Suplementi Pena Shqiptare/ Shtëpia botuese Morava: Herzogu

182
Sigal

 

Titulli: Herzogu

Autor: Saul Bellow

Përktheu: Griselda Zaimi

Fitues i çmimit NOBEL për letërsinë

Kjo është historia e Moisi Herzogut, një intelektual në moshë të mesme, që po përballet me një nga krizat më të mëdha të jetës së tij. Madeleina, gruaja e tij e dytë, ka rënë në dashuri me shokun e tij më të mirë, Valentin Gërsbahun. Ajo e ka braktisur Herzogun dhe ka marrë me vete vajzën e tyre të vogël. Moisiu, i tërbuar dhe thellësisht i dëshpëruar, nuk ka mundur të përfundojë së shkruari librin e tij të fundit, duke i lënë të shpërndara nëpër shtëpi, faqet me shënime mbi temën e romantizmit. Moisiu jeton i vetëm në një shtëpi të rinovuar pjesërisht në Bërkërsh, për të cilën ai harxhoi të gjithë trashëgiminë e lënë nga i ati. Në prag të një depresioni të thellë, Herzogu u shkruan letra miqve dhe armiqve, kolegëve dhe njerëzve të famshëm, të gjallëve dhe të vdekurve, duke zbuluar perceptimin e tij të hidhur për botën dhe sekretet më të thella të zemrës. Por ato letra nuk i dërgoi kurrë. Herzogu nuk arrin dot t’i ndajë veçmas problemet e tij personale nga situata e trazuar e botës moderne. Ai e sheh veten si një të mbijetuar, si nga fatkeqësitë e tij personale, ashtu edhe nga ato të brezit të tij. Jeta e tij vazhdimisht merr rrokopujën – ai ka dështuar si shkrimtar, si mësues dhe si baba, ka humbur dashurinë e gruas së tij, ka humbur respektin e miqve më të afërt. Për t’i vënë kapakun të gjithave, Moisiu ka edhe një djalë, Markon, nga martesa e tij e parë, të cilin ai e do, por e ka lënë pas dore.

Pas botimit të tij “Herzogu” u kthye në një roman bestseller, duke e rritur famën e Saul Belloë-t si për publikun, ashtu edhe  për kritikët – si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm amerikanë të shekullit të njëzetë. Romani fitoi National Book Award for fiction dhe International Literary Prize, duke i dhënë nderin Bellow-t të jetë fituesi i parë amerikan i këtij çmimi. Romani është vlerësuar shumë për portretin e tij depërtues, ndonjëherë humoristik, të një mesoburri në kërkim të kuptimit dhe të vetvetes në Amerikën plot me ankth të viteve ‘60.

 

“Herzogu” ka shtrirjen, thellësinë, forcën, imagjinatën – mendjen dhe zemrën – të cilat mund t’i presësh vetëm nga një roman që është i paracaktuar të mos harrohet kurrë. — Newsweek.

 

*          *          *

“Tani që e vinte sërish veten në peshore, e pranonte që kish qenë një bashkëshort i keq – dy herë. Deizin, gruan e parë, e kish trajtuar si mos më keq. Madalena, e dyta, sa s’i kish bërë gropën. Me djalin dhe vajzën ishte baba i dashur, por i keq. Me prindërit kish qenë fëmijë mosmirënjohës. Me shtetin, qytetar indiferent. Me vëllezërit dhe motrën, i dashur, por i largët. Me miqtë, egoist. Me dashurinë, dembel. Me gjallërinë, i topitur. Me fuqinë, pasiv. Me shpirtin e tij, i paqartë.”