Suplementi Pena Shqiptare/ Irma Kurti: Herët a vonë

96
Sigal

 

Herët a vonë

 

Herët a vonë do të gjendesh edhe ti

në këtë segment rruge. Do të ndjesh

dhembjen që në shpirtin tënd thërret

e ulërin, do të ndjesh mungesën për

njerëzit e shtrenjtë që nuk janë më,

atë boshllëk që kthehet në greminë.

 

 

Herët a vonë do të kalosh edhe ti, në

këtë rrugë të pashtruar me kurthe, ku

trupi plaket, ku hapat ngadalësohen.

Shpirti mbetet përgjithmonë fëmijë

tek përpiqet të kapë ëndrrat e fundit.

 

 

Herët a vonë do të gjendesh edhe ti

ndaj zbute vështrimin, ashpërsinë që

nga çdo pore trupi buron, zemërimin

e egër, ndjesinë se universi rreth teje

rrotullohet dhe mos harro, se edhe ti

je një hije në një jetë kalimtare si kjo.

 

 

 

Dukje

 

Në dukje çdo gjë shkon mirë:

T’i flet me mua, kurrë s’pushon.

Zërin tënd e pres me padurim

në të njëjtën ditë, të njëjtën orë.

 

Në këtë vorbull dhe pështjellim

ka akull dhe ngricë. Mungojnë

rrahjet e zemrës, s’ka emocion,

gjithçka është kthyer në rutinë.

 

Dua të mendoj që ne të dy jemi,

si dikur dhe zjarri brenda nesh

ende ngroh, se jam mendimi yt

i parë kur zgjohesh në mëngjes,

mendim i fundit kur bie të flesh.

 

Kurrë më parë s’e kam dashur

dukjen ashtu si sot.