Zanafilla e inceneratorëve, ish-krerët e ministrisë së Drejtësisë, Manjani dhe Isaraj: Engjëll Agaçi insistoi të firmosej. Emergjenca mjedisore u shpall pa bazë ligjore. Dokumentet tregojnë se shpallja e emergjencës mjedisore në vitit 2014 që i hapi rrugë inceneratorëve, u bazua në një vendim të kontestuar, që “nuk kishte fuqi ligjore dhe vendimmarrëse”. Provat e abuzimit dhe teatri i komisionit parlamentar
Zanafilla e inceneratorëve. Ish ministri: Engjëll Agaçi insistoi të firmosej
Emergjenca mjedisore u shpall pa bazë ligjore, dëshmi dhe dokumente tregojnë se shpallja e emergjencës mjedisore në fillim të vitit 2014 – e cila i hapi rrugë inceneratorëve u bazua në një vendim të kontestuar, që “nuk kishte fuqi ligjore dhe vendimmarrëse
Inceneratorët dogjën fonde, por jo plehrat
Deri në muajin shkurt, buxheti i shtetit ka paguar 91.5 milionë euro – pa llogaritur TVSH-në për këto kontrata, nga të cilat 55 milionë euro kanë shkuar për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit. Prej vitesh, kontratat koncesionare për ndërtimin llogaritet të kapin një vlerë më të madhe se 430 milionë euro, kanë qenë në qendër të akuzave për shpërdorim detyre nga zyrtarë të lartë dhe ministra.
Në fillim të shkurtit 2014, pesë zëvendësministra të qeverisë të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama u mblodhën në një sallë mbledhjesh të Ministrisë së Mjedisit në rrugën e Durrësit në Tiranë, në funksionin e tyre si anëtarë të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve. Mbledhja e thirrur pa axhendë paraprake u tensionua pas një propozimi të ish-zv. ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Gjon Radovani për shpalljen e emergjencës mjedisore në territorin e Shqipërisë.
Propozimi u kundërshtua nga dy anëtarë të komitetit – Ylli Manjani dhe Arben Isaraj, duke e transformuar mbledhjen në dukje rutinë, në një diskutim maratonë mbi ligjshmërinë e vendimit për shpalljen e gjendjes së emergjencës mjedisore kombëtare.
Komiteti nuk arriti në konsensus, por sipas dy prej anëtarëve të Komitetit, Këshilli i Ministrave e qarkulloi dokumentin si një vendim qarkullues, duke marrë firmën e 3 prej 5 anëtarëve të komitetit.
Sipas kryeministrit Edi Rama, ky dokument është gurthemeli i procedurave, që çuan në lidhjen e kontratave të partneritetit publik privat për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit.
“Mbi këtë bazë, hap pas hapi kanë ndodhur të tjerat,”- i tha Rama komisionit hetimor parlamentar të ngritur për të hetuar procedurat administrative, që çuan në dhënien e kontratave të inceneratorëve.
Por dëshmitë e mbledhura nga anëtarët e Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve sugjerojnë se vendimi që kryeministri e konsideroi si pikënisjen e procedurave është në kundërshtim me ligjin, çfarë ngre pikëpyetje mbi gjithë hapat administrative, që pasuan deri në nënshkrimin e kontratave koncesionare. I pyetur nga BIRN nëpërmjet drejtorit të Agjencisë për Median dhe Informacionin, Endri Fuga, Këshilli i Ministrave nuk komentoi mbi ligjshmërinë e vendimit për shpalljen e emergjencës mjedisore kombëtare deri në publikimin e këtij shkrimi.
Një vendim ekstraligjor
Prej vitesh, kontratat koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, të cilat llogaritet të kapin një vlerë më të madhe se 430 milionë euro, kanë qenë në qendër të akuzave për shpërdorim detyre nga zyrtarë të lartë dhe ministra.
Deri në muajin shkurt, buxheti i shtetit ka paguar 91.5 milionë euro – pa llogaritur TVSH-në për këto kontrata, nga të cilat 55 milionë euro kanë shkuar për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.
Në fund të tetorit, Kuvendi ngriti një komision hetimor për inceneratorët, ndërkohë që me 14 dhjetor, Prokuroria Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, arrestoi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion në lidhje me procedurën e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit. Koka i ka mohuar akuzat.
