Suplementi Pena Shqiptare/ Irma Kurti: Dashuri e vështirë

77
Sigal

Dashuria ime për këtë qytet të largët
është e fortë, oksigjen për mushkëritë,
por shpesh më heq dëshirën ta vizitoj,
e befas shndërrohet në mllef, zemërim.

Kujtimet e trishta zgjohen nga kllapia
-mola që shpirtin fillojnë të ma brejnë,
si ajrin dikur e ndotnin fjalë e skorie,
jetën time e spërkasin plot me helm.

Bota e fëminisë e kthjellët si kristal;
krisej nga furia e thashethemeve pa fund.
Më vjen keq për vitet që në kalendarin
e zemrës, nuk lanë më të voglën gjurmë.

Kalon kohë e qyteti më tërheq si magnet,
më shkundin zëra e nota muzikore plot…
Shoh veten me flokët e mbledhur gërshet,
tek këndoj në skenë e dridhem me emocion.

Në ëndrra më del parku i madh i qytetit,
ku me prindërit përdore shëtisnim bashkë!
Nuk di pse parajsën e imagjinoj të tillë,
me ato lojëra të pakta, që humbnin mbi bar.

Mllefi e trishtimi zbuten, s’i ndjej më!
Dua ta vizitoj veç një çast tokën e tij,
të përulem, të mbaj në gishta e të puth
dheun ku shkelën përditë prindërit e mi.

Dashuria për këtë qytet është e vështirë…