Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Jehona e karvanit të Shkrimtarëve “Muza e Alpeve 2019“

705
Sigal

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”që nga themelimi i saj, më 2013-n ka krijuar një traditë të bukur e frytdhënëse, në promovimin dhe glorifikimin e vlerave të letërsisë shqipe, të shëmbëlltyrave të kësaj letërsie, që i shërbejnë historikut të letërsisë shqiptare dhe njerëzimit. Shkrimtarja, themeluesja dhe organizatorja e 7-të edicioneve “Muzat e Alpeve” të Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta”, znj.Ajete Beqiraj, shprehet e emocionuar për misionin e lartë të kësaj shoqate,që tashmë është një zë i fuqishëm në historikun e shoqatave të shkrimtarëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Kosovë, Shqipëri e Diasporë. “Si ideatore dhe themeluese e shoqatës “Teuta”, shprehet ajo, kam punuar me përkushtim në çdo manifestim letrar, në hartimin e projekteve, në organizimin, koordinimin dhe menaxhimin e karvanit të shkrimtarëve”Muzat e Alpeve”. Pavarësisht vështirësive, Shoqata “Teuta” duke pasur në gjirin e saj shkrimtarë dhe poetë të shquar nga mbarë trojet etnike, është fuqizuar, frymon, rritet e lartësohet, duke ndërtuar përmes kulturës dhe artit të fjalës së shkruar “ura” edhe aty ku s’ka lumenj, nëpër të gjitha hapësirat shqipfolëse ilirike. Shoqata “Teuta” po jep një kontribut të çmuar jo vetëm në njohjen dhe shpërfaqjen e vlerave të artit të letërsisë shqipe, por dhe njohjen e vlerave të letërsisë së popujve fqinj dhe bashkëpunimin reciprok me figurat e shquara të letërsisë së këtyre popujve. Në lidhje me aktivitetet e kësaj shoqate, znj. Ajete shprehet se karvani i shkrimtarëve “Muzat e Alpeve”, që nga themelimi i “Teutës” ka shtrirë aktivitetin e vet në 16 komuna dhe bashki të tri shteteve: Kosovës, Shqipërisë e Malit të Zi, përkatësisht në qytetet: Pejë, Deçan, Kotorr, Bajram Curr, Rozhajë, Junik, Guci, Istog, Shkodër, Tuz, Gjakovë, Ulqin, Tivar, Lezhë dhe Prizren. Në manifestimin letrar tre ditor, që u mbajt nga data 29-31 gusht të këtij viti, në qytetet Tivar, Lezhë dhe Prizren, me pjesëmarrjen masive të krijuesve nga tri shtete Kosova,Mali i Zi dhe Shqipëria, u vu theksi mbi vlerat letraro-artistike e kulturore, të letërsisë së këtyre vendeve. Mrekullisht u përcoll mesazhi se sa më shumë të vlerësojmë artin e mirëfilltë dhe krijuesit që mbartin vlera universale, aq më shumë fuqizojmë rrënjët e lashta të letërsisë kombëtare, forcojmë lidhjet kulturore me popujt fqinj, duke fuqizuar në këtë mënyrë, “urën e artë” të letërsisë, që lidh shpirtërisht këto tri shtete, nëpërmjet fijeve magjike të fjalës së shkruar poetike. Hapja e manifestimit letrar “Muzat e Alpeve” në Tivar, qytet bregdetar, në jug të Malit të Zi,solli risitë dhe frymëmarrjen e gjerë të letërsisë bashkëkohore shqiptare dhe asaj malazeze. Në viset e Tivarit, gjurmët që të çojnë në udhët Ilirisë së lashtë, dëshmojnë për kulturën dhe vitalitetin e një populli të lashtë sa vetë Ballkani. Në membranën e ajrit të freskët të mbrëmjes poetike, klithmuan shpirtrat e masakrës së pranverës së vitit 1945,që njihet me emrin “Masakra e Tivarit”. Në veshin e mbrëmjes oshëtiu zëri trimëror i Skënderbeut,tingujt hyjnor të vargjeve shpirtërore të poetit Esad Mekuli. Përmes atmosferës së ngrohtë u promovuan librat dy gjuhësh: “Unë, biri yt dhe poeti” “Ja tvoj sin i poeta”, me poezi të zgjedhura nga Esad Mekuli, përgatitur me përkushtim të veçantë nga akademiku Zuvdija Hoxhiq (Berisha), si dhe poema dramatike “Gjergj Kastriot Skënderbeu i autorit Xhevat Limani, i cili gjatë recitimit të një monologu nga kjo poemë, përcolli emocione të veçanta tek të gjithë pjesëmarrësit. Manifestimi poetik “Muzat e Alpeve”, në Tivar përmbushi me sukses objektivat e shoqatës “Teuta”,për të vazhduar më tej misionin e kësaj shoqate në qytetin e Lezhës, në këtë qytet ku edhe njerëzit e thjeshtë zgjohen me gurgullimën e vargjeve me përmasa homerike të poetit Gjergj Fishta. Në vijimësi të manifestimit letrar në Lezhë, Shoqata Rajonale “Teuta” në bashkëpunim me Klubin Letrar “Ndoc Gjetja”, organizuan mbrëmjen poetike kushtuar njërit prej figurave të shquara të letërsisë shqipe, poetit dhe përkthyesit Visar Zhiti. Studiuesi, profesori e poeti Agron Tufa, si dhe shkrimtari i shquar malazez Mirash Martinoviq, vunë në dukje vlerat e veçanta të këtij krijuesi, simbol i rezistencës morale e intelektuale, që nëpërmjet artit i përcjell shoqërisë dhe brezave tragjeditë e një kohe që vrau shpirtin e lirë të një kombi të përgjakur nëpër rrjedhat e historisë. Shkrimtari Zhiti është vlerësuar me disa çmime në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj, për veprat kreative, që padyshim janë thesare të çmuara në panteonin e letërsisë shqipe. Krijimtaria e shkrimtarit Visar Zhiti, e përkthyer në disa gjuhë,ia ka arritur qëllimit të zhys lexuesin në burimin e eternitetit të saj.