Gjatë seancës ku u thirr si dëshmitar në komisionin hetimor parlamentar, kryeministri Edi Rama theksoi se vendimi i datës 5 shkurt 2014, i marrë nga Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, kishte shërbyer si bazë ligjore ku është mbështetur Këshilli Bashkiak i Elbasanit për shpalljen e emergjencës mjedisore dhe dhënien e kontratës ‘me negocim, pa shpallje paraprake’ kompanisë Albtek Energy.
“Pra e nisëm për gjithë vendin, emergjencë kombëtare,” tha Rama gjatë dëshmisë së tij, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Luçiano Boçi se mbi ç’bazë ligjore ishte bazuar emergjenca e shpallur nga bashkia Elbasan.
Një kopje e vendimit të datës 5 shkurt 2014 e siguruar nga BIRN, tregon se dokumenti është firmosur nga tre zëvendësministrat anëtarë të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve – Oljana Ifti, Gjon Radovani dhe Dritan Hila. Ndërsa dy anëtarët e tjerë me profesion juristë – Ylli Manjani dhe Arben Isaraj nuk e kanë nënshkuar vendimin.
Tetë vjet më vonë, ata argumentojnë se kjo strukturë nuk kishte tagër ligjor për të marrë vendime.
Manjani i tha se kujtonte që gjatë mbledhjes në vitin 2014 e kishte kundërshtuar axhendën e saj për arsye juridike dhe e cilësoi vendimin për shpalljen e emergjencës ‘nul’ nga kjo pikëpamje.
“Në këtë takim nuk kujtohem të kishim ndonjë axhendë paraprake, por aty në mbledhje na u prezantua nga zv/ministrja e Mjedisit se jemi përpara një gjendje të rëndë mjedisore dhe se për këtë duhet shpallur një emergjencë mjedisore,” tha Manjani, i cili në atë kohë mbante funksionin e zv/ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës.
Sipas tij, komitetet ndërministrore janë mekanizma konsultativë politikash, ku zakonisht shkojnë si delegim zëvendësministra dhe në këto komitete nuk merren vendime që të kenë fuqi detyruese.
“Formalisht ky vetëm emrin ka komitet ministror, sepse në përbërje ka vetëm zv/ministra, të cilët nuk kanë fuqi kushtetuese, vendimmarrëse. Komiteti ndërministror në vetevete nuk merr vendime, aq më tepër të deklarojë gjendje emergjence, që sipas Kushtetutës i deklaron qeveria,” tha ai.
Ish-zv/ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj i tha gjithashtu BIRN se Komiteti nuk kishte tagër ligjor për të marrë vendime. Ai theksoi se detyra ligjore e këtij Komiteti ishte që në fund të çdo viti të dërgonte në Këshillin e Ministrave një raport për gjendjen mjedisore dhe hapat e ndërmarrë nga institucionet për përmirësimin e saj.
“Ne nuk kishim të drejtë të vendosnim,” tha Isaraj. “Komitetet nuk marrin vendime,” saktësoi ai, duke cituar disa herë ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve’.
Ligji “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve’ nuk parashikon që Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve të shpallë gjendjen e emergjencës mjedisore. Vetë vendimi i 5 shkurtit 2014, bazohet në një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 25 tetor 2013, i cili ia shton këtë funksion Komitetit, duke e ngarkuar me përgjegjësinë për “shpalljen e fillimit dhe përfundimit të emergjencës mjedisore në vend”.
Sipas Isarajt, ky funksion shtesë i parashikuar nga VKM-ja e tetorit 2013 është në kundërshtim me ligjin.“Nuk më duhet VKM-ja, unë bazohem tek ligji,”- tha ai.
Edhe ish-zv/ministrja e Mjedisit, Oljana Ifti – e cila në vitin 2014 drejtonte Komitetin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe e ka firmosur vendimin qarkullues, e cilësoi atë pa fuqi ligjore.“Komiteti nuk ka qenë vendimmarrës, por koordinues,” tha Ifti. Dy anëtarët e tjerë të Komitetit – Gjon Radovani dhe Dritan Hila i thanë BIRN se nuk e mbanin mend mbledhjen. Ndërkohë, Manjani pretendoi se në mbledhjen e 5 shkurtit 2014, e cila ka zgjatur disa orë, me ndërprerje pushimi në mes për shkak të diskutimeve, kishte qenë prezent edhe sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, i cili sipas Manjanit kishte insistuar që ai ta firmoste këtë dokument.
