lefterin, Shpresën, Aretinë,
Kristinën, Aleksandrin,
Trifonin, Manolin…
Të gjithëve, të gjithëve,
dhe të atyre që janë kthyer!
Në zëra të heshtur,
e trishtime nate.

Shtro një gazetë si dikur
kur studjoje për provimet e gjimnazit.
Në pyllin e Zhymit,
mbi vesën e barit të kujtimeve.
Që të mos lagesh,
e lexo zërat e bilbilave.
E më pas luaj me shokët me top llastiku,
e thirrua emrat fort, fort,
se ti je, po ai djalë i ri, zëri im,
Dhe zërat e tyre
janë ende zëra të rinj.

Ndonëse, ndonjë është shndërruar
në trëndafil ajri të padukshëm,
e mërmërimë ere mbi pllakë varri,
dhe shpon me gjemba dhimbjesh!
Po ti, thirrua,
thirrua, emrin me mall,
e mos qaj. Bëhu i fortë!

Kujtimet si drurët e pyllit po të presin,
se ata drurë ende të pa prerë
nga sopata e kohës, jemi ne!
Dhe janë po ata bilbilat e djeshëm,
që na përgjërohen e këndojnë
mbi degë trishtimesh,
e lotë në sy
për kohën e shkuar.

E ti, je po ai djalë i ri, zëri im,
dhe zërat e tyre
janë ende zëra të rinj
dhe, pse, mjerisht,
pylli i fëmijërisë sonë,
si pylli i Zhymit sot
i ngjason një qielli
të braktisur prej yjeve.