Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S. Qazimi: Celulari dhe Buzëbardhi i Meços

136
Sigal

 

-ngjarje e ditëve tona-

Kisha dy muaj që, kur formoja numrin e telefonit të Meço Ledhit në fshatlindje, më delte me zë vetëm fjalia”Personi të cilit po i telefononi, mund të ketë fikur telefonin”. U bëra merak, por përsëri te telefoni do të falesha sepse të shkosh atje nevojitet aq naftë sa …për të blerë një aparat  ajfon’ të ri. Kur një ditë më të errur më del Meçua. – Tungjatjeta, o Meço! -Tungjatjeta e mirë se më erdhe- ma ktheu ai! Më pëlqeu shumë kjo përshëndetje dhe i thashë: të faleminderit, por po të flas nga kryeqyteti.- E di more e di, po mua tani nuk më vjen njeri këtu… prandaj rroftë kjo kutia e fllashkët që më mban lidhur me zërat që m’i ka qejf veshi. Folëm për shëndetin e pjesëtarëve të familjes, bimët, rrushtë, mollët, shiun e thatësirën dhe na i preu bisedën në mes një e pallur e fortë gomari. – Mbylle mor të çaftë ujku! – i thirri kafshës emblematike të popujve të rruzullit, që më shumë më trembi mua, këtu në Tiranë se sa atë atje pranë. Dhe tani bisedën Meçua e ktheu tërësisht në tjetër kahje. Nisi të më rrëfente diçka, por unë e ndërpreva: “A ke ofertë, o Meço? Mbylle se të marr unë”! Por ai i preu drutë shkurt:”kam” dhe vijoi: “Ky është gomari i dytë që kam blerë këto dhjetë vitet e këtejshme të demokracisë. I pari më ngordhi duke u venitur, qysh në moshën tetëvjeç. Pa u plakur. Bëja çudi me të se kur ishte i lirë ai bënte dashuri me gomaricën e Sose Kalidhes. Takoheshin me sinjalet e të pallurit, gjuhë që vetëm ata e dinin. Ramë dakord me pronaren që ajo të mos paguante për shërbimin që i kryhej gomaricës nga Buzëbardhi im dhe ajo polli disa kërriça. Mirëpo Sosja një ditë e shiti kafshën e saj. Buzëbardhi im me sa duket e ndjente mungesën e “të dashurës”, por fundja kush do t’ia qante hallin? Në fshat kishte hajvanë të tjerë vetëm mushka dhe kuaj. Ai nuk pëlliste më si dikur. Por një ditë, kur më dërgoi djali një celular të ri, dhe dikush po më kërkonte, unë u ndodha hipur mbi gomar. Kafsha besnike dhe shumë punëtore sa dëgjoi tingujt e ziles së celularit u hodh pak përpjetë dhe nisi të pallurit si rrallë herë më parë. Prita sa mbaroi ai dhe nisa bisedën me mikun e largët. Kështu më ndodhi edhe në mbarim të udhës hipur, kur pas ziles doli emri i djalit në celular. Gomari nuk ndalonte të pallurit. Vazhdoi jeta si përvit por gomari im po dobësohej edhe më shumë. I kish ikur oreksi, kish shenja të shpeshta lodhjeje dhe po dobësohej. Vura re se herë që ai dëgjonte tingullin e ziles së celularit tim, ai niste ritualin e të pallurit deri në fund të frymëmarrjes së vet. Vrava mendjen por nuk gjeja asnjë shteg që të më bindte se çfarë kishte kafsha e gjorë, që më kish shërbyer aq vite me përkushtim të rrallë. Shkova në bashki dhe kërkova ndihmën e një veterineri. I tregova çfarë dija për shëndetin dhe ecurinë e gomarit. Pasi e vizitoi, pasi bëri edhe provën me zilen e celularit tim dhe e pa se si reagoi gomari kur dëgjonte ato tinguj që kishte muzika e celularit tim, veterineri, i habitur hodhi si version se tingujt e asaj zileje atë e shqetësojnë shumë. Më dha një recetë për ilaçe( se helbete donte edhe ai  shpërblimin e vet) dhe iku pa më thënë më tepër. Ilaçet ia jepja rregullisht, mirëpo ditët e jetës së Buzëbardhit tim u sosën. Ai ngordhi një të premte me mjegull e shi të imtë. Tha gruaja:”edhe moti po qan për këtë kafshë punëtore”. I vrerosur për këtë humbje shkova në cep të varrezave të fshatit, jashtë gardhit, hapa një gropë të madhe dhe duke e tërhequr zvarrë deri atje, e varrosa duke e mbuluar me sa më shumë dhé, që të mos kenë mundësi qentë të punojnë mbi të. Më dhimbsej shumë se e kisha ortak në tërë punët e ngarkim- shkarkimit të pronës dhe tërë familjes. Më duhej që të bëja hesap të blija një gomar tjetër. Ditë më pas, më merr në telefon veterineri dhe më pyeti për shëndetin e gomarit. “Më la,”- i thashë! Veterineri shkurtazi më tregoi se zilja e celularit tim atij i ka sjellë shumë shqetësime nervore…Nuk i zura besë, por kur më tha se ” ajo zile nxjerr tinguj që kanë ngjashmëri me të pallurën e gomaricës… e cila e ftonte Buzëbardhin për të bërë dashuri,” u binda. Mjeku veteriner, siç më tha në telefon, kishte studiuar këto ditë për këtë rast dhe nisi të më shpjegonte për instinktet, emocionet, veprimet e kushtëzuara e të pakushtëzuara të kafshëve njëthundrake, por unë jam fshatar, ndaj e ndala të mos harxhohej më tej. Celulari, thashë me vete, duke shfrytëzuar dashurinë, paska fuqi vrasëse edhe për kafshët e jo më për njerëzit…Po shkoj t’ia ndërroj zilen që të shpëtoj Buzëbardhin e blerë rishtaz.”