Megjithatë, prezenca e Agaçit nuk mbështetet nga kujtesa e anëtarëve të tjerë të Komitetit. Drejtuesja e tij, Oljana Ifti i tha BIRN se në mbledhje nuk ka qenë prezent Sekretari i Përgjithshëm, por Artur Metani – që mbante në atë kohë detyrën e drejtorit të Departamentit Rregullator dhe të Përputhshmërisë në Kryeministri. Ifti e quajti Metanin “i dërguar nga Agaçi”.
Vetë Metani tha se nuk e mbante mend mbledhjen konkrete, pasi tha se merrte pjesë në shumë mbledhje të tilla në atë kohë. Isaraj dhe Radovani mohuan që Ëngjëll Agaçi të ishte pjesë e mbledhjes, ndërsa vetë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ishte i arritshëm për koment.
Vendimi pa bazë shkencore
Sipas ekspertëve mjedisorë të konsultuar nga BIRN, shpallja e emergjencës mjedisore kombëtare në shkurt 2014 nga Komiteti për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, jo vetëm nuk kishte bazë ligjore, por edhe nuk mbështetej në të dhëna shkencore.
Në një analizë të vendimeve institucionale që çuan në shpalljen e kësaj emergjence, Rodion Gjoka, ekspert pranë Njësisë së Menaxhimit të Mjedisit Urban në Institutin për Zhvillimin e Habitatit (Co-Plan), i tha BIRN-it se racionalja teknike mbi të cilën supozohet që të jenë inspektuar indikatorët mjedisorë rezulton të jetë vizuale dhe jo-shkencore.
“Relacioni apo raporti, i cili ka nisur kërkesën për shpalljen e emergjencës mjedisore nuk është bërë transparent,” tha Gjoka, duke ngritur pikëpyetje për indikatorët ku është bazuar Komiteti.
Vëzhgimi vizual nuk e hedh poshtë gjendjen e rënduar të mjedisit, sipas ekspertit, por “nuk orienton vendimmarrjen e autoriteteve drejt një zgjidhjeje të duhur”.
Sipas Gjokës, vendimi i Komitetit mund të jetë nxitur nga nevoja për të justifikuar propozimin e pakërkuar për të ndërtuar inceneratorin e Elbasanit, nëpërmjet një procedure koncesionare.“Këtu mendoj që është vepruar qëllimisht për të legjitimuar një iniciativë të pakërkuar, si ajo e ndërtimit të inceneratorëve, e cila në vetvete nuk mund të jetë prioritet, kur në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve listohet e fundit,” shtoi ai. Aktivistët mjedisorë ankohen se hapat administrativë të njësive të qeverisjes vendore për ndërtimin e inceneratorëve – të cilat kanë ndjekur vendimin e Komitetit ndërministror të shkurtit 2014, kanë qenë njësoj të debatueshëm.“Asnjëherë nuk jam thirrur për të marrë pjesë në ndonjë dëgjesë publike për këtë qëllim,”- tha Ahmet Mehmeti, kryetar i Klubit Ekologjik në Elbasan.“Organet e pushtetit lokal dhe qendror, kur bie fjala për menaxhimin e integruar të mbetjeve, flasin vetëm për inceneratorë dhe asnjëherë të vetme për riciklimin e mbetjeve,”- përfundoi ai.
Jorida Tabaku në shërbim të Ramës? Del “zbuluar” e besuara e Bashës për teatrin me inceneratorët
E besuara e Lulzim Bashës, Jorida Tabaku, kreu me “sukses” misionin e saj në shërbim të aferës së inceneratorëve. Inceneratorët, tashmë botërisht të njohur si një aferë korruptive, kanë një ish-ministër në pranga. Kjo, vetëm për inceneratorin e Elbasanit. Pra, në një nga tre investimet prej 178 milionë euro. Jorida Tabaku drejtoi një të ashtuquajtur Komision Hetimor Parlamentar, i kërkuar nga Lulzim Basha, në një kohë që afera e inceneratorëve është tashmë çështje e drejtësisë dhe SPAK ka nisur hetimet. Por, ndërkohë që Komisioni Hetimor është mbyllur dhe tashmë pritet vetëm raporti përfundimtar, në fakt Jorida Tabaku nuk nxori në dritë asgjë. Thjeshtë dhe vetëm e mbylli me dy mbledhjet e fundit, ku luajtën “teatrin” e tyre kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Ndërsa Tabaku, iu shërbeu deri në fund duke luajtur rolin, të cilin i kishin caktuar. Por, ndërkohë e besuara e Bashës duket se vijon “teatrin” e saj, me denoncime në rrjetet sociale.
