Meçan Hoxha/ Vaso Papaj: “Një çantë shpine dhe dy puthje”

13
Sigal

Më në fund tërhoqa nga shtypshkronja vëllimin poetik “Një çantë shpine dhe dy puthje” Bashkëngjitur po ju sjell parathënien, nxjerrë nga libri “Kontribute letrare 1” të historianit dhe publicistit: z. Meçan Hoxha, kryetar i Klubit të Artistëve dhe Shkrimtarëve të Durrësit.

Në vend të prologut: për poetin Vaso Papaj

Shkrim, nxjerrë nga libri:”Kontribute Letrare”:

Vaso Papaj, është poet e shkrimtar që ka lindur në Durrës dhe, është ngjizur, si rrallë kush, me këtë qytet, me këtë qytet të madh, që nuk e nxuri kurrë, madhështinë e poetit. Shkëlqimi i Vasos i vriste sytë qytetit të madh, e të zhurmshëm bregdetar. Ndaj e la të frymonte e të formohej jashtë dyerve të tij. E la bunkierëve, baltërave, blozërave, për t’ia zbehur gjykimin, venitur shikimin, përgjumur ndjenjat, thënë ndryshe: gjunjëzuar në baltë, në blozë, mbyllur në bunkier, pa dritë, pa njerëz, pa jetë. Dhe, kështu do të kishte ndodhur, po të ishte një njeri i zakonshëm, por, Vaso Papaj ishte dhe është artist i madh. Llogaritë nuk qenë bërë me përmasat e tij. Ai ishte diamant që s’kishte çfarë t’i bëjë balta, ndryshku e zgjyra, ishte prush që nuk e shuante shiu, lumi e deti, ishte sy që shihte e sheh përtej realitetit zyrtar, vesh që dëgjonte e dëgjon çdo rënkim, zemër, që ndjente e ndjen çdo dhembje dhe nuk u ndje i mundur asnjëherë, po me besim te vetja, kultivoi, rriti e zhvilloi artin, si të vetmin mjet, me të cilin një njeri mund të “matet me një mal”. Kishte besim, se do të ndodhte dhe për këtë punoi, kur të tjerët flinin, i qëndroi furtunës, që i thante shpirtin dhe dashuroi, për të mbajtur pranë shpresën. Këto, pak përshtypje nuk i kam marrë në kafe, por i kam gjetur në librat e tij, në prozë e poezi, ku ua ka thënë të gjithëve. Dhe, ua thotë përditë, edhe me këtë libër të fundit’

Gëtje-ja i madh, na ka këshilluar, se është mirë që, çdo ditë të dëgjojmë një këngë të bukur, të shohim një pikturë të bukur dhe të lexojmë një poezi të bukur, mundësisht të mësojmë, dhe ca vargje përmendësh. Ka kohë, që, këtë të fundit, ma ka mundësuar poeti, Vaso Papaj. Ai, çdo mëngjes, fut në fb. nga një poezi të tijën, të cilat unë i lexoj me qejf. Poezitë e Vasos janë të dobishme dhe të bukura. Janë të dobishme, se përcjellin mesazhe të rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Na rrëfejnë çfarë kemi gabuar, çfarë nuk po bëjmë mirë dhe, ç’duhet të bëjmë në të ardhmen. Janë të bukura, se kur i lexon të sjellin kënaqësi, jeton e njësohesh me to dhe, ngarkohesh me emocione pozitive.

Poezia e Vasos, i këndon dhembjes dhe dashurisë. Në të, dashuria ka dimensione universale. Dashuron natyrën dhe peizazhin, dashuron njeriun dhe virtytet, dashuron të bukurën, kudo që ajo shfaqet, sidomos te dashuritë e jetës së tij. Vuan dashuria e Vasos, sepse i duhen stërmundime për të mbijetuar e triumfuar. Poezia e Vasos, ulërin kundër dhembjes. Edhe dhembja, që ndjen dhe përcjell ai me poezi, është universale. Ndjen dhembje për jetën dhe fundin e një fatkeqi, ndjen dhembje nga vuajtjet e pamerituara të njeriut të zakonshëm, ndjen dhembje për popullin e tij. E, shkak për këto dhembje, poeti tregon njerinë. Njerinë që privon lirinë, për njerinë. Mungesën e lirisë së popullit të vet e vlerëson si gjëmën më të madhe, që ka sjellur shumë mënxyrë, edhe për jetën e tij. Ndaj poezia e Vasos, është qëndresë, është thirrje, është marsh, është zemërim e revoltë. Shpeshherë, i soset durimi dhe thërret: deri kur?!

