Suplementi Pena Shqiptare/ Laureta Petoshati: Drita në poezinë e Lulëzime Malaj

Rreth vëllimit më të ri poetik “Gruaja me këpucët e kuqe” i Autores Lulëzime Malaj,

që doli në qarkullim pak ditë më parë, nga Shtëpia Botuese “MUZGU” dhe u promovua

NOA

në Bibliotekën shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

Ky vëllim me këtë titull domethënës, është një homazh për gjithë gratë, vajzat, nënat…

e dhunuara dhe që kanë humbur jetën. Një problem social ogurzi, i viktimave në sistemin

shoqëror sa të vjetër dhe të ri, që fatkeqësisht nuk po di të ndalet. 

***

 

Nga Laureta Petoshati

Poete, Studiuese

 

Jemi mësuar të shikojmë poezitë nga temat që trajtojnë dhe shpesh herë temat e një poezie janë të qarta:

Poetët zakonisht në vargjet e tyre kanë një histori për të treguar, një ngjarje, që u ka mbetur në mendje,

ose një dhimbje për të ndarë me lexuesin.

Nganjëherë sipërfaqja të gënjen, sepse po të lexosh më shumë të del një kuptim akoma më i thellë.

Unë nuk do të ndalem në shumë aspekte të poezisë së Lulëzime Malaj, por do të ndalem vetëm në dy prej

Tyre, sepse këto veçori përbëjnë indivilualitetin e saj në poezi dhe e dallojnë nga të tjerët.

E para të duket sikur në poezinë e saj sheh një pikturë. E gjitha kjo atmosferë e krijuar në shumë poezi të saj

të kujton thënien e Da Vinçit se; “Piktura është një poezi që shihet dhe nuk dëgjohet, dhe poezia është një

pikturë që dëgjohet dhe nuk shihet. Pra, këto dy poezi ose e thënë ndryshe këto dy piktura, kanë shkëmbyer

shqisat me të cilat duhet të depërtojnë në intelekt.”

Ja le të marrim për shembull poezinë “Gruaja me këpucët e kuqe”. Të duket sikur kudo që shkon të ndjekin si

ritëm ngjyrat, ku e kuqja, ngjyra sublime e gjakut pikturon një tablo rrëqethëse: dashurinë dhe vdekjen.

Tema ndërthuret konform me ngjyrime kohe, melodie dhe ngjyrash reale.

Po ashtu është dhe te poezitë “S’besoja te magjitë”, “E kush veç agut”, “Ku gjej paqe”, “Vetmia ime” etj.

Madje poezia “Vetmia ime”, është si një tablo brenda tablosë shpirtërore të poetes, e cila pikturon me këto

fjalë tejet origjinale, të cilat theksojnë individualitetin e saj:

 

Kjo vetmi më ngjason me një mjegull,

me një kanavacë të ujshme të shpërvjelë ngadalë,

me një pikturë abstrakte që duket pa kuptim,

por në vetvete me thelb origjinal.

 

E dyta: Përveç përdorimit të ngjyrave si funksion psikologjik dhe si metafora konceptuale, Lulëzime Malaj përdor

dhe dritën në poezinë e saj. Drita i jep poezisë së saj një bukuri të paqtë dhe sublime, si te poezia; “S’besoja te

magjitë” ku më shumë dritësim shpirtëror i japin vargjet:

 

Unë që s’besoja kurrë te magjitë,

të besoj kam vendosur tashmë,

por hënë e plotë si skelet me dritë,

kërkon dashurinë që s’është më.

 

Në përdorimin e dritës në poezi, ajo bën dhe dallimin e llojeve të ndryshme të shkëlqimit, pra të gjendjeve të

brendshme të saj shpirtërore. Ja për shembull këtë diferencim ajo e bën në një poezi të vetme me katër rreshta,

“Atë ditë…”, ku ajo thotë:

 

Atë ditë dielli nuk doli fare,

se nga u fsheh, nuk e di.

Befas në një kthesë të pash ty,

që ndrite hapësirën me dashuri.

 

Drita pasqyrohet dhe kuptohet në kuptimin fizik dhe metafizik si te poezitë “U nder muzgu”, “Një kartolinë për ju”,…

“Ra muzg”, ku të kjo e fundit thotë se:

 

Ra muzg,

por ende ndjej se dita vazhdon

dhe pse yjet si lule molle ndriçojnë.

Jo gjithnjë, muzgjet vijnë të errët, të ftohtë…

se ca muzgje me agimet ngjasojnë!

 

Nganjëherë drita në poezinë e saj merr trajta trashedentale, pra kalon në përmasën tjetër si te poezitë “Kjo grua…”,

apo dhe “Në shtëpinë e prindërve”, ku drita merr përmasën e kujtimeve, e dashurisë njerëzore, e pranisë së tyre në

formë drite në vend të pranisë fizike, si te vargjet:

 

U çmalla e fola me prindërit e vdekur,

ecëm tok si dikur në udhët e diejve,

në muzg ata zgjasin kokat në dritare

dhe ikin si dritë fushës së përtejme.

 

Pra poezia e Lulëzime Malaj ka brenda saj nëpërmjet dritës shpresën, dashurinë dhe shpirtin njerëzor, ka konceptet e

shndërrimeve shpirtërore sipas parimit nga errësira në dritë, ecja drejt së mirës qoftë edhe në errësirë derisa të duket

drita në fund të tunelit. Drita është metaforë e poezisë dhe e jetës së saj si poete. Mendoj, se shpirtin binjak të saj e ka te Lasgush Poradeci.