Suplementi Pena Shqiptare/ Lazër Stani: Shkolla e shkrimtarit

22
Sigal

Shkrimtari nuk bëhet nga shkolla, shkrimtari lind.

Mund të bësh të gjitha shkollat, të jesh njeri shumë i ditur, por nuk je shkrimtar. Shkolla, në rastin më të mirë, të shkurton rrugën midis shkrimtarit të lindur dhe shkrimtarit të realizuar. Është si një lloj harte orientuese që të shpëton nga sorollatjet e pafundme në pyll. Unë, në fakt, doja të studioja për letërsi, por asnjëherë nuk m’u dha kjo mundësi. Tani e konsideroj fat që studiova në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën e biologji-kimisë. Ishte, ndoshta, ndër të paktat fakultete ku merreshin dije të pamanipuluara dhe ushtroje të menduarit konceptual. Aq më tepër që unë i doja shkencat, fizikën, kiminë, biologjinë.Ndërsa Fakulteti i Letërsisë, për fat të keq, ishte një fakultet doktrinar, joshkencor. Dijet e mia për letërsinë i kam krijuar nëpërmjet leximeve të shumta, në mënyrë autodidakte, krejt i pandikuar nga shkolla zyrtare, metoda sunduese, propaganda letrareske, kritika e indoktrinuar. Në lirinë që të krijon leximi, refuzon gjithçka që nuk pranohet natyrshëm prej teje dhe pranon atë që krijon harmoni me ty, me shpirtin tënd.Dhe që herët kam shkruar, por vetëm për vete, pa i ndarë me askënd shkrimet e mia.Kur më mërziteshin, i grisja të gjitha dhe pas një kohe bukur të gjatë, ndoshta pas disa vjetësh,gjithçka rifillonte nga e para.