Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Laze: Paradokse

324
Sigal

 

Sëmundja sa kohë duhet të futet, aq kohë duhet të dalë. Përveç budallallëkut.

Nga lloji i martesës, disa gra meritojnë pension ekstra. Nga soji i gruas, disa burra meritojnë statusin e veteranit.

Nëse mbani sytë nga qielli në pritje të fatit të mirë, fati ju vjen. Në formen e glasës të zogut, sigurisht!

Te çmendurit janë më shumë se numri i banorëve të globit. Sepse gjysma janë dyfish të çmendur.

Sëmundja e alzhaimerit e ka një të mirë. Mund të pyesësh gruan tënde: zemër iku ajo shtriga?

Memoria është bankë që ruan kujtimet e keqija me interes të lartë. Mirënjohjen, e nxjerr si para fallso.

Të moshuarit i zbehet shikimi, por i thellohet qartësia. Nuk sheh veprimet, por njeh synimet.

Mësuesve u jam shumë mirënjohës. Asnjëherë nuk më kanë ngrënë hakun. Më kanë dhënë atë që meritoja: katrën.

Gënjeshtra është ëndrra ku bashkohen njerëzit. Pakica e prodhon, shumica e shijon.