Suplementi Pena Shqiptare/ Lulzime Malaj: “Madame Butterfly”

73
Sigal

Ai, ishte një virtuoz i çmendur, violine,
në një shesh, luante ca shkallëve lart.
Jehonin notat, si në koncert me harqe;
aty ish’ Beethoven, Puçini e Mozart!

Ai, bëhej stuhi sa her’ kërcisnin shkallët,
nga këpucët e një zonje me taka t’larta,
ndoshta ajo, me të ish dashuruar ndaj,
ia griste akordet me këpucët e kaltra!

Ajo, seç kishte diçka, si krizantemë…
syt’ e ëndërrt blu dhe ecte mbi taka,
ai xhindosej, kur dëgjonte kërcitjen e tyre,
gati i priste telat, në kohën dy të katërta’!

Dhe ëndrrave i dilte, si sirenë, fluide,
befas kërcente sikur shembte një bot’!
ai si i marrë ngrihej t’i shkulte shkallët,
e kthehej jo i penduar, po s’i shkulte dot!

Kaluan ditë dhe takat s’dukeshin kund!
Violina u ça dhe perde t’kuqe sikur ranë.
I flakën parukët e ikën Mozarti… Puçini,
harqe e partitura shkallëve ranë!

Se mos rendte më pas “Madame Butterfly”?
Atij, pas zonjës me taka këmbët i ranë!
Po ndoshta ajo, kish’ dal nga një libret,
dhe heshtur u strehua, në një roman!