Suplementi Pena Shqiptare: Jovan Bizhyti: Jakov Xoxa dhe Nasho Jorgaqi, letërsia i bëri miq të ngushtë

208
Sigal

Pavarësisht se i përkasin brezave të ndryshëm, shkrimtarët e shquar Jakov Xoxa dhe Nasho Jorgaqi, letërsia i njohu dhe i miqësoi qysh herët në qytetin e tyre të vogël në vitet 50-të, siç ishte qyteti myzeqar i Fierit. Nasho Jorgaqi në kujtimet e tij shkruan: “Kur kujtoj Jakov Xoxën, mendja sepse më shkon në rininë time të hershme. Ishte koha kur sapo kish filluar të më zgjohej interesi për letërsinë, apo më sakt për librat”. Ishin vitet e para të pas çlirimit, kur gazetat e kohës, sado të pakta, ekspozonin emra të letrarëve me krijimet e tyre, ku një ndër ta, ishte dhe emri i Jakov Xoxës. Ai botonte vjersha, tregime dhe artikuj në gazetën “Përlindja e Rinisë”, që dilte në Vlorë dhe gazeta “Rinia”, që botohej në Tiranë. Për Nasho Jorgaqin dhe shumë shokë të tij të rinj, ky emër që në ato kohë të para viteve 50-të, ishte i dëgjuar në qytetin e vogël të Fierit me 5000-6000 banorë, ku fisi Xoxa ishte një fis i gjerë. Ishte një shtëpi dy katëshe në qendër të qytetit, ndan rrugës kryesore, ku kalonin për ditë, i ati Nasi Xoxa, një burrë i shkurtër me kapele rrepublikë dhe djemtë e tij, Jakovi dhe Aleko Xoxa. Alekon, Nashua e njihte se ishin afërsisht moshatar dhe në pushimet e shkollës në verë, punonin së bashku si çirak në një farmaci të qytetit.

Një natë, Nashua me një shokë kishin shkuar në kinema për të parë një film të kohës. Para se të fillonte filmi, shoku që kish në krah i thotë: -Shiko aty përpara, në dy rreshta para nesh, djathtas, është Jakov Xoxa. Nashua nuk arriti t’a shikoj me vëmendje, se u fikën dritat dhe filloi filmi. Pas filmit, qëndruan në hyrje të sallës për t’a parë më nga afër. Nuk kaloi shumë kohë dhe e pa sërish Jakovin në bibliotekën e “Shtëpisë së Rinisë”, që sapo ishte çelur në “Sarajet e Vrionasve” në qendër të qytetit. Nashua nisi t’a frekuentoj për të lexuar libra. Diku në një tavolinë afër dritares, ishte ulur Jakovi, që vetëm shkruante, kurse shumë të tjerë në sallë, vetëm lexonin. Një ditë, Nashua e priti kur doli nga salla dhe i foli me drojtje: -Kam lexuar disa nga tregimet tuaja që keni botuar dhe më kanë pëlqyer. Ai buzëqeshi dhe e falnderoi, pastaj e pyeti se djali i kujt ishte? Dhe kur Nashua u përgjigj, ai thirri: -O.., djali i gjykatësit je ti?! Po ti qënke djali i ynë, qënke goxha djalë! Më vonë, Nashua mori vesh se dhe prindërit e tyre ishin miq. Nga ajo ditë, ai nuk e pa më Jakov Xoxën në qytetin e tyre të vogël, pasi siç mësoi, ai kish shkuar për studime jashtë shtetit në Bullgari. Kaluan disa vjet. Nashua, pasi kreu shkollën unike në Fier, shkoi në Shkodër për të ndjekur gjimnazin. Atje, një pasdite, pa në vitrinën e “Librarisë së Madhe” të qytetit, një libër, ku në kopertinë shkruhej: “Novela” nga Jakov Xoxa. E bleu menjiherë dhe që atë natë, e lexoi me një frymë deri në orët e para të mëngjezit. Autori në libër tregonte për Myzeqenë, për jetën dhe mjedisin e saj, për psikologjinë e myzeqarit, që Nashon e emocionoi dhe e bëri për vete.-Libri më tërhoqi,- tregon Nashua, pasi dhe unë vija nga i njejti mjedis, njihja pak a shumë po ata tipa, flisja po atë gjuhë krahinore, ndjehesha gati pjesë e tij. Në fillimet e viteve 50-të, Jakovi sapo ishte kthyer nga studimet jashtë shtetit dhe kish nisur punë si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, kur dhe Nashua ishte student në degën Gjuhë-Letërsi. Diferenca e moshës dhe e pozitës, nuk na pengoi të afroheshim.

