Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S.Qazimi: Tri skica, nxjerrë nga hambari letrar i vitit kobzi 1997

22
Sigal

Vrasësin e njeh vetëm pushka e dorës që vret

 

1.Lezhë … 13 qershor 1997

Kalaja e vjetër fërkon plagët e mureve shekullore me gishtërinjtë e erës.Vilat, çadrat e pallatet krehin cullufet e kuqërremta me avullin e lumit të qetë, tërë llum e bretkosa. Njerëzit, me thartirën e djersës së trupit, të shisheve të parfumeve italiane, pelegrinojnë në Kishën e Shën Nout. Eshtë mjegulla ajo që ua rrëfen rrugën për të kryqi i madh…Zogjtë bishttundës sqepohen qejfshëm mbi gurë e nën pisha. Hekurudha është në grevë; në grevë edhe njerëzit, trenat dhe shinat. Flladin e lulëkuqeve e ndotin plagosjet nga plumbat e ballkonave, tiktaket e frikshme të zemrave, që kanë kaluar në ilegalitet mizor dhe rrahjet e duartrokitjeve të fushatës elektorale të ndotur nga  hajdut-deputetë pa emër…

2.Tri Gjystet

Ishin tri të bukura si tri zana; me sy të gjelbër e “me t’tana”…Thyenin përherë rreze shikimesh të

djemve ushtarë. Lulishtarët ankoheshin prej tyre për ngjeshje mbi bar. Ato tani s’rrehen më, as

rrëmbehen.Të njëzetepestat me kopilì i kaptuan, pikërisht ashtu siç i lëshuan  kopilat nëpër misërishte.

Ato vetëm ndezin zjarrr, madje hapin shpesh edhe varre duke shaluar me bardhësi kofshësh vajzërinë e

tejshprishur. Tri si yje, tri si thëllëza, por tri të sprovuara, që kanë sfiduar klimën, , motin dhe gjithshka.

Dhe siç mbahet mend, më njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë, ra tërmeti!

Ato kapërcyen mbi gërmadha e rrebeshe, e me të ardhurat “për ndihmë për tërmetin” e për vete, edhe pas viteve nëntëdhjetë flirtuan rëndshëm nëpër sheshe. Ato morën burra-meshkuj për të bërë jetë princeshe…Dikush,që i njihte tha:

“Fol po deshe!”Bashkëqytetarët shqiptuan urimin :”Paç fatin e Gjysteve”!

3.Viktima – 47

Ishte polic i ndershëm në çdo ditë pune, kur paraqitej me uniformë të rregullt, paçka se

të pahekurosur.

Kur i vinin bashkëfshatarët në shtëpi, si miq, i priste; kur kish apo edhe kur s’kish me se.(Edhe gruan e tij të re në kësi rastesh, vetëm kurrë nuk e linte, se diçka nga zakonet e traditat i ruante se i dinte.

Paratë s’i mjaftonin (të rrogës, është fjala).Pistoletën një ditë tentuan që t’ia vidhnin!? Ishte korrekt në orar, pazar e trotuar. Ideale kishte pak. Nga të ligat ishte i qëruar…Në ceremoninë mortore të një 24 vjeçari, vrarë për hasmëri e vranë edhe këtë, policin  e ndershëm, atypari…Vallë për ndonjë borxh parash të vonuar? Vallë për …pse vallë e vranë? Nuk pyes kush e vrau, këtë e gjen ajo që e di: pushka. Pyes vetëm  përse vallë e vranë policin e ndershëm?

Zyrtarët e paturp, politikanët e pangopur, karrocat me kuaj të pistë dhe mizat baresin njëlloj si pak orë më parë…