Në fakt Tabaku nuk ishte në gjendje t’i tregonte Ramës se ku ishin 430 milionë eurot, as 40 milionët e dherave, por ama është shumë e “zonja” me postimet në rrjetet sociale. Por, duket se demokratët janë tashmë të lodhur me propagandë boshe dhe kanë shpërthyer në komente kundër Tabakut. Demokratët shkruajnë se Tabakut dhe Bashës iu ka dalë “gjumi” me vonesë dhe se nuk bëhet politika me propagandë në rrjetet sociale.“Ju ka dalë gjumi vonë, me vendimet e papjekura të kryetarit tuaj. Dorëzuat mandatet e dolët në rrugë se kujtuat se do ju mbështeste bota Perëndimore demokratike. Nuk bëhet propoganda në fb, por ai që ka mend në kokë përgatit materialin e plotë dhe e dërgon pranë organeve të Prokurorisë.
E janë këto organe, që vendosin nëse ka shkelje ligjesh shteti e abuzime nga pushtat pushtetarë.”-shkruan një qytetar. Ndërsa një tjetër shkruan “Jorida Tabaku ju po moooo u këputët bashkë me Lulushin. Po ikni se latë nam me këto komisione fasadë, juve doni të mbuloni M. me Sh. Turp të ju vijë”. Po ashtu një komentues shkruan; “Ca të bëjmë ne me këta që vjedhin e bëtë komisionin. Çfarë bëtë? Shpërdoruat ato lekë për Komisionin dhe veç kot”.
Zbardhen provat, si është abuzuar me inceneratorin e Fierit
Deputetja e PD, Dhurata Çupi ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka drejtuar akuza të forta në lidhje me aferën e inceneratorëve. Çupi ka publikuar disa dokumente ku thuhet se në to provohet abuzimi me zbatimin e projektit për inceneratorin e Fierit dhe përfshirjen e kryebashkiakut. Kryebashkiku i Fierit ka përgjegjësi direkte për ndryshimin 3 herë të vendit për ndërtimin e incineratorit: Nga fshati Plyk, pastaj në Mbyet dhe më pas në Mbrostar, është një vendim i pajustifikuar që u kushtoi qytetarëve 460 milionë lekë. Në vend që të zgjidhte një pronë shtetërore, pa kosto, Armando Subashi e vuri gishtin tek një tokë private me pronar, shpronësimi i të cilës kushtoi 460 milionë lek. Armando Subashi nuk u dha dot përgjigje disa pyetjeve thelbësore: Përse u perzgjodh një tokë private, duke ndikuar për keq ne buxhetin e shqiptarëve? Përse nuk zbatoi ligjin për konsultimin publik? Kush ndryshoi destinacionin e tokës finale për ndërtimin e incineratorit, nga tokë arë në tokë truall për t’i rritur çmimin në mënyrë fiktive? Asnjë nga këto veprime nuk bëhet dot pa miratimin e kryetarit të Bashkisë. Është Armando Subashi që ka drejtuar këtë operacion me abuzim 460 milionë lekë.
Është Armando Subashi që ka lejuar që pasuria publike të jetë si garanci bankare në favor të koncesionarit. Është koha që drejtësia të bëhet e plotë. Nuk mundet që të kalojë në heshtje përgjegjësia e Kryetarit të Bashkisë së Fierit për mospërmbushjen e kushteve të kontratës nga incineratori i Fierit. Bashkia e Fierit ka përfaqësuesit e vet në njësinë e zbatimit të projektit, por kryetari Subashi nuk kreu detyrën e vet funksionale për të kërkuar respektimin e kontratës koncesionare sipas ligjit. Për këto dhe shkelje të tjera të ligjit, Partia Demokratike ka depozituar sot në SPAK një kallëzim të ri penal për kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi. SPAK duhet të veprojë shpejt! Aktet janë aty! Provat flasin për një bashkëveprim të koordinuar për t’u grabitur shqiptarëve 430 milionë euro me incineratorët. Sa më shpejt të çohen para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e superaferës, aq më i fortë do të jetë mesazhi se pandëshkueshmërisë po i jepet fund dhe se askush nuk është i paprekshëm!“-tha Dhurata Çupi.