Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: “Bukinistët buzë Senës”

628
Chronique parisienne
Bukinistët e Parisit janë kthyer në një lloj embleme midis shumë emblemash të tjera që ka Parisi e që në fakt janë kthyer në emblema botërore, pasi dhe bukinistët e Senës, janë regjistruar në trashëgiminë botërore që mbrohet nga UNESCO. Ky fillim janari erdhi me shi dhe qepenat e bukinistëve kanë mbetur mbyllur. Era dhe shiu godasin mbi to por kjo është një muzikë e njohur për ata, pasi stinët buzë Senës kalojnë radhazi e megjithatë gjithçka është e bukur, edhe pse bën ftohtë dhe pemët shkunden nga era sipër atyre qepenave të mbyllur që qullen në shi. Kushdo që ka ardhur të vizitojë Parisin padyshim që do t’i pikëtakojë bukinistët parisianë, njerëz të thjeshtë e të pasionuar, e ku madje ky profesion, kaq shumë i lidhur me librin dhe imazhin, është kthyer në një trashëgimi familjare, prej shumë dekadash. Vizitori i huaj do ti gjejë ata gjithnjë aty, buzë Senës, në trotuar, me ato raftet e tyre ngjyrë jeshile që ngrihen çdo mëngjes dhe mbyllen në mbrëmje sikur të fshehin brenda tyre enigma, e pse jo, siç ndodh dhe në librat e vjetër të Agatha Christi të cilat padyshim do t’i gjesh dhe aty e ku enigmat janë të panumërta, siç janë ato dhe në jetën vetë apo në historinë njerëzore. Dhe ashtu, pas mesnate, kur kalimtarët e rrallë me së fundi largohen, ato strehëza kanë një pamje të çuditshme, duken si qenie frymore pasi brenda tyre pulson veç histori njerëzore, romanca dashurie e xhelozie, dashuri romantike e tragjike, jetë martirësh dhe gjenish, artistë që i kapërcyen kufijtë e kohëve të tyre për të qëndruar gjithnjë modernë siç mbeti një Rembo… Libra, fotografi, gravura, partitura, madje botime të rralla që ndonjëherë antikuarët e librave kanë fatin ti gjejnë tek ata. Dhe padyshim, në ato 300.000 libra, broshura, revista të vjetra, ende mund të gjendet ndonjë «thesar». Ky pikëtakim me bukinistët e Parisit për mua është pothuaj i para tre dekadave, atëherë kur zbarkoja në Paris dhe ku shfaqja e atyre arkave të mbyllura me dryna të vjetër e të rëndë në bordurat e Senës, atë natë të parë dukej për mua tepër enigmatike dhe për disa ditë pyesja veten se cila ishte domethënia e tyre, apo enigma se çfarë fshihej brenda tyre. Por shpejt, disa ditë më pas, ato arka i gjeta të hapura, në një ditë plot diell, me njerëz që gumëzhinin rrotull tyre, që vështronin librat e rrallë, bisedonin me bukinistët, blinin ndonjë suvenir apo ndonjë portret me ngjyra të një artisti të madh, fotografi këngëtarësh si Xhimi Hendriks, fotot e Bitëllsave, të Bob Marley apo Xhejms Din, fotografi aktoresh të bukura, gjithë hire dhe gjinj të kërcyer etj, dhe po kështu gjuhët e botës që mpleksen në veshët e tyre… bota buzë Senës, ajo që kërkon të pazakontën… Më pas, duke lexuar, mësova se Gjergj Fishta në atë kohë kur ai kishte ardhur me Delegacionin Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitin 1919, qëndronte pranë atyre bordurave me orë të tëra duke parë librat e vjetër, botimet ballkanike apo librat e eposeve të mëdha. A nuk kishin kaluar orë të tëra këtu dhe Faik Konica e intelektualë të tjerë, rilindësit e fundit siç ishte dhe Nikolla Lako që krijoi revistën e parë shqiptare të shqiptarëve të Francës që titullohej «Opinga»?