Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Dorëheqja

33
Sigal

Sikur të mos mjaftonte ftohja me Adi Krajën dhe ajo largësi e pamatë që i ndante e presioni për të ardhmen e panjohur, nëpër studiot e TV 7 jeta kishte filluar të rëndohej; për të gjithë. Kjo ishte për shkak të emërimit të një pokeristi në krye të institucionit. Ai quhej Bame, të paktën kështu e thërrisnin; mbahej më të madh. Askush nuk e dinte nga vinte dhe si ia kishte gjetur anën asaj foleje pëllumbash. Thuhej se ishte një menaxher i mirë. Por gazetarët dhe operatorët nuk dukej se mund të pajtoheshin me një opinion aso. Ky vanitoz e kokoroç, ca snob, ca buall, ca fyell, mëtonte të kishte gjithçka nën kontroll. Dhe jo vetëm kaq. Pasi priti një kohë që Mati të tregonte interes për të dhe kjo nuk ndodhi, papritur njeriu i përkëdhelur, pa portret, pa emër, ajo gjëja e thirrur aq çuditshëm në atë post, u hodh të bënte skena.

Pikërisht në njërën nga këto ditë tejet të vështira për Idlirën, ai e thirri atë në zyrë dhe filloi nga insinuatat – kështu sikur thoshin tash në raste të tilla – shprehu disa pakënaqësi, po ja ti i zgjedh vetë shërbimet, apo jo, ne e vlerësojmë kurajon, por në ndonjë temë ti i kthen pas redaktorët dhe shefin, ndërsa janë të tjerë që bëjnë programacionin apo jo etj., etj. Dhe, më pas, ndërsa ajo mbrohej me fjalitë më të thjeshta që mund të formulojë një gazetare në rrugë e sipër, një shkrimtare në rrugë e sipër, tjetri u zbërthye, ndërroi ton e pamje, filloi t’i vinte rrotull, po flirtonte, punën ne e kemi në dorë, vërejtjet ne i magazinojmë, sjelljet po ashtu, pra shiko, Mati, ai po shtirej si i përgjëruar për të, çfarë farse, por jo s’është kaq e përciptë, ti i kupton këto gjëra, apo jo, sepse unë… sepse ti…

Dhe asaj, menjëherë iu kujtua dita e largët e atij spektakli në bujë, kur ai sponsori, njëri nga ata, filloi t’i vinte rrotull, madje dikur bëri të zgjaste edhe duart. Ajo e kishte larguar atë me shumë finesë dhe filloi të kërkonte një punë tjetër. Nuk foli me asnjërën nga shoqet e veta, as me njerëzit e shtëpisë; pse duhej t’i linte ata pa gjumë, pse duhej t’i hidhte në sherr e në luftë (!)

Tani, vajza po ndjente të njëjtën gjë, si atëherë. Dhe po si atëherë, vendosi në çast se duhej të luftonte vetëm. Kishte zgjedhur të mbronte unin e saj, shpirtin dhe trupin e saj; askujt nuk do t’i bëhej barrë. Ajo e shtyu ashtu keq e keq ‘bashkëbisedimin’ e parë me Drejtorin e ri. Në të dytin, kur u duk edhe më qartë se tjetri po flirtonte, u afrua pak si tepër, ti i di ndjenjat e mia për ty, apo jo, unë do ta rishikoj pagën tënde, një Uriah-Ip pothuaj, Mati iu shmang atij mashkulli të pështirë, dhe mori e foli vetëm një herë:

-Mos u afro! Bame… – ia shqiptoi emrin sikur po donte me pështy diçka. – Dhe kurseji fjalët! Pas dhjetë minutash të sjell dorëheqjen.

Dhe ashtu u bë. Idlira Mati, siç u shpreh roja i urtë i TV 7, ‘çau ferrën’. Sado që shefi u hodh përpjetë, filloi ta merrte në telefon pareshtur, ditën e dorëheqjes dhe më pas, zbrazte sikletin e tij me ato fjalitë e zakonshme, po ku je ti, unë s’ju gjej dot juve, si do të ikësh, ç’është ajo fjalë? Idlira të lutem, mblidh mendjen…

Hë për hë, ajo e kishte mbledhur.