Suplementi Pena Shqiptare/ Klodi Stralla: Një shëtitje zbavitëse në “Qytetin” tonë yjor

212
Sigal

Ashtu si njerëzit e një qyteti banojnë në lagjet dhe rrugët e tij, edhe Dielli ynë, dhe bashkë me të edhe Toka jonë, banojnë në një qytet yjor gjigant. Ky qytet quhet galaktika e “Rrugës të Qumështit”. Popullsia e tij numuron rreth 100 miliard yje, një prej të cilëve është edhe Dielli ynë.

Ashtu si njerëzit e një qyteti edhe këta “banorë” yj, aty lindin, kalojnë rininë, moshën e rritur dhe pleqërinë, ndonëse jeta e tyre matet me miliona e miliona vjet tokësore. Jetëgjatësia mesatare e tyre është rreth 3 miliard vjet krahasuar me 75 vitet tokësore të njeriut. Përmasat e këtij qyteti yjor janë tepër të mëdha. Për të krijuar një ide mund t’u them se distanca më e afërt, midis dy yjeve fqinje, është 60.000.000.000.000 km. Nëse do të lëviznim me shpejtësinë e dritës (300.000 km/sek) për të kaluar nga njera anë në tjetrën e këtij “qyteti”, do të duheshin 80.000 vjet. Pa tjetër që jemi kuriozë të dimë se ku banon Dielli ynë dhe bashkë me të edhe Ne, banorët e Tokës, në qendër apo në periferi të këtij qyteti gjigand? Studimet kanë treguar se Dielli dhe sistemi ynë diellor ndodhet shumë larg qendrës të këtij qyteti gjigand, diku afër periferisë të tij. Kjo është arsyeja që Dielli ynë lëviz rreth qendrës të qytetit me shpejtësi që mund t’u habisë: 230-240 km/sek ose rreth 850.000 km/orë! Rrotullimin e tij të plotë përqark qendrës të Galaktikës ai e bën afërsisht për 190 milion vjet. Për të krijuar një ide krahasuese, po ju them se që nga krijimi i Tokës sonë kanë kaluar 20 “vjet” të tillë, ndërsa afro 10 “vjet” me parë lindi jeta në Tokë. Jeta njerëzore ekziston qysh prej 1/200 e “vitit” Të 100 miliardë yjet rrotullohen rreth qendrës të “qytetit” si një rrotë gjigande. Por ajo që të habit është “zembereku” i saj: Forca e tërheqjes gravitacionale dhe Inercia, që është mekanizmi që siguron qëndrueshmërinë e sistemit dhe përcakton trajektoret e lëvizjeve të çdo ylli të veçntë. Toka jonë p.sh. mer pjesë njëkohësisht në disa lëvizje: së pari, rrotullohet rreth vetes së vet në 24 orë, pastaj rreth Diellit në 1 vit dhe së bashku me të rreth qendrës të galaktikës. Trajektorja e saj i përngjan një elikoide gjigande. Nëse për një çast do të mendonim se pushon tërheqja gravitacionale midis yjeve e planeteve atëhere të gjithë këta do të lëviznin në të gjitha drejtimet, me shpejtësi shumë të mëdha, disa prej tyre do të përplaseshin me njeri tjetrin dhe “qyteti” ynë do të shpërbëhej e nuk do të ekzistonte më. Po ashtu nëse do të mungonte inercia, yjet do të ndërprisnin lëvizjen e tyre rrethore dhe për pasojë do të binin në qendrën e “qyetit”, duke krijuar një lëmsh të madh të zjarrtë, të ngjashëm me një kazan që vlon. Kurioziteti shtohet nëse duam të dimë se si është e shpërndarë “popullsia” e këtij qyteti, ku banojnë më shumë “njerëz”, në qendër apo periferi? Fakti që të gjithë këta miliarda yje rrotullohen rreth qendrës do të thotë se dendësia e banimit është shumë herë më e madhe në qendër se në periferi. Kjo siguron forcën e nevojshme tërheqëse, që garanton qëndrueshmërinë e sistemit. Me sa duket ne banojmë në zonën “aristokratike” të qyetit, larg “zhurmave, smogut dhe trafikut” të rënduar të qendrës të qytetit, ashtu si në qytetet tokësore ku pasanikët ndërtojnë rezidencat e tyre komode në periferitë e qyteteve! Por ajo ç’ka shkenca njeh deri më tash nuk përfundon tek ky “qytet” gjigant, tek ai që Astronomia e njeh si “Rruga e Qumështit”. Vrojtimet kanë treguar se ekzistojnë edhe shumë “qytete” (galaktika) të tjera, të cilët po ashtu formojnë një “Megaqytet” – Metagalaktikën, rreth të cilës rrutullohen “qytetet” e tij. Ku e ka qendrën, si janë të shpërndara “qytetet”, me çfarë shpejtësi lëvizin? Si është konfiguracioni i tij? Ka shumë pyetje që presin të ardhmen për të marrë përgjigje. Por një gjë është e sigurt: – Ajo që e mban lidhur dhe i jep strukturë këtij “Megaqyteti” është përsëri ajo veti e mrekullueshme e materies – Gravitacioni dhe Inercia.