Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: ” Banka e Ankesave”

163
Sigal

Gjatë jetës, me siguri keni bërë ndonjë ankesë me shkrim në institucione. Ku ndodhet ajo tani? Ndoshta në romanin e ri të Zija Çelës, që sapo është botuar nga Onufri. Ndodhet, pra, pikërisht në një institucion sa të çuditshëm, aq centralizues, të ashtuquajturin „Banka e Ankesave“. Është diku në regjistrat e hyrjeve, në raftet e arkivit, në bodrumet e kaldajës, në dosjet e njerës prej drejtorive, në radhën e pritjes, radhën per t’u lexuar, pastaj për t’u skualifikuar apo kualifikuar, pastaj për t’iu kaluar një drejtorie tjetër, një nëpunësi që merret me shqyrtimet, pastaj… Po thoni se kanë kaluar tri, shtatë, dhjetë vjet e s’keni marrë ende përgjigje? Po thoni se ankuesi, fqinji juaj, teksa priste më kot u plak, u sëmur e ndërroi jetë! Kjo është puna e tij, Banka do ta asgjësojë atë ankesë, sepse nuk merret me të vdekurit. Funksioni i saj i fshehtë, prandaj i pashpallur, përqendrohet në tjetër synim. Meqë qytetarët janë bërë kërkues të bezdisshëm ndaj instancave të pushtetit, për t’ia lehtësuar punën Qeverisë, aherë le t’i heqim qafe duke i ushqyer me iluzionin e rrejshëm se do t’u zgjidhet ankesa, derisa shpresa t’u vdesë për së gjalli… Kur zhvillohen ngjarjet? Sot e tërë ditën. Ku është skena e veprimit? Tek ne e njëkohësisht ngado, sepse ekziston edhe Banka Botërore e Ankesave…

Dhe të gjitha këto përmes historive jetësore, dramave të prekshme, ndërdyshjeve, tërheqjes a dorëzimit, britmës e dhembjes së pafundme.

Lexuesi ngarend i paduruar…

Mehmet Kraja

Romani „Banka e Ankesave“, ashtu si shumica e romaneve të Zija Çelës, vjen si një alegori e fuqishme, ku shkrihen kontekste dhe referenca të vështira të realitetit jetësor. E këto gjithnjë të shprehura me groteskun e mbindërtuar mjeshtërisht nga autori, duke lënë te lexuesi shijen e këndshme të përjetimit artistik të një rrëfimi pavetor universal. Sipas këtij leximi, të gjithë në këtë botë jemi pjesë e një mekanizmi tragjikisht të kurdisur nga një forcë supreme, e cila nuk ndalet kurrë, duke ushtruar mbi ne vullnet sipëror, qoftë ai pushtet që na keqpërdor brutalisht, qoftë fat që na nëpërkëmb pamëshirshëm.

Kjo vepër e Zija Çelës mund të jetë subjekt krahasimi me romane që nxisin asociacione të largëta me autorë si Kafka, Oruelli ose Kadare (“Procesi”, “1984”, “Pallati i ëndrrave”), por në arkitekturën e tij dhe në shtresimet metaforike romani “Banka e Ankesave” është po aq origjinal dhe i papërsëritshëm.

Vepra duket sikur është shkruar për një lexim të tipit përfshirës, i tillë që të mos marrësh frymë derisa të arrish te faqja e fundit. Në këtë pikë shkrimtari Zija Çela ka një përvojë të shkëlqyer: të gjithë librat e tij të bëjnë të përfytyrosh lexuesin që ngarend i paduruar, jo për të kaluar nga një faqe në tjetrën, por për të mbajtur të pakëputur fillin e rrëfimit, për ta shuar kureshtjen me bëmat dhe fatin e personazheve, mbi të gjitha, për të kapur ritmin e frazës, e cila, si gjithmonë e gdhendur me shije të hollë, vjen e zhdërvjellët dhe me plot referenca kuptimore të bartura ose të drejtpërdrejta.

Sferë Globi- Sferë Loti

Rudolf Marku

Romani “Banka e Ankesave”, ashtu si dhe veprat e mëparshme të Zija Çelës, vjen me mjetin e një furtune që do të shkundë përgjumjen e botës shqiptare, të asaj letrare, në radhë të parë. Sepse çdo shkrimtar i kësaj bote, përpara se të mendojë për marrëdhëniet e tij me botën e përditshme, i duhet të zgjidhë ca kontrata që ai vetë ka me kodet estetike.

I parë në këtë këndvështrim, duke nënkuptuar begatinë estetike, “Banka e Ankesave” është një roman shumë më tepër e më kompleks se kaq. Libri ndërtohet me logjikën e arkitekturës danteske të Ferrit: shkatërrimi infernal i qenies njerëzore nga mekanizmat shtetërore burokratike e kontrolluese, me gjithë pasojat e një procesi të tillë – mozohizimi i viktimave dhe, si kundërgoditje, degradimi i vetë aparatit diabolik që survejon.

Jemi shumë afër gjenetikisht me një ndër veprat më të njohura të Franc Kafkës, me “Koloninë Penale”. Ndërsa në letërsinë tonë, i afërmi më gjenetik i romanit të Çelës do të qe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, njëri ndër dy librat më të famshëm të Kadaresë.

Kjo vepër e Zija Çelës ka më pak personazhe nga romanet e tjera të tij, midis të cilëve ndonjëri e kalon edhe numrin njëqind. Autori e ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’u qëndruar gjithnjë afër karaktereve, në mënyrë që t’i bëjë sa më të prekshme, duke u dhënë mish e frymë. E po kështu, gjatë leximit, ndihet se veprën e përshkon një dhembshuri autoriale më direkte, më e shpallur para lexuesit.

Romani fillon me një glob, teksa drejtor Zamarini, në ritualin e përditshëm të shtrirjes së krahëve, përfytyron se ka vetë rruzullin e Botës në duart e tij. Pastaj sërish përfundon me një glob tjetër, por këtë radhë me rruazën e pikës së lotit, me sekretin hyjnor të vuajtjes së qenies njerëzore, me globin e vërtetë jo vetëm të planetit Tokë, por të vetë Universit tonë.