Erion Veliaj: Kompleksi i pishinave te Liqeni i rikthehet qytetit, do transformohet në hapësira për sportistët dhe fëmijët

114
Sigal

Pas më shumë se 20 vitesh administrim nga privati, kompleksi i pishinave i janë rikthyer në administrim Bashkisë së Tiranës. Ato do të transformohen dhe përdoren jo vetëm nga klubi shumësportësh “Tirana”, por falë investimit që do të kryhet aty, mjediset do të vihen në shërbim të qytetarëve dhe fëmijëve, me kampet verore dhe akuapark.

Punimet për rehabilitimin e kompleksit u inspektuan nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky është një lajm i shkëlqyer për kryeqytetin, pasi rimerr atë që i takon. Ai theksoi se Bashkia e Tiranës ka treguar se shumë punë në kryeqytet di t’i bëjë më mirë se privati.

“Morëm në administrim parkingjet e qytetit, të cilat privati i zinte me arka. Sot bashkia i menaxhon shumë herë më mirë, në mënyrë më transparente, dhe të ardhurat shkojnë për shërbime, që i kthehen sërish qytetarëve. Nuk shoh asnjë arsye pse çunat dhe gocat e Tiranës të stërviten në kompani private, kur mjediset sportive mund t’i ofrojë fare mirë bashkia, në mënyrë që Federata e Notit, sidomos ekipi i Tiranës, të ketë ndoshta kushtet më të mira në Shqipëri, siç kemi bërë me kushtet për Federatën e Volejbollit, të Basketbollit, të Peshëngritjes dhe Atletikës”, tha kryebashkiaku.

Kreu i Bashkisë bëri me dije se shumë shpejt të gjitha mjediset e Parkut Olimpik do të vendosen në funksion të Federatave të tjera sportive. “Tani që kemi një Komitet Olimpik funksional, me njerëz që duan të merren me sport dhe jo me politikë, dhe tani që federatat janë thuajse të kompletuara me njerëz seriozë, që e kanë sportin pasion, besoj se është në dinjitetin tonë që ta lirojmë atë hapësirë”, nënvizoi Veliaj.