Nga na vjen mallkimi?

812
Nga Ilir VATA

E shkuara po i arnohet të ardhmes si një mallkim
E ardhmja është mallkuar nga e shkuara nga ku doli Shqipëria, sepse regjimi komunist, jo vetëm na la pasoja si shoqëri, por na qasi si mallkim njerëzit e saj, mbase me të zinj për të na bërë politikën e së ardhmes, dhe në fakt, ndërsa qytetarët kanë vrull për të qasur Evropën, politika e së shkuarës na tërheq pas me gjithë barbarinë e saj, duke na lënë gjithmonë në vend me një formë shteti të deformuar, që edhe politologët e kanë të vështirë ta përcaktojnë formën e shtetit. Politika është e vetmja që nuk përparon, nuk modernizohet nuk kap kohën dhe shpejtësinë e lëvizjes së botës ku ndodhemi dhe, më keq akoma, është ajo shkaktarja që vret të ardhmen me mallkimin e së shkuarës, sepse politika e qasur është e njëjtë me atë të regjimit që lamë pas. Pak gjëra kanë ndryshuar nga regjimi për sa i përket kontrastit që kanë regjimet me demokracitë sado të reja qofshin ato, sepse liritë e qytetarëve deformohen nga rendi i së drejtës që ende nuk ka pavarësi, pasi, jo vetëm janë po ata që dje persekutonin shqiptarët, i torturonin në hetuesi, i burgosnin apo ekzekutonin, po vetë të drejtës i kanë vënë një çmim dhe sistemi i drejtësisë mbetet një çetë e vjetër që legjitimon padrejtësinë në varësi të çmimit, pra drejtësia shitet dhe blihet dhe e blejnë vetëm ata të pushtetshmit dhe të korruptuarit që mund ta paguajnë?!. Pushtetet e tjera janë në kllapinë e politikës së vjetër ku vendi i punës varet nga kapitali që ke, pra, a je në gjendje ta blesh duke deformuar standardet dhe vrarë meritokracinë dhe, jo vetëm kaq, por vendi i punës varet nga bindjet politike dhe, nëse mendon ndryshe nga partia në pushtet, bëju gati të dalësh në rrugë një paradoks në demokraci, por në Shqipëri është fenomen masiv. Politika udhëhiqet nga demagogjia dhe pushteti mbi mediat duke i bërë ata në vartësi të politikës sepse simbioza media-politikë është tashmë e pazgjidhshme, sepse që të jetosh si media duhet të bësh politikë në favor të asaj force që të bënë favore të paligjshme dhe kjo sëmundje tashmë është bërë kronike. Partitë politike drejtohen po nga ata njerëz të së shkuarës së regjimit komunist dhe mbajnë pushtetin pa mbarim duke shkuar afro tri dekada në drejtim të subjekteve që drejtojnë, pra është vrarë demokracia politike brenda partive, duke i bërë ata parti që drejtohen nga pak njerëz dhe subjekte që ndajnë postet dhe përzgjedhin emrat e përfaqësimit sipas klaneve dhe interesave të vogla, duke i shndërruar ato në SHPK, pra duke deformuar vet qëllimi e themelimit të tyre demokracinë e brendshme politike. Sindikalizmi dhe OJQ janë fantazma emrash që vërtiten rreth pushteti, madje ata ekzistues dhe të drejtat e punonjësve mbeten të zbuluar dhe mund të cenohen nga burokracia apo forma të tjera të njohura të cenimit të së drejtës. Në mes të kësaj padrejtësie politike e sociale qëndron konflikti politikë që më shumë duket sikur po shton konfliktet e dasitë e së shkuarës, mbjellë nga regjimi, se sa po punojnë për ndërtimin e së ardhmes së shqiptarëve dhe të një shteti demokratik, që pretendojmë të kemi. E shkuara nuk është kuruar, madje vitet e fundit ka filluar një arnim i saj, madje copëzat e të shkuarës po i arnohen të ardhmes si një formë e re e shtetit, ende të pa hasur në kohë e të pa ngjarë me asnjë të lloj të tij në botë. E në këtë vit që Shqipëria pritet të çelë negociatat me BE-në, gjasat janë se politika e vjetër do të ngrejë kokë për të vazhduar ritin e saj të mallkimit të së ardhmes nëpërmjet të shkuarës. Në vend që të kishte një pakt kombëtar për interesa kombëtare për integrimin e Shqipërisë, në qendër të politikës është dasia, arena ku e vjetra përplaset me të renë dhe qytetarët të etur për të shkëputur nga e shkuara e qasur Evropën, shohin se si ndeshet e shkuara në sy të tyre si një mallkim që i ndjek pas. Demokracia kërkon në themel kurbanin e vet që është drejtësia, si një bekim për shtetin e së drejtës, si një garanci për qytetarë dhe institucionet dhe e vetmja shpresë është kurimi i së shkuarës nëpërmjet reformave moderne, nëpërmjet institucioneve të mbështetura në drejtësi, pra përmbysja e formës së vjetër të regjimit në mënyrën e qeverisjes dhe ndërtimi i vlerave të vërteta institucionale. Drejtësia e munguar, përpjekja për ta ndaluar dhe rezistenca e politikës për ta deformuar janë thjesht dhe vetëm arnime të së shkuarës që i qepen të ardhmes për ta penguar dhe një herë Shqipërinë në qasjen e saj historike me BE. E, nëse kjo do të ndodh, do iu duhet qytetarëve të merren me politikë dhe të ngrihen e të vendosin drejtësi, sepse atë ua kanë marrë një grusht njerëzish dhe e përdorin atë si mashë për të mbrojtur pasuritë e tyre dhe fshehur vetë drejtësisë dhe ,pse jo për t’ia ndërsyer drejtësinë e deformuar qytetarëve, si në kohë të diktaturës. Politika e së shkuarës po e tërheq pas të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, ndërsa bota e qytetëruar ka lëshuar alarmin, se shqiptarët i përkasin Evropës, dilema vazhdon dhe mallkimi po na ndjek, sepse politika e vjetër nuk ka mëshirë, ajo vret si atëherë në kohë të regjimit komunist.
Sigal