Suplementi Pena Shqiptare/ Martin Cukalla: Ese për Leonidha Mërtirin dhe librin e tij  

402
Sigal

Si dhe jeta e njeriut, jeta e një shteti është dramatike dhe interesante. Lindja përcakton ecurinë buzë gremine, fëminija e hershme formëson tiparet, profilin, karakterin. Dhe historia nuk është gjurmë, në fund të fundit ajo ka mbrujtur brumin ku interesat globale të një çasti mund te ngrejnë në këmbë një shtet… “Një diplomat i Tiranës në Shkup!”, -Leonidha Mertiri i flakur nga rastësitë e disa zhvillimeve dramatike të jetës së vet, gjendet në çastin e duhur dhe në vendin e duhur:  Në një nga sheshet e fushëpërplasjeve të shpërbërjes së Jugosllavisë!  Një divorc dramatik ky, ku Maqedonia, sipas faktorit ndërkombëtar, mund të ishte një atentat sarajevas për një luftë të re botërore. Një nyje gordiane e përbërjes ballkanike të popujve, ku sejcili fqinj kërkonte fisin e vet të qenë a të pa qenë; dhe ku etja për pushtet e disave, synonte në shtigje lufte të vërtetë të krijonte monokombin; si francezët dikur e turqit e rinj më pas; dhe ku flakët e luftrave shfarosëse do të çfaqeshin mbrëmjeve të mëvonëshme diku në veriperëndim, thuajse mesjetare: një përzierje e fesë dhe e fisit.  Punon paprerë L.M. e lufton paprerë: ndjek, kqyr, studion, arrin në përfundime dhe vepron me energji e squarsi të çkokoleps çështje edhe kur janë mbi fuqitë e tij. Dhe shënon në fletore çka ndodh e çka sheh e dëgjon: ngjarje, bëma, portrete… Dhe ja, pas sa e sa vitesh, përmes tyre na shpalos në një libër me një koperturë fine, zhvillimet e jetës së Maqedonisë së Veriut në fillimet e veta shtetformuese dhe demokratike.  Gjithçka në brendi e kthjellët, e sinqertë, spontane, siç është shënuar atëmoti!  Komplekse dhe dramatike ngjarjet, kërcënuese deri në asgjësim; të paqta a të egra; tinzare e dredharke apo të hapta e të çiltra, objektivisht të spastruara nga mëritë e tepërta, vulgartiteti dhe helmet, lëvizjet e grupimeve social-politike e nacionale gjejnë vendin e tyre, në 275 faqe libër që lexohet me një frymë. Me një kulturë për t’u admiruar, Leonidha Mëritiri edhe pse tip emocional, shmang çdo kurth pseudonacional a pseudolufte me të keqen nga çdo kush i del përpara dhe për sejcilin që i del përpara, sa ndonjëherë të vjen të flakësh librin në ndonjë qoshe.  Nuk e bën, përkundrazi përpin faqet njera pas tjetrës, të vjen keq që libri mbaron aq befasisht dhe admiron autorin për moralitetin e lartë të nëpunësit që çfaq, pamje e rrallë në shtetin e ri shqiptar, nëpunës që punon ndershmërisht i përkushtuar dhe me shumë qetësi e devocion edhe në zgjidhje situatash të pështira a të rrezikshme kombëtare, edhe në çaste dramatike që i krijohen atij vetë… Dhe nuk shpreh ai asnjë nga ndjenjat negativiste që i burojnë vetiu njeriut kur ka përpara emra a njerëz të përçunduar nga interesat e pushtetit të vet a të grupit që përfaqësojnë.  Nuk është vetpërmbajtje kjo, është kultura e sjelljes që duhet të zotërojë çdo njeri që punon në diplomaci po e po, por edhe në administratën tonë shtetrore.  Mënyra për si është shkruar ky libër, është një shembull qartësisht ekselent i shmangies nga përditshmëria e jetës publike të gjuhës së rëndomtë të urrejtjes dhe paraqitjes së situatave sociale e politike në konturet e modernitetit dhe në rrugën më bindëse e më reale të mundshme. Rruga është e pastruar!  5 Korrik 1992, ora 22 e 30 minuta. Në shtëpinë time modeste, në rrugën “M.Matohiti”, përgatiteshim të hanim darkën edhe më modeste. Troket dera. E hap. Komshiu i një kati më sipër MM, mjek, me zë të tronditur: “Të kërkon Loni nga spitali!” Unë: „Po ne sa u ndamë tek Piramida!…Ç‘do ai në spital?!… Pse nuk merr në telefonin tim?..” Mjeku: “Eshtë aksidentuar e shoqja…duket se është rëndë…”