Tematika, problemet, mesazhet dhe bukuritë e poezive të Vaso Papajt, duan angazhim të gjerë, ku s’do të mjaftonte as një libër e jo më një shkrim.

Por poezia e Vasos kap hapësira e interesa më të mëdha. Ajo s’është thjesht dhembje, ajo është armë në duart e intelektualëve e artistëve të të gjitha fushave, për t’u përballur me antikapët e politikës. Këtë bën Vasoja në të gjitha poezitë, ndaj emri i tij, menjëherë, të çon te poezia dhe poezia e tij të çon te dhembja.

Po, ç’është zëri i poetit, po nuk u lexua, dëgjua e besua?

Ç’është një këngë e kompozuar, po nuk u dëgjua dhe këndua?

Ato janë të fjetura, për të mos thënë të vdekura. Ato kanë jetë, rriten dhe shpërthejnë si vullkan, kur pushtojnë zemrat dhe mendjet e të gjithëve, atëhere marrin forcë dhe bëhen ortek.

Ndaj, t’i lexojmë, t’i dëgjojmë dhe të mësojmë prej poetëve. Të armatosemi me mendimin, ndjenjat dhe dashuritë e tyre. Shoqëria duhet ta ndjejë, dëgjojë e shikojë zemrën, mendjen, penën e zërin e poetit, dhe t’i përdorë për të shpëtuar prej dhembjes.

Poetët janë ndjenjë e bukur që flladit shpirtërat me fjalën e ëmbël, plot melodi e bukuri rrezuese, por ata janë dhe zë i ashpër që buçet dhe oshëtin si rrufe e bubullimë që shemb dhe malet. Lexoni dhe dëgjoni poetët. Këndoni këngën e tyre dhe bëhuni më të mirë. Dëgjoni fjalën e tyre, që të bëni më mirë. Dëgjojini në kohë, ndryshe mbetemi të vonuar.

U çorri maskën maskarenjve, Sokrati, por ata e mundën, i fyu Konica, por ata nuk pyetën, i shau ashpër Ali Asllani, por mbeti vetëm, sikurse Migjeni e të tjerë. Duhen mbështetur poetët se ndjejnë më shumë, shohin më larg, janë më njerëz. Duhen dëgjuar Vaso Papaj dhe shokët e tij poetë, duhen mbështetur dhe vepruar nën dritën e mendimeve të tyre. Ata po e bëjnë detyrën si qytetarë, si patriot, si luftëtarë për më të bukurën, më të mirën më të dobishmen. Ta përdorim sot forcën e tyre, se nesër bëhet vonë.

Të mbështesim poetët, që të mos i mundin, dhunojnë e vrasin, se vritet e sotmja dhe e ardhmja jonë. Zëri i poetit, është si zë profeti, është zë shpëtimtar, kur dëgjohet. Ai është thirrje për bashkim kundër të ligës, ngado e kushdo që vjen, sepse e mira e bashkuar e tut dhe e mund atë. Dëgjojini poetët, o njerëz. Ata sakrifikojnë që të jenë pranë jush. Vuajnë më shumë, ushqehen më pak, flenë më pak, pushojnë më pak. Askush si ndihmon, sepse ata u shembin kalanë e poshtërsisë. Por ata mbijetojnë. Mbijetojnë për ne, por dhe ne duhet të bëjmë detyrën tonë, si luanë, jo si zvaranikë.

Në krijimtarinë e Vasos, në romane, në poema e poezi, bile dhe në strofa, do të gjeni përherë, metaforën,“dimër”. E ëndërroi, e luti dhe e shpresoi, por nuk e preku asnjëherë “pranverën”, sepse pranverën ja vrau “dimri”, ajo mbeti e murosur në acar, në akull. Ndaj, ai nuk rresht së menduari, së foluri e së shkruari për pranverën e ëndërruar. Ka shpresë. Ka shpresë poeti. Duhet ta besojmë e ta dëgjojmë. Të bashkohemi me të e të veprojmë, për të shpëtuar nga “dimrat”. Poeti po na ndihmon me përvojën e tij, me dashurinë e tij, me dijet dhe talentin e tij. Ta dëgjojmë. Ta dëgjojmë për të mos patur “dimër” në djep, në sofër, në shtrat, në shkollë, në punë, në atdheun tonë që, natyra i ka lënë shumë pak vend dimrit.