Doja vetëm të ta dëgjoja zërin,
zemra do t’më çelej me dritë,
përmes telit të telefonit, si një
burim do të rridhte gëzimi im.
Cicërima zogjsh, petale lulesh,
pranverë do të mbaja në duar,
këtë botë të frikshme e kaotike
do ta shihja me sy të dashuruar.
Doja vetëm të ta dëgjoja zërin,
të prekja me duar lumturinë,
por gishtat mërdhijnë tashmë –
edhe në ta mbaj akull e ngricë.
NJË DIMËR I GJATË NA PRET
Një dimër i gjatë të dyve na pret
brenda katër mureve të një shtëpie,
që më nuk na njeh, brenda një jete
që nuk na përket, unë këtu e ti atje.
Një dimër i gjatë na pret dhe s’e di,
nëse rrugët që na ndajnë do të jenë
me akull dhe borë, nëse kilometrat
do të zgjaten si krahë të lodhur që
nuk arrijnë të të përqafojnë më dot.
Një dimër i gjatë të dyve na pret,
dhe unë gjethen e fundit të vjeshtës
si një letër në adresën tënde e sjell.






















