Po agon. Në dritaren e dhomës, troket një degë peme lakuriqe, si një dorë fantazme, sikur kërkon të më thotë diçka mistike. Ashtu somnambul, në gjysëm errësirën e zhytur të dhomës, hap grilën dhe ç’të shoh?! Dëborë! Uauuu! Vetëm këto dy fjalë më dalin nga ezofagu, gëlltitem në heshtje dhe kapsallit sytë, se mos jam ende duke ëndërruar në gjumë, aq shumë befasohem e ekzaltuar, nga bukuria e dëborës që ka shtruar mbulesat e mendafshta, gjithkund. Qyteti, nga gri, papritmas gdhihet i bardhë, sikur, dikush natën të ketë shtypur një buton që lart, dhe mbulon krejt tokën e gjithçka, në bardhësi. Si patriarke e heshtur, si hartë memece, siç di veç ajo të ekspozojë, tërë arsenalin e bukurisë së saj, më ngazëllen e më emocionon. Në parvazin e dritares, bora ka mbështetur kokën me flokët e saj, sa të bardhë e të butë, po aq edhe delikate, e të shkëlqyeshme. Qielli në ngjyrë safiri ndriçohet në lindje, si një shirit i kuq, ku dielli duket mbas malit, si portokall i stërmadh që shndrit dëborën e kristaltë. Dimër kaq i bukur, magjepsës, duket krejt pranverë në dimër, në këtë acar, që çel lule prilli në shpirt. Pikërisht sot, ra dëbora e parë, që unë do të largohem nga Viena. Pushimet pranë sime bije mbaruan kaq shpejt, si një vetëtimë e duke menduar për kthimin drejt vendlindjes, qëndroj edhe disa minuta në dritare. Zëra fëmijësh gumëzhijnë e luajnë me topa bore, e njerëzit, duken rrallë e më rrallë, nëpër sheshe e rrugë të boshatisura. Jeta është e bukur në këtë stinë, që përmbyt shpirtrat tanë në aq gëzim, prej dëborës shtrirë, si një kanavacë gjigande piktori, sikur do të na paraqesë simbolin e bukurisë dimërore, me solemnitet. Dimri, ka tendencë të ndryshoj gjithçka rreth e rrotull. Parqe, kështjella, kisha, muzetë…e skulptura, duken, si një ansambël veshur në të bardha që këndojnë në heshtje, hitin “Snoë” e në qiell, pikturohen retë e varura puplore, endacake. Pullazet e shtëpive, veshur me kapuça argjendore dhe dëbora, qan nën qepallat e çative, nga rrezet e diellit. Ndoshta, ajo po kërkon shteg që të ik, po shtigjet i ka zënë. Vështroj orën, që më tregon se, duhet të nisem për në terminalin e aeroportit. Vishem, marr çantën që pret, si në një vend tranziti në korridor dhe dal. Gjithçka, përndrit e mbështjellë me lule bardhësie dhe disa yjëza dëbore, më bien mbi flokë dhe supe, si muzë poeti. Është kaq bukur të jesh pjesë e kësaj shfaqjeje “pranverë në dimër” ku dëbora, end dantella në fragmente kristali, magjinë e saj. Është një qetësi, që vetëm dëgjohen rrahjet e zemrës, hapat e tua që fundosen në dëborë e kërcasin, si në butësi mëndafshi dhe mjegullat e frymës fluturojnë, si piktura abstrakte. Asnjë shushurimë, asnjë lëvizje, gjithçka e zhytur, si në një përrallë, dekor i realitetit që të gëzon. Katedralja e Shën Stefanit, është transformuar, nga arkitekturë e stilit gotik në arkitekturë të çuditshme, të ergjendtë, enigmatike, e duket, sikur më përshëndet nga lartësia me kapelën e saj të bortë. Në sheshin Stephansplatz, nxitoj hapat në vijat e bardha, mandej, kthehem në të djathtë ku papritmas në mukozën e nuhatjes, më përplasen aroma joshëse; çokollate dhe kafeje, që dalin nga dera rrotulluese e një bari, tok me një simfoni nga Shophen në sfond. Ndal një çast, rregulloj shallin dhe pak më tej, zbres me shkallët elektrike drejt metros, që do të më çoj në stacionin e trenit. Dhe ja, ku dëgjohet që larg, fishkëllima e tij, që mbërrin me uturimë dhe njerëzit, hipin e zbresin në stacion me nxitim në këtë bardhësi. Lokomotiva niset duke tërhequr, si dorë për dore vagonat, dhe nga xhamat e dritares rrëshqasin me shpejtësi; fotot e borës nëpër çati, pyje, në drurët e lartë, njëri pas tjetrit në rresht, veshur me pallto të leshta të bardha. Livadhet, kanë nderur çarçafët e ergjendta, e në të majtë ngrihen kreshtat e maleve bojë hiri me qeleshe dhe retë, duken të lidhura në grykë, si shall. Si pa kuptuar duke parë peisazhe kaq të mrekullueshme, që të mahnisin me bukurinë, si pranverë në dimër, treni mbërrin pranë terminalit të aeroportit. Vazhdoj ecjen për të dalja numër 4, ku salla, mbushur plot e përplot nga udhëtarët, ndihet konfuzioni, dhe unë e përfshirë nga turma, si një notar që rrëmbehet nga rryma e dallgëve të detit, papritmas distancohem. Aty, pak më tutje, më tërheq pamja e një çifti të moshuar. Gruaja e hijshme, veshur me një gëzof të ngrohtë, flokët i ka mbledhur topuz dhe të kapura me një karficë guacke, vezulluese. Ndërkohë, burri i rrëmben një puthje të lehtë në faqe, pastaj, ulet në gjunjë dhe me një shami, ia fshin këpucët nga dëbora, gjithashtu edhe gjurmët, me argjendin e shpirtit ia lan, aty, në pranverën e dimrit të tyre!




















