“Piramidat” e mikrokredive, që rrënuan xhepat e të varfërve, para drejtësisë

26
Sigal

Prokuroria e Tiranës zbardh skemën e mashtrimit me mikrokreditë në vlerën 7.2 mln euro! 9 masa sigurie për administratorë të subjekteve financiare e përmbarues, institucionet mbyllën sytë para këtij skandali

“Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA”.

Telegraf.al / Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka vendosur 9 masa sigurie, 5 “Arrest në burg” dhe 4 “Arrest në shtëpi” për administratorë të subjekteve financiare dhe përmbarues, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ pasi janë përfshirë në skemën e mashtrimit me mikrokreditë. Në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës, thuhet se për likuidimin e kredive që i janë shitur kompanisë MCA është përdorur skema e vjedhjes dhe e shantazhimit të qytetarëve. Sipas prokurorisë 5 shoqëritë, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga banka Pro Credit 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimerrnin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat. 3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare, me ndihmën e një noteri dhe të disa avokatëve, kanë krijuar skemën e shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive të reja. Subjekte të ndryshme, në kushtet e mirëbesimit, janë mashtruar për të marrë kredi të reja te institucionet financiare, për të likuiduar kredi të vjetra që ata kishin në banka, dhe këto kredi ishin blerë nga një institucion financiar. Me marrjen e një kredie të re nga ky institucion, zhbllokoheshin përkohësisht pasuritë dhe llogaritë e debitorëve, por më vonë dilte një kërkesë e re për likuidimin e shumave të tjera. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi masat e sigurimit “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi” për nëntë shtetas, nën akuzë për veprën penale ‘Skema mashtruese dhe piramidale’ të parashikuar nga neni 143/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, si pjesë e kallëzimit penal nr.3464, datë 25.02.2020, i Ministrisë së Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre. Në dosjen e prokurorisë së Tiranës pasqyrohen abuzimet me detyrimin për të shlyer kredinë e marrë. Madje edhe kur kësti i mbetur ka qenë minimal, janë vendosur në sekuestro dhjetëra pasuri që e kalonin 500 herë shumën e mbetur. Një nga rastet sipas akuzës është kur familjes Lika i kishin mbetur për të shlyer 347 958 lekë. Por zyra përmbarimore Star i ka bllokuar 14 prona, sipërfaqe toke, me një total prej 12 mijë e 80 m2.

Po ashtu në një tjetër rast, shuma e mbetur për t’u shlyer nga familja Kodra është vetëm 30 767 lekë, por shërbimi përmbarimor FS ka sekuestruar 9 pasuri me sipërfaqe totale 10162 m2 çka konsiderohet jashtë çdo logjike dhe përcaktimi ligjor. Ndërkaq familja Çoku duhej të paguante edhe 68 922 lekë, por shërbimi përmbarimor Star i vendos sekuestro mbi disa parcela toke me sipërfaqe 10 mijë m2. Një nga rastet kur shuma e pashlyer mund të konsiderohet e lartë është e familjes Koçiu me detyrimin 1 milionë lekë. Por sipërfaqja e sekuestruar shkon në 216 mijë metër katror ose 22 hektarë, pra 500 herë më shumë se detyrimi i mbetur. Në dokumentin e akuzës së Tiranës shtohet edhe rasti kur përmbarimi I ka dorëzuar dokumentet në ministrinë e drejtësisë me thasë, por pa inventarizuar. Ndërsa denoncimi është bërë nga ish ministrja e asaj kohe në prokurori.

Blerja e kredive të këqija

“Një nga rastet kur shuma e pashlyer mund të konsiderohet e lartë është e familjes Koçiu me detyrimin 1 milionë lekë. Por sipërfaqja e sekuestruar shkon në 216 mijë metër katror ose 22 hektarë, pra 500 herë më shumë se detyrimi i mbetur”.

Nga aktet e sekuestruara rezulton se këto shoqëri morën nga (një bankë e nivelit të dytë) 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat. Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA. Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera. Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Kamatvonesa

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575,842,669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258,687,709.07 lekë. Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi. Sa më sipër, prokuroria arriti të vërtetojë nga aktet e administruara dhe provojë me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta se përmbaruesit Arben Meskuti, Alban Kote, dhe Alketa Tanushi, kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Po kështu u provua se Kejda Seferi, në cilësinë e përmbarueses dyshohet se ka konsumuar elementet e veprës penale të ‘Vjedhjes’. Ndërsa Aldo Daka. Albert Gega dhe Edmond Mato, në cilësinë e administratorëve të shoqërive përmbarimore Star-FS dyshohet se kanë konsumuar elementet e veprës penale të vjedhjes. Po kështu edhe Elda Ibro, administratore e MCA, dyshohet se ka konsumuar veprën penale të ‘vjedhjes’. Skema perfekte e mashtrimit të “Ëall Street”-it shqiptar për 5 vite krijoi një rritje eksponenciale të aktivitetit të marrjes në pronësi të pronave, të ekzekutimit të tyre dhe parave të mijëra qytetarëve apo fshatarëve, të futjes së qindra të tjerëve në kredimarrje të detyruar dhe të blerjes së shtuar të kredive të bankave të nivelit të dytë.

“Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera”.

Arratisja e njërit prej kokave të mikrokredive

Olsi Ibro dyshohet se është larguar drejt Francës, ndërkohë që Prokuroria ka dhënë masën e arrestit të shtëpisë për bashkëshorten e tij Elda Ibro. Dyshohet se çifti Ibro kanë transferuar drejt Francës, shuma të mëdha parash, që janë përfituar përmes skemave të mashtrimit, dhe vjedhjes së qytetarëve. Ndërkohë që në pranga ka rënë ortaku i Ibros, Arben Meskuti. Elda Ibro ka qenë ortakja e vetme e kompanisë MCA, e cila është themeluar në maj të vitit 2014, ndërkohë që më pas operoi dhe në tregun e blerjes dhe ekzekutimit të kredive me probleme nga institucione të tjera bankare dhe jobankare. Olsi Ibro nga ana tjetër ka qenë drejtues i studios ligjore ADCA, e cila ka qenë gjithashtu pjesë e skemës së mashtrimit, dhe dorëzimit të pronave të qytetarëve kredimarrës në dorë të përmbaruesve privatë. Nga hetimet e Prokurorisë ka rezulatuar se, Micro Credit Albania ndërvepronte me institucionin jo-bankar Final dhe zyrat përmbarimore Zig, Flash dhe Star me pronarë një grup personash të lidhur me njëri-tjetrin. Gazeta Telegraf ka qenë e para që ka denoncuar këtë megaskandal me fakte dhe prova por institucionet zgjodhën të heshin. Historitë e treguara nga dhjetra viktima të kësaj skeme që humbën shtëpitë, tokat, punët, por dhe shkatërruan qindra familje nga sekuestrimet e “Qendrës së Biznesit STAR” tërhoqën në fund një shkëndijë të vëmendjes shtetërore. Bankat prej disa vitesh shihnin në heshtje viktimat që i shitën tek dy matrapazët e kredive, të pafuqishme të ndihmojnë askënd. Lista e viktimave është aq e gjatë sa njoftimi masiv i emrave, familjeve dhe kompanive të cënuara nga mashtrimi mendohet se mund të krijojë një revoltë publike. Një prej pronarëve të kompanive të mikrokredive, që kanë zhytur në një skemë mashtrimi mijëra qytetarë, Olsi Ibro, rezulton që të jetë larguar jashtë vendit, përpara lëshimit të urdhërarresteve nga Prokuroria e Tiranës.