Jakovi tregohej i dashur dhe shumë i afrueshëm. Mbaj mend, – tregon Nashua,- kur i rrëfeva interesimin tim për librat e tij, ai u prek dhe në shenjë miqësie, më dhuroi një libër të tij me autograf, ku shkroi: “Nashos, peng dashurie”! Prej asaj kohe, ne do mbeteshim miq përgjithmonë. Në Tiranën e fundviteve 50-të dhe fillimeve të viteve 60-të, nisi të zhvillohej një jetë e gjallë letrare. Botoheshin njëherësh krijimtaria e disa brezave shkrimtarësh dhe kjo e bënte interesante atmosferën letrare e artistike. Nga brezi i vjetër binte në sy mungesa e disa emrave të shquar të letërsisë shqipe, pasi ata ose qenë ndarë nga jeta, ose qenë goditur politikisht, megjithatë ishin ende të pranishëm disa prej tyre të njohur të atij brezi si: Haki Stërmilli,, Ali Asllani, Nonda Bulka, Sterio Spase, Lesgush Poradeci, Vedat Kokona e tjerë. Po ashtu ishte dhe plejada e shkrimtarëve që i takonte brezit të viteve 30-të dhe pjesmarrës në Luftën Antifashiste Nac.Çl. si: Dhimitër Shuteriqi, Shefqet Musarai, Petro Marko, Andrea Varfi, Kol Jakova dhe brezi tjetër më pas si: Fatmir Gjata, Aleks Çaçi, Llazar Siliqi, Ali Abdihoxha, Luan Qafzezi, Qamil Buxheli, Kasem Trebeshina e tjerë. Midis këtyre emrave, radhitej dhe emri i Jakov Xoxës. Në atë periudhë, Nashua i përkiste një brezi më të ri me bashkohësit e tij si: Drago Siliqi, Dritero Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi e tjerë, që sapo kishin nisur të shfaqeshin në faqet e shtypit me vjersha, skica dhe tregime letrare të ndryshme. Jakovi në atë kohë sapo kish nisur të drejtonte “Tribunën letrare” në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku ky supliment nisi të loz një rrol të rëndësishëm në lëvizjen letrare e të rinjëve të atyre viteve. Jakovi do të bëhej mësues dhe koleg i tyre, sidomos në raportet serioze që tregonte, kur ishte fjala për letërsinë. -Kur nisa punë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”,- tregon Nashua,- prisja momentin për Jakovin, që dhe unë t’ia shpërbleja ndihmën dhe përkrahjen që më kish dhënë në rrugëtimin tim si letrar i ri. Në emër të redaksisë së “Shtëpisë Botuese”, i kërkova të përkthente një vëllim me tregime të klasikut bullgar, Elin Pelin, pasi ai dhe studimet e larta i kish kryer në Bullgari. -Jo,- më tha, më pengon në punën time kryesore. Mesa kuptova,- tregon Nashua,- ai nuk donte të bënte punë paralele. Për këtë shprehej: “S’mundem të mbaj dy gra!” Lidhja dhe miqësia e Nashos me Jakov Xoxën, u forcua edhe më tepër, kur ata u bënë koleg si pedagog në Universitetin Shtetror të Tiranës, në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, ku Jakovi jepte një nga lëndët më të vështira, atë të “Teorisë së Letërsisë”. -Jakovi gëzonte respekt,- tregon Nashua,- bile kishte fituar admirimin e studentave me lëndën e tij aq të vështirë. Por në punën e tij, Jakovi e ndjente veten më parë si shkrimtar, se sa pedagog. Kjo bëri që ai u ngarkua me gjysmën e normës së punës pedagogjike dhe gjysmën tjetër të kohës, iu përkushtua profesionit të lirë të shkrimtarit. Kjo u duk pas disa kohësh, kur ai doli totalisht në profesion të lirë si shkrimtar dhe nisi të largohej nga Tirana për të zbritur në Myzeqe. Ai kish shumë ide e projekte për krijimtarinë e tij, të cilën e kish lidhur pa zgjidhshmërisht me Myzeqenë dhe me jetën e fshatarit myzeqar.

