E habitshme: fotografitë flasin gjithnjë, ato kanë gjuhën e tyre, përmes heshtjes, vështrimit, atë ç’ka është fiksuar në «camera obscura». Ato kanë aftësinë të kthejnë pas jo vetëm qenien por dhe gjithë një kohë, duke u shndërruar në nje dëshmi jete dhe historie. Lumturisht ato ekzistojnë. Na gëzojnë, na prekin, na drithërojnë për ata që nuk janë më, na risjellin atmosferën e krijimit të artit, kur bota e filmit ishte gjithçka për ne. Mes tyre, kineastë të ardhur shumë herët nga shkollat kinematografike në Budapest, Pragë, Moskë… Fotografitë na ringjallin ata që kanë shkuar, bisedat dhe debatet e kundërta me ta, pasionet e krijimit të figurave, pasi dhe filmi ka gjuhën e tij. Fotografia të bën të shohësh përtej kuadrit të saj, të zhvendosesh në kohë e hapësirë, të dëgjosh muzikë, të shohësh krijimin e roleve dhe karaktereve në sheshet e xhirimit, të kuptosh atë çka ishte e mundur dhe e pamundur në atë kohë, kur vuante dhe gëzonte një artist… Semiologji e ngjizur në celuloid. Rroftë fotografia për të cilën më kot dyshonte Charles Baudelaire.

(Kujtim Cashku, Luan Rama, Viktor Gjika, Rikard Larja, Dhimitër Anagnosti, Spartak Pecani, Nazmie Pepa, Bujar Kapexhiu, Pirro Milkani, Roza Anagnosti, Kristaq Dhamo, Saimir Kumbaro)


















