Dita e nëntë e grevës, gratë naftëtare: Edi Rama të dërgojë një grup negociator

290
Sigal

Naftëtaret e Ballshit ndodhen sot në ditën e nëntë të grevës së urisë.

Mësohet se është rënduar gjendja e tyre shëndetësore. Gratë kanë temperaturë, rrahje të forta zemre, dhimbje koke edhe të vjella.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme janë dërguar në spital dy gra dhe pas marrjes së mjekimit janë rikthyer sërish në grevë. Pranë tyre ka shkuar edhe një ambulancë, por ato refuzojnë që të marrin sërish mjekim.

“Po na vijnë përfaqësues të bankave ku jemi debitorë. Rama të dërgojë një grup negociator. Kërkojmë rrogat e prapambetura dhe rifillimin e punës. Kemi fituar gjyqin për marrjen e pagave, pse nuk po i marrim?

Do të vazhdojmë grevën se nuk kemi ku të shkojmë. Kryeministër çfarë të kushton që të vish me grup negociator? ”, është shprehur një prej grave.

Naftëtarët e Ballshit kanë dalë në protestë që prej 25 ditësh ku protestojnë për të marrë pagat e tyre të prapambetura dhe rifillimin e punës, por zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe kështu morën aktin ekstrem.

Fillimisht u futën në grevë për burrat naftëtarët dhe më pas këta u zëvendësuar nga gratë, pasi u rëndua gjendja e tyre shëndetësore.

Pak ditë më parë, kreu i sindikatës Sokol Dautaj së bashku me disa naftëtarë zhvilluan një takim me përfaqësuesit e uzinës së përpunimit të nafës në Ballsh, por takimi nuk ka përfunduar me sukses.

Sipas Dautajt në takim u dhanë vetëm premtime boshe. Rama u kërkon që të ndërpresin grevën dhe të ulen me të në tryezë për bisedime.