Mbrëmja poetike kushtuar krijimtarisë së shkrimtarit Visar Zhiti, përkëdheli me diellin e poezisë, muzgun e kësaj mbrëmje gushti, duke lënë pas jehonën e fjalës së bukur poetike në viset e Lezhës, për t’i dhënë forcë muzës së poetëve të këtij qyteti historik,t ë cilin kronikania dhe eruditja bizantine Ana Komnena, në shek. XII, e quan “një qytet që qëndron në ajër”,kurse Fishta e pagëzoi “Mrriz i Zanave”, duke i dhënë përjetësi ekzistencës së tyre. Ky qytet i lashtë, që frymon nëpërmjet mushkërive të vargjeve të Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, dhe të plejadës së shkrimtarëve e poetëve bashkëkohor, përherë ka dëshmuar vlerat dhe kulturën e një populli mikpritës e artdashës. Ditën e tretë, karvani i poetëve “Muzat e Alpeve “ udhëtoi drejt Prizrenit, qytetit të lashtë historik, pranë Lumëbardhit, nën pamjen piktoreske të Sharrit. Manifestimi letrar u prit ngrohtësisht në këtë qytet me tradita të veçanta kulturore e historike. Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” tashmë ka krijuar një traditë të bukur në ndarjen e Çmimit për Veprën Jetësore për shkrimtarët e shquar, që kanë dhënë kontributin e çmuar në letërsinë e tri shteteve Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë. Në këtë mbrëmje gala, akademikut dhe shkrimtarit nga Mali i Zi, Zuvdija Hoxhiq Berisha, i është ndarë Çmimi për Veprën Jetësore “TEUTA”. Emri i tij tashmë radhitet në panteonin e artë të letërsisë, përkrah emrave të shquar Jevrem Brkoviq, Dritero Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq dhe Moikom Zeqo. Për figurën e akademikut Zudvija Hoxhiq Berisha, poeti malazez Dimitrov Popoviq, vuri theksin mbi vlerat akademike dhe krijuese të këtij shkrimtari,me përmasa ballkanike. Çmimin në emër të Shoqatës “Teuta”, akademikut Hoxhiq Berisha ia dorëzoi ish-ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Skënder Durmishi, i cili i emocionuar u shpreh, se për të ishte nder i madh t’i dorëzonte çmimin laureatit Zuvdija Hoxhiq Berisha. Akademiku Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për vlerësimin e lartë, që i bëri Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta”, si dhe u shpreh se ishte krenar që ishte shqiptar me rrënjë stërgjyshore nga Kosova. Në vijimësi u shpreh se, çmimi ka një domethënie tejet të madhe për mua, sepse është akorduar nga një shoqatë tre-kufitare me emrin e mbretëreshës ilire Teuta, e cila i ka vënë vetes qëllimin fisnik të njohjes së ndërsjellë të letërsisë, si dhe të përafrimit më të madh të popujve tanë fqinj nëpërmjet kulturës. Diçka që ka munguar deri më tani por që po realizohet me shumë sukses”. Në vijimësi të manifestimit letrar u bë promovimi i antologjisë poetike, produkt i frytshëm i pesë laureatëve të Çmimit për Veprën Jetësore”Teuta”. Në lidhje me vlerat dhe rëndësinë e antologjisë “Muzat e Alpeve” poeti dhe studiuesi Agim Vinca, bëri një analizë të hollësishme të saj, të cilën figurativisht e quajti “një Olimp të vogël letrar”.

Në përfundim të këtij manifestimi letrar, znj.Ajete shprehu mirënjohjen ndaj institucioneve mbështetëse, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Kosovës, me ministër Kujtim Gashin, Bashkisë së Lezhës, me kryetar Pjerin Ndreun, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të komunës së Pejës, me drejtor Engelbert Zefaj si dhe Komunës së Prizrenit, për mbështetjen e aktiviteteve të “Muzave të Alpeve 2019”, si dhe të dy botimeve të para të “TEUTËS”: “Muzat e Alpeve”/”Alpske Muze”, Çmimi/Nagrada “TEUTA” (2013-2017) dhe poemën dramatike “ĐERĐ KASTRIOT SKENDERBEG” .Për planet për të ardhmen e Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “Teuta” znj Ajete Beqiraj, vuri theksin mbi vazhdimësinë e rrugëtimit të karvanit të shkrimtarëve “Muzat e Alpeve” nëpër të gjitha hapësirat ilirike, duke vlerësuar shkrimtarët e vjetër dhe të rinj, nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova, të cilët kanë kontribuar në njohjen e kulturave tona, në këmbimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, duke synuar integrimin evropian në fushën e letërsisë.