… Në «Quai Saint-Michel», pra buzë Senës, përballë nr.17, është një bukinist nga Bresti, një 73 vjeçar, i cili dhe atin e tij e kishte patur bukinist e që mbante një vend me librat pak më tutje, në «Quai Montebello». Shiste gravura të vjetra, stampa, fotografi madje njëherë kishte shitur dhe një partiturë të vjetër të vitit 1650 me këngë gregoriane, në “velin”, pra në një parshemin origjinal të shekullit XVII, e cila ishte shkëputur nga një libër i vjetër, “Kantika e kantikave”, shitur në “Hotel Drouot”. Ky bretonas thoshte, se libri që i ishte blerë më shumë gjatë karrierës së vet si bukinist kishte qenë “Princi i vogël” i Exupery-së, i botimeve të ndryshme dhe sigurisht të vjetra. Por tashmë ai ankohet nga makinat e shumta që kalojnë çdo çast, gazi i tyre, ndotja e ambientit, zhurmat që e kanë bërë disi të vështirë qëndrimin e bukinistëve në një vend të ekspozuar. Madje ai mendon të largohet por është gjithnjë pasioni i bukinistit që e mban dhe e bën të rikthehet përsëri buzë Senës. Ai e di se pastaj ai vend do t’i mungonte shumë me atë jetë dinamike përreth, me ata qindra e mijëra turistë që enden në trotuaret e tyre duke vëzhguar librat dhe gravurat e tyre të vjetra, duke i pyetur rreth ndonjë botimi të vjetër që s’mund ta gjejnë në vend tjetër, revista të vjetra si “Illustration”, “Le Petit Pariesien”, “Le Peuple’, etj… E kështu, atyre u duket sikur janë një lloj “zëdhënësi” historik… Një ditë, duke xhiruar një film për piktorin Abedin Dino, atje buzë Senës, i tregova regjisorit Kujtim Gjonaj dhe operatorit Spartak Papadhimitrit dritaren e apartamentit të tij lart nën çati, në vitet e para kur erdhi në Paris, dritare që binte pikërisht mbi tezgat e bukinistëve. Nga porta e tij i duhej thjesht të kapërcente bulevardin për të shkuar tek ata, siç e shohim dhe në një fotografi ku ai ka dalë me mikun e tij të vjetër Nazim Hikmet gjatë një vizite të tij në Paris në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Edhe ata kishin ndaluar tek bukinistët e padyshim dhe një botim i vjershave të poetit revolucionar turk për Parisin ishte aty. Sepse dhe ai kishte shkruar për bukinistët. Ishte kjo “çudi” parisiane që na ka tërhequr të gjithëve, ashtu si një ditë kur fotografi Roland Tasho, që po fotografonte shqiptarë të ndryshëm për librin e tij fotografik “Shqiptarët e Parisit”, duke kërkuar një mjedis ku të më fotografonte më tha: «E gjeta… do të fotografoj tek bukinistët». Dhe kjo sepse ne kishim kaluar andej dhe ai e dinte dobësinë time për librat e vjetër, antikuarët, gravurat dhe hartat e vjetra të botës e padyshim së pari të Shqipërisë bregdetare dhe Ilirisë së vjetër. Pikërisht atje, Christian Gut, profesori i katedrës së shqipes në Inalco kishte gjetur rastësisht një libër të konsullit francez Auguste Dozon për Shqipërinë dhe ishte pikërisht ky pikëtakim i parë që e shtyu më pas ti kushtohej letërsisë shqipe të vjetër e të re. Në fakt, “dyqanet” e para të librave dhe gravurave të vjetra u shfaqën në Paris pikërisht buzë Senës që në vitin 1649, siç tregojnë dhe kronikat e vjetra zyrtare, por termi bukinist hyri më vonë në vitin 1762, mesa duket nga anglezët që zbarkonin në Paris dhe gjenin ato ngrehina ku kishte veç libra të vjetër. Tashmë emblema e bukinistëve është «Hardhuca që ka ngritur kokën dhe vështron një shpatë» që sigurisht do të ketë një lloj gojëdhëne në këtë lloj kompozimi. Me bukinistët shumë shqiptarë janë miq, pasi disa prej tyre, piktorë, si Zamir Mati, Niko Dhales, Nandi Veseli, etj, duke qenë që kanë qëndruar gjatë krah tyre duke vizatuar, duke krijuar ndonjë peizazh apo portret, bisedat për Shqipërinë, Francën, artin dhe historinë nuk kanë munguar. Por para tyre, që para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, edhe piktori Sadik Kaceli, atëherë student i Akademisë së Arteve të Bukura, dy hapa larg Senës, studionte atje, madje dhe aty pranë jetonte. Bukinistët ishin të përhershëm në jetën e tij parisienë, pasi shpesh, për të pikturuar një peizazh, atij i duhej të qëndronte krah tyre, duke vëzhguar Senën, apo Parisin në dëborë. Sot pothuaj tre kilometra gjatë Senës janë me ato “dyqane” portative librash, veçanërisht nga ura që shkon drejt Luvrit e deri tek katedralja e “Notre-Dame”, e më pas. Përballë bukinistëve, në