Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Hoxha: Nga romani në process” Shtëpia e Verdhë”

19
Sigal

…Mamaja e saj, Tereza, herë pas here shkonte në front për të dhënë koncerte. Ndonjëherë koncertet jepeshin në spitale. Tereza ia ishte treguar këto Natalisë kur ajo ishte rritur dhe kuptonte. Kur ishte e vogël, i thoshte thjesht po shkoj në punë.

Koncertet për ata që akoma nuk kishin vdekur dhe qëndronin shtrirë të plagosur nëpër krevate apo në dyshekët fushorë në dysheme, ishin ngjarja më e dhimbshme.

Përfytyro një sallë të madhe që dikur ka qenë palestër mbushur me krevate dhe dyshekë nga të cilat vjen një rënkim i madh që s’dihet ku fillon dhe ku mbaron dhe ti duhet të qëndrosh në një podium të sajuar në fund të sallës me katër dyshekë njëri mbi tjetrin, shoqëruar nga një njeri që luan në sintetizator. Dhe në këtë sallë rrënkimesh ti duhet të këndosh këngë me kuptim, që të sjellësh pak entuziazëm me qëllim që muzika të mundi këtë rrënkim të madh që vjen dallgë dallgë nga anë të ndryshme. Këngët e forta revolucionare, marshet për këto raste nuk bëjnë mirë, u kujtojnë ushtarëve vuajtjet dhe mundimet që sjell marshimi dhe lufta. Edhe tangot janë nervoze, luftarake, Atëherë fillon e këndon disa valse të ëmbël, në mënyrë që të nanurisësh e të përgjumësh këtë rënkim që trazon ajrin.

Përballë ke një ngjyrë të bardhë që të lbyr sytë, është e bardha e fashove.

Dikush ka sytë e lidhur, një tjetër krahun, disa këmbë qëndrojnë të varura në çengelë mbuluar me të bardhën e allçisë që mpiks fashot e bardha.

Ty të vjen për të qarë kur sheh këtë pamje dhe duhet të këndosh për gjëra krejt të tjera ndryshe nuk u jep dot kurajo. Ata kanë nevojë pikërisht për ato këngë të lehta ato çaste. Meloditë e buta u kujtojnë se ende kanë mbetur njerëz, kanë mbetur gjallë dhe ia vlen të jetojnë.

Është i vetmi rast kur këngët e ëmbla të dashurisë të bëjnë të qash.

Kur mbaron këngën, rënkimi është fashitur, ata që plagët i kanë në trup dhe duart i kanë të lira duartrokasin dhe bëjnë bis me zhurmën e allçiut që përplaset, ashtu shtrirë nga krevatet. Ndonjëri nuk duartroket dot se ka të prerë krahun nga predhat në llogore, dikush në shenjë mirënjohjeje ngrihet nga krevati mbuluar me çarçaf si një fantazëm dhe të përqafon dhe vallëzon bashkë me ty valsin që ti e përsërit në shenjë dashurie për këtë publik të sakatosur dhe vë re se, përtej së bardhës, po ta shikosh nga afër gëlon e kuqja, e kuqja e gjakut…