Jakovi e ndjente këtë detyrim, që i buronte nga vitet e hershme, kur fëmijë shkonte nëpër fshatrat e Myzeqesë me të atin tek miqtë e familjes. Familja dhe fisi i Xoxallarëve në Fier, kishin lidhje miqësore me familje të dëgjuara fshatarësh. Ata mbanin krahun e tyre dhe ishin në armiqësi me bejlerët Vrionas. Madje, stërgjyshi i Jakovit, ishte mik me patriotin Rrapo Hekali dhe me shumë nga kryengritësit që i venin pas. Në këtë mjedis dhe me këtë psikologji, ishte rritur dhe Jakovi. Që në krye të herës, Jakov Xoxa, zgjodhi dhe vendin se ku do të vendosej në Myzeqe. Zbarkoi menjëherë në Apolloni, në atë mjedis të antikitetit dhe u strehua në një nga dhomat e atij manastiri të lasht mesjetar. Kështu, Apollonia për të u bë shtëpia e dytë, që asnjë shkrimtar nuk e kish praktikuar deri në atë kohë. Ishte ky, si të thuash, një vetqarkullim, shumë përpara se shkrimtarët të qarkullonin me urdhër nga lartë. Dhe kështu, Jakovi, vendosi të bëhej përkohësisht banor i Myzeqesë si dikur në fëmijërinë dhe rininë e tij dhe jo në Fier, në kushte qyteti, as dhe në fshatin e dëgjuar të Pojanit, por si murg në Manastirin e Apollonisë, në një dhomë pranë kishës së vjetër të Shën Marisë, një holl i së cilës ishte kthyer në muze arkeologjik, duke bashkëjetuar me statujat e mermerta të antikitetit dhe me Xha Pilon, ciceronin e parë të atij muzeu të rrallë të vlerave antike. -Më kujtohet, vizita e ime e parë, që i bëra mikut tim Jakovit, kur ai sapo ishte sistemuar aty,- tregon Nashua.- I shkova papritur dhe e gjeta mbi tavolinë duke punuar. U gëzua dhe më tha, se kishte dy ditë pa dalë.

Frymëzimi e kish lidhur thellë me letrat e shkruara mbi tavolinë. Ambjenti, ishte një dhomë e madhe e thjeshtë dhe e zhveshur. Përballë, ishte një dritare e madhe, që shihte nga fusha e pafund dhe që sillte freskinë dhe aromën e detit. Ndërkaq Jakovi, sikur e ndjeu shqetsimin tim për varfërinë e kushteve dhe mu përgjigj aty për aty: -Vërtetë nuk kam shumë kushte të mira, por kam qetësinë dhe vetminë në shkallën më të lartë, që krijuesi e ka dhuratë nga qielli! -E besova,- thotë Nashua,- gati u magjepsa nga gjithë sa më shihnin sytë. Ky vend dhe ky pozicion, ndoshta ishte “Leva e Arkimedit” e punës së një krijuesi. Gjithë këtë gjetje, Jakovi do ta formulonte në një bllok shënimesh me fjalët: “Unë dua horizont që të shkruaj! Dua liri e qetësi! Ndaj jam mësuar dhe frymëzuar të shkruaj në Apolloni, në dhomën e madhe dhe mistike, përballë detit”. Dhe kjo nuk ishte një fjalë goje, por një realitet. Jakov Xoxa kaloi aty jo muaj, por disa vjet! U ngujua në moshën 35 vjeç dhe u largua prej aty, afër të pesëdhjetave! Dhe këto ishin vitet e punës më intensive e më prodhimtare të një shkrimtari, siç ishte Jakov Xoxa. Nën qiellin e Apollonisë, mes rrënojave antike dhe mureve mesjetare të atij manastiri të lashtë, do të lindte kryevepra e Jakovit dhe një nga romanet përfaqësuese të letërsisë shqipe, siç ishte, “Lumi i Vdekur” dhe veprat e tjera më pas.