Quai d’Orsay janë shtëpia ku kanë jetuar piktorë, shkrimtarë, artistë e politikanë, siç është sot dhe ish presidenti Chirac. Aty kanë jetuar Bodler, Sand, madje dhe balerini Nurejev. Aty ku fillon “Quai Voltaire” është apartamenti ku vdiq iluministi i madh francez Volter. Më tutje është një shesh i vogël i quajtur “Place Justin Godart”, i cili na kujton senatorin e famshëm që aq shumë iu përkushtua Shqipërisë, autorin e librit “Shqipëria në vitin 1921”. Më tutje nis Rue de Bievre, ku jetonte presidenti Mitterand, i cili edhe pas zgjedhjes si president preferonte të flinte në shtëpinë e tij, aty ballë bukinistëve, pasi dhe ai ishte një adhurues i madh i librit, madje edhe një shkrimtar me sqimë. Dhe nuk di pse m’u kujtua nê çast mikja ime përmetare Solange d’Angely, kur ishte studente e mjekësisë, dilte nga Fakulteti aty pranë dhe shkonte të kërkonte të atin e saj të përhumbur aty, buzë Senës, mes librave të bukinistëve, duke kërkuar autorët antikë se ç’thoshin për shqiptarët dhe Shqipërinë e Ilirisë. Një përhumbje e bukur, të cilën e kam ndjerë dhe unë, shijuar, endur nëpër kohëra tê largëta… Shije që më ka mbetur nëpër buzë…
Me kalimin e viteve duket se bukinistët janë bërë vizionarë të çuditshëm, ndoshta, jo vetëm për kohën, por dhe për llojin njerëzor. Përse vallë, mos ndoshta pse nëpër duart e tyre kalojnë historinë, jetë njerëzore me portretet e mbretërve dhe revolucionarëve të mëdhenj, me gjenitë e artit me britmat e vdekjet e tyre tragjike? Ata kanë madje një ndjesi të çuditshme për kohën, pasi gjithë ditët e tyre të vitit ata i kalojnë aty, nga mëngjesi në mbrëmje. Kur ulin qepenat, do të thotë se shkojnë për të fjetur dhe se të nesërmen ata rishfaqen sërish në këtë dekor gjigant, në këtë lloj skene historike e njerëzore. Ata zbarkojnë drejt bordurave të Senës, vështrojnë qiellin, retë që enden, apo kaltërsinë që shfaqet ngadalë dhe parashikojnë motin si të ishin klimatologë të vërtetë, pasi të jetosh jashtë në natyrë, nën pemët që fëshfërijnë, në erën që fryn, nën shiun që nis dhe duhet menjëherë të mbulosh librat, në diellin ku ke dëshirë të drejtosh fytyrën e të ngrohesh apo t’i fshihesh aty nën hijet e pemëve kur bën vapë, është një ngjizmë e vërtetë me natyrën, do të thotë ta njohësh atë, të njohësh madje dhe kapriçiot e saj… Ka një dialog të çuditshëm mes tyre dhe natyrës, por jo vetëm, pasi dialogu i tyre është së pari me historinë, me librat që mbartin historinë dhe krijimet e artistëve. Po, rreth tyre bota lëviz, jeta frymore dhe jo frymore, ngjyrat e qiellit dhe fytyrat njerëzore, pasi ata janë fizionomistë të jashtëzakonshëm. Ata e kuptojnë ankthin, pasigurinë, njeriun ëndërrimtar, apo atë që botën e sheh të mbushur me dashuri… Më kujtohet si tani një mbrëmje kur duke kërkuar një numër të “Illustration” të vitit 1917 për luftën e francezëve nê frontin shqiptar, në çast bukinisti më tha:- E di kush po xhiron poshtë?!… Kush i thashë dhe zgjata kokën drejt atyre dritave nën bordurë. – Është Wody Allen!… Dhe vërtet, ai ishte aty, mes aktorëve. Përgatisnin çastin e xhirimit dhe prisnin ardhjen e Julia Roberts… ah, Julia Roberts dhe menjëherë m’u kujtuan këmbët e gjata të saj që siç thoshte Mitterand, ishin këmbët më të bukura të femrës në botë. Vallë ishte ashtu?!… Dhe duke shkruar këto nuk mund të mos kujtoj të madhin Jean Genet, letrarin e shquar që u rrit mes librave, që vidhte librat dhe ua shiste bukinistëve e librarëve, e që vetë më pas ishte një bukinist buzë Senës, por një bukinist gjeni, pasi ishte kjo botë librash dhe jeta e tij e stuhishme që e bëri atë një shkrimtar të madh. 
Kur të vish në Paris i dashur lexues, mos harro të kthehesh dhe tek bukinistët. Ata janë gjithnjë aty, buzë Senës… Jeta pranë librave i ka bërë ata njerëz të mençur…
Sigal