Për herë të parë në jetën time unë e kam mësuar se si zmadhohet diçka, kur nëna m’u lut t’i fusja fillin e bardhë të perit në vrimën e gjilpërës. Ajo, mesa dukej, nuk ishte në gjendje ta shtihte fillin në vrimë ngaqë i qenë lodhur sytë. Syza ende nuk mbante. Si e ndihmova ta përshkojë atë fill peri në vrimë të gjilpërës, mëmës i ndritën sytë dhe tha: Disa gjëra i bën të mëdha syri yt i ri, por se sa të dua unë ty, nuk ma thonë sytë e mi të lodhur. E di zemra ime… Që prej asaj kohe, kur unë e pashë nënën se si më qepi kopsën e këputur nga mënga e këmishës, m’u rrënjos në kokë diçka e paharrueshme: zmadhimi vjen për shkak të dashurisë… E gjitha kjo po më kujtohej ndërsa po prisja orën dymbëdhjetë të ditës për t’u lidhur online për mbledhjen e radhës në punë. Kisha zënë një qoshe diku në një holl të bibliotekës së universitetit, larg syve të njerëzve. Pasi hapa celularin, dhashë kodin e lidhjes, e, më në fund, arrita të jem prezent në mbledhje. Fytyrat e vogla të kolegëve më shfaqeshin mikroskopike në ekranin e celularit, aq sa mezi i shihja. Diçka siç i ndodhte mëmës dikur kur përpiqej të përshkonte fillin e perit në vrimë të gjilpërës… Folën me rradhë Amy, Christina, Doug … Dhe dukej që ishin tepër të merakosur se si do të mund t’ia dilnim mbanë punëve në këtë kohë të pandemisë. Kur më erdhi radha mua të flas, unë i paralajmërova se do t’u tregoja historinë e “zoom in”- it tim të parë me fillin e perit dhe gjilpërën e meme. Ca prej tyre, me aq sa dukej në ekranin mikroskopik të celularit tim, vunë buzën në gaz. Që do të thoshte se unë, pak a shumë, po flisja për diçka që nuk kishte lidhje as me situatën, as me pandeminë. Por, shyqyr Zotit, që kryetarja e Këshillit të stafit, Amy, ajo që e drejtonte mbledhjen online tha: Po mirë thuaje atë histori! E thashë fill e për pe historinë me mëmën.
Si e mbarova së treguari historinë time, vura re se për një hop ra një heshtje, në daçi quajeni edhe blackout, sepse fytyrat u shfiguruan në ekran, apo ndoshta m’u duk mua ashtu… Aq sa, unë thashë me veten time “Ç’m’u desh që e thashë këtë histori…”! Por, lavdi Zotit, Amy, përsëri qe ajo që më nxorri nga ankthi. Unë zakonisht nuk të marr vesh ty o zotëri- tha ajo. Se ti përkthen për ne atë që ti mendon në shqip, në gjuhën e mëmës tënde. Por, këtë që the sot e mora vesh sikur mëma jote të ishte edhe e imja. Thank You, Amy!- ndërhyra unë. Që prej “zoom in”-it tënd të parë e gjer te ky i sotmi, sendet dhe gjithshka tjetër në këtë botë, kalojnë përmes asaj vrimës së vogël të gjilpërës. Aty ose mund të kalojë gjithë dashuria e globit, ose mund të hyjë padukshëm frika, ajo frikë që dashur pa dashur na ka zhbiriluar diku në skutat e shpirtit, – tha Amy. Dhe me kaq e shpalli të mbyllur mbledhjen online. Kur klikova mbylljen e celularit, sikur m’u lehtësuan shpatullat nga nje barrë e rëndë. Dola nga biblioteka. Ishte një ditë gushti me qiell të kthjelltë. Ngrita sytë përpjetë. Fytyra e mëmës m’u shfaq në qiell…






















