Suplementi Pena Shqiptare/ Adriana Dizdari Priftuli: Mos më harro ! Më prit

MOS MË HARRO MË PRIT
( slogan elektoral)

Adriana Dizdari Priftuli

NOA

Ndodh shpesh që një vizion, i cili kalimthi të tërheq vëmëndjen, nuk të ndahet më, deri në kuptimin e së vërtetës që mbart.
Gjatë udhëtimeve të mia të shpeshta, në përgjumjen e një udhëtimi të gjatë, një pemë në lulezim, një lumë në zemërimin e tij dimëror, një shtëpi e braktisur në majë të malit …më sjellin vetëdijen e qënies time në një autobuz të mbushur plot e përplot , nën sfondin e një muzike torturuese,… dhe i vetmi shpëtim është të merrem me pemët, malin , dëborën dhe shtëpite e vetmuara. Mëndja më punon dhe rruga shkurtohet drejt destinacionit të caktuar.
Por një vision, që në shpejtësinë e autobuzit mezi ta kap syri, i shkruar në një faqe muri të rënuar, me gërma të mëdha, të shtrëmbra në ngjyrë të kuqe, me gabime ortografike, të themi naive, dhe me një zemër, si ato të kartolinave të para luftës e shpuar nga një shigjetë që pikon gjak, vizatuar në qoshe të murit, pazgjithshmërisht me mesazhin, është e pa mundur mos të të tërheqi vëmendjen. Fillimisht tenton ta marrësh me humor, bile guxon edhe të tallesh paksa, por kur sërish dhe sërish në rrugëtimin tënd e sheh përsëri e përsëri, diçka fillon të të dhëmbi.
“TË DU MA SHUMË SE JETËN TIME. MOS MË HARRO MË PRIT!
Kjo britmë më godet si një fshikëllim acari.
Nga larg duket si parullë, si një slogan kokëfortë elektoral, të cilit rrjedha e kohës nuk i fshin aktualitetin…një slogan që mbetet aty, deri në sloganin pasardhës, dhe në këto kushte, nuk mund të të mjegullojë mendimet indiferenca.
Qyteti i këtij mesazhi gjallon në varfërinë e tij. Dikur, një qytet i vogël industrial, po kaq i varfër, por në rregullin e tij absolut, i vetëdijshëm për rëndësinë , vazhdonte jetën po kaq te rregullt, nën tymin e hirtë që mbulonte qiellin dhe, që mua atëhere fare e re, më dukesh, sikur kishte veshur edhe shpirtrat e banorëve. Njerëz uniformë, me të njejtën shprehje fytyre, as gëzim dhe as trishtim, vërtiteshin nëpër rrugët e fatit të paracaktuar, duke kryer punën e tyre të paracaktuar, në sigurim të mbijetesës së paracaktuar.
Tashmë shumë gjëra kanë ndryshuar në rrjedhshmërinë e këtij qyteti. Ai ngjan si motra me shumë qytete të vogla të Shqipërise. Po ai stil ndërtimesh, po ajo rrëmujë. E reja e mbirë, sikur mban në kurriz të vjetrën, të dërmuarën nga vitet dhe mospërfillja, si në ankth, në pritje, se çdo të bëhet me të.
Qyteti përpëlitet të hyjë në botën “moderne” me ca vitrina ku varen fustane nusesh, lule artificiale, dyqane me rroba të vjetra dhe të reja, me enë guzhine të traditës dhe të kohës, me hekurishte nga më të ndryshmet dhe me këtë mesazh të drejtuar dikujt “TË DUA MA SHUMË SE JETËN TIME… MOS MË HARRO “, që më duket si një rënkim dhimbjeje, rënkim pasigurie, rënkim i një shprese të pa humbur.”Më prit”…thotë mesazhi, “mos më harro”. Sa djem kanë kaluar këtë rrugë në këto vitet tona ikjeje të pambarim! Sa vajza kanë guxuar të prishin “rregullat” shekullore dhe të bërtasin “dua jetën time” …dhe të ikin,.. të ikin,.. ku sytë këmbët, veç të ikin, po mesazhin “më prit , mos më harro,” e kanë marrë me vete, të fshehur diku thellë në zemrën e tyre të coptuar nga dhimbja. Ky mesazh i drejtuar prindërve, shokëve, dashurisë së fshehur, shtëpisë së vjetër, gurëve të rrugës, pajës të pa mbaruar, u bë si mburoja e kryqtarve të mesjetës…”më prit…mos më haro”! I ka mbrojtur vallë ? Kush është ky djalë që dhimbjen e tij e kthen në ulërimë? Nga vjen? Ku shkon, me guximin e tij si një kalorës përrallash ? Me prit… lutet…zemra i kullon gjak …kjo është mënyra që ka zgjedhur për të përgjithësuar largimin. Ia ka dalë vallë me këtë mburojë që ia veshi shpirtit të kthehet në dashurine e tij? Po a e ka pritur vallë kjo dashuri që ai këlthet sikur ka marrë përsipër tërë dashuritë e humbura rrugëve të botës?