( Tek muzeu i ikonave në Korçë.)
Në gjumë, harresës, ndër shekuj e fjetur,
u shfaqe e more sërish frymë.
Nga sytë e botës, s’mbete e fshehur,
si një diamant rezëllitës mbi brymë!
Enigmën le pas, të ruajtur ndër kohra.
Sytë, ç’vështrim vallë fshehin?
S’të venitën stinët, rrebeshet e bora?
Mrekullitë ringjallen, nuk vdesin.
Nën shtrojë krezmuar, nën gurë e fshehur,
kishës rrënuar, harruar.
E mbetur errësirës, nga lotët e ndjekur
ti, ikonë, hyjnore e çmuar!
Në ngjyra të ndezura, të ylberit e zjarrit,
s’di ç’zemre piktori ti ishe?
Të la amanet, larg territ e djallit,
besimit në Zot dhe kësaj kishe.
U rinove freskimit në ar e në dritë;
më e bukur ndaj çdo hyjnie.
Kush të pa e s’la mëndjen e sytë
bekimit të gjithë perëndive.
U pagëzove me emrin “Mona Liza “e Ballkanit.
E magjishme mes mijra ikonash,
relike e vyer, ju shtove gjerdanit,
shkëlqimit, ndër vite e kohrash.