E pabesushme. U hutuam të gjithë. Unë dhe ime shoqe u veshëm shpejt e shpejt. “Rregullohuni si të mundeni!”, -u thamë fëmijëve. Nuk bëzajtën në qoshkun ku ishin mbledhur të katër gojëkyçur e të tronditur.  Në këmbë nga rruga e Elbasanit në Spitalin 2. Atëkohë as që bëhej fjalë për urban! Rrugët ishin të zbrazura dhe në terr. Plepat e zinj të anë Lanës formonin një bllok të pandërprerë. Më tej zymtësia e pallateve që fshihnin Dajtin, ankth, ecje e nxituar, pa fjalë… Dhe më në fund muri i spitalit, porta e pandriçuar e Dyshit, oborri i gjerë, deriçka në fund nga buronte drita e zbehtë e koridorit.  Aty qe Loni dhe të afërmit e tij.  I dërmuar, sigurisht i dërmuar: Në një çast sa një shkrepje vetëtime, ishte thërmuar krejt dashuria e zjarrtë e jetës së tij!

Ai nuk e besonte!  Ngatërrohej, fliste në makth: Do ta kalojë!, -thosh…Më kaloi mbi gishtrinjtë e këmbës! Shtyu Donën!…Pse nuk më goditi mua?…Ajo ra…ja e shoh dhe tani duke rënë… qe kthyer nga unë e ra me kokë. Edhe unë po bija!… Kurkush aty, asnjë njeri!… E mora në gjunjë kokën e saj…Ajo nuk fliste! Asnjë zë!..Unë thërrisja: Ndihmë! Më ndihmoni! O  njerëz!…Kurkush nuk ndihej! As polici i Hotel Dajtit nuk ishte aty atë çast… Vonë, sa vonë erdhën njerzit! Dhe ja!..  Ime shoqe kishte pas hyrë në spital dhe dolli e zbehte si kartë. Lexohej qartë brenga. Disa hapa mënjanë: Nuk është më Dona!,- tha dhe qau. Ishte e pamundur të dërgoje Lonin në shtëpi. Nuk e pranonte të vërtetën, nuk besonte se… Një natë e gjatë tmerri! Vetëm kur po zbardhej u bind. I ishin shterur forcat. Nuk po mundej të qëndronte në këmbë, dhe as të fliste. Nuk kuptohej çfarë pëshpëriste me vete…. Aksident apo atentat?  Eshtë një pyetje që më lindi ato çaste, pyetje që u shtrua dhe jo vetëm nga unë, pyetje që nuk mori kurrë një përgjigje!  Cilado qoftë përgjigja, duhet të ketë një përgjigje: ESHTE! Nuk është! Në Tiranën e asaj kohe ishin a s’ishin 100 motoçilketa. Njera erdhi nga terri në Bulevardin bosh me shpejtësi skëterre dhe, pas kthesës në Urën e Madhe, u turr e u fut midis një çifti që ecte tërthor për të dalë në hyrjen jugperëndimore të Parkut Rinia, ende i papopulluar nga ndërtimet ky.

Bulevardi i gjerë bosh fare, fare bosh! Askund njeri! Vetëm një çift që priste tërthor, qetësisht, ngadalë. Motoçikleta kalon mbi gishtat e këmbës së djathtë të burrit dhe përplas në tokë e shtyn gruan, godet bordurën e trotuarit aty përpara Hotelit që përgjithësisht ruhej me polic e përmbyset duke lenë aty copëra të mbulesës së përparme. Dëgjohet një zë: Çohu shpejt!.. Dhe motoçikleta fluturon sërish drejt qendrës kryesore të Tiranës. Sërish në terr! Leonidha Mërtiri atëkohë pasreforme, mbulonte i vetëm çështjet e ish Jugosllavisë në Ministrinë e Jashtme.  Përgatitej ndoshta Dosja për Kosovën sepse ishte qartësuar që gjatë Gushtit do të zhvillohej një Konferencë për vendet e reja që po dilnin nga ish Jugosllavia. Diç më parë qenë përjashtuar nga diskutimet ndërkombëtare dy krahinat autonome, pra dhe Kosova…. Fqinjët e ish Jugosllavisë do shpreheshin për interesat e tyre…  Ditëve të Konferencës, delegacioni i Kosovës lihej rrugëve të Londrës…  Presidenti i Shqipërisë vizitonte Kuvajtin…  Unë shpija në gazetën “Bashkimi” artikullin: “Çështja shqiptare sërish e tradhëtuar!”, nuk do të më botohej! Pas disa ditëve do të lexoja në atë gazetë një shënim të shkurtër të një farë M.E. ku flitej për romantizëm patriotik e njerëz që nuk merrnin parasysh se pozita gjeografike e politike e Shqipërisë nuk kishte si dikur asnjë farë rëndësie strategjike për Evropën…rruga lindje –perëndim nuk kalonte më këndej pari!!!  Pak pas kësaj, Leonidha Mërtiri dërgohet në Maqedoninë e shpallur shtet më vehte, ku e lenë të punojë një vit.  Dikush e akuzon për “grek!” dhe mandej… e nxjerrin në asistencë??!! Tani në dorë kemi librin e tij të vlerë:  Një diplomat i Tiranës në Shkup. Urime Leonidha!