Presidenti i ri/ Pro dhe kundra: Alibeaj, zbardh 10 emrat e propozuar, Bylykbashi: Nuk bëhemi pjesë e lojës Alibeaj-Rama

139
Sigal

 

23 deputetë demokratë, iu përgjigjën një ftese nga Enkelejd Alibeaj për të diskutuar kandidaturat për President, pas më shumë se 3 orë mbledhje kanë konkluduar me një listë prej 8 emrash, që do të kalojnë në fazën e një diskutimi të thelluar. Kandidatët që kalojnë në diskutim të thelluar 1.Leonard Demi 2.Arben Çejku 3.Dritan Demiraj 4.Dashamir Shehi 5.Rexhep Uka 6.Halim Kosova 7.Leka Zogu 8.Visar Zhiti. Lista prej 8 emrash u përzgjodh nga 10 propozimet e bëra nga deputetë të ndryshëm të PD-së, në një takim, që edhe pse u zhvillua në selinë e kësaj partie, nuk ka mbështetjen e Komisionit të Rithemelimit, që zyrtarisht përfaqëson dhe drejton këtë forcë politike. Pas mbledhjes, Alibeaj tha se do të synohet përzgjedhja e një candidature, që do i paraqitet socialistëve për raundin e 2-të ose të 3-të. Kandidatët që u propozuan në fillim 1.Leonard Demi 2.Arben Çejku 3.Dritan Demiraj 4.Dashamir Shehi 5.Jorida Tabaku 6.Rexhep Uka 7.Halim Kosova 8.Leka Zogu 9.Visar Zhiti 10.Lajla Pernaska. Deputetët që i kanë propozuar Ferdinand Xhaferri propozon Leonard Demit; Flamur Hoxha, Zef Hila e Ramadan Lika propozojnë Arben Çejkun; Bledjon Nallbati propozon Dritan Demirajn; Kreshnik Çollaku propozon Dashamir Shehin, Lajlja Përnaskën dhe Jorida Tabakun; Sajmir Koreshi propozon Visar Zhitin; Xhelal Mziu propozon Dashamir Shehin, Rexhep Ukën dhe Halim Kosovën; Dhurata Çupi propozon Princ Lekën.

PD, Bylykbashi: Alibeaj pranoi që Edi Rama të caktojë edhe opozitën

Deputeti Oerd Bylykbashi, njëkohësisht negociator për çështjen e Presidentit të ri, doli në një deklaratë për shtyp. Ai tha se e ashtuquajtura marrëveshje e shpallur nga Enkelejd Alibeaj konfirmoi se Edi Rama po cakton edhe opozitën. Bylykbashi nga selia blu deklaroi se Alibeaj pranoi marrëveshjen që i ofroi Taulant Balla për llogari të Ramës. Ndër të tjera Bylykbashi tha “Me 18 maj 2017, Basha i fali Ramës zgjedhjet duke pranuar që të mos përdorej koalicioni. Rama ia kërkoi heqjen e koalicionit që ta lejonte Bashën të dilte nga çadra e të hynte në zgjedhje dhe Basha e pranoi marrëveshjen. Dje më 18 maj 2022, pesë vite më pas, u shpall një marrëveshje e re. Taulant Balla i dha të drejtën deputetit Alibeaj që të propozojë kandidatë për President në raundin e dytë dhe të tretë. Me këtë akt Rama kërkon që kandidatin e tij të preferuar ta sjellë opozita e caktuar prej tij dhe ajo t’i sigurojë 84 votat për ta shitur si president konsensual. Opozita nuk ka nevojë për marrëveshje për të propozuar candidate, sepse kjo e drejtë është në Kushtetutë. Partia Demokratike e ka përcaktuar qëndrimin e saj të qartë dhe konstruktiv me rezolutë të Këshillit Kombëtar.”