Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Laze: Profesori

463
Sigal

Nga Luan Laze:

Sot profesori kishte nevojë të rrëfehej. I dukesha si prifti në dhomën e rrëfimeve.

-Kam qenë vërtet njeri i gëzuar. Por kur i hapa derën idiotësisë, erdhi vetmia. Tre apo katër njerëz, ishin vetë gëzimi i jetës time. Eh… njeriu i gjorë!
-Nuk jetojnë më këta, profesor?
-Tre prej tyre jetojnë ende. Por i largoi budallallëku im. Sedra idiote, me njerëz të mrrekullueshëm! Sa herë i kujtoj më vjen të plas nga inati!
Ndoshta urrejtja me veten më ka zgjatur jetën deri tani…mos qesh… se ndodh kjo me njeriun. Ekstremet e ndjenjave, dashuria dhe urrejtja ndodh që të zgjasin jetën. Mbase për t’a vuajtur të parën, apo shijuar të dytën, dashurinë.
– Ç’farë u bëre ti atyre që të vret kaq shumë ndërgjegjja?- e pyeta.
– E ke parë atë filmin “Maska” me Xhim Kerrin?
– Po, disa herë, dhe më pëlqen!
– Ashtu siç ai heq maskën nga fytyra, ashtu i hoqa dhe unë idioti, ata njerëz të mirë që ishin për trupin dhe shpirtin tim si një veshje gëzimi. Jo vetëm nga fytyra, por për gjithë trupin. Ata ishin veshja më e bukur miqësore për mua. I flaka për t’i bërë dëm të papërsëritshëm jetës time.
Një herë jetojmë. Tani po korr frytet e sedrës sime të sëmurë. Disa herë në jetë nuk e kuptojmë se ndonjë tjetër mund të jetë fati ynë i mirë! Unë kisha disa!
Ti je i ri, mos e bëj këtë gabim. Njerëzit e mirë rreth teje janë pasuri dhe gëzim. Mos e hidh gëzimin  kur e di se do të mungojë, jo vetëm në pleqëri.
– Faleminderit për këshillat profesor! Do të kujtoj kur të jem plakur!
– Jo atëherë, se nuk të bëjnë punë. Por tani, sa je ende i ri.