Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Ashikë të poezisë në Shtëpinë e Amerikës Latine në Paris

118
Sigal

Eshtë bukur të gjendesh mes poetësh francezë apo të ardhur nga bota këtu në Paris, traditë kjo që ka filluar që në fillimet e shekullit XX. Mbrëmë ishin ashikë të poezisë që lexuan poezi të tyre botuar në Antologjinë e Poezisë Botërore, nga Editions Caracteres, përgatitur nga tre poetë të njohur si Nicole Gdalia, Sylvestre Clancier dhe Jan Portante. Ishte një lloj himni për poezinë, lirinë, dashurinë dhe paqen. Veç poezisë time, Elegji për kukullat e detit Egje, sipas rregullit të caktuar duhej të zgjidhja dhe një poezi tjetër që ta lexoja dhe padyshim kërkova të lexoja poezinë e Zhitit apo Kasit, por duhej të zgjidhja një poet të një kombi tjetër dhe që nuk kishte mundësi të ishte në këtë takim. Kështu zgjodha një poete izraeliane, Hamutal Bar-Yosef, poete, romanciere dhe dramaturge, duke lexuar poezinë me titull “Lindur këtu”, vargje këto në kërkim të rrënjëve të një populli të shpërngulur me forcë dhe ku gjyshërit e saj kishin përfunduar në tymin e krematoriumeve të Auchvitz. « Jemi lindur këtu / për të qenë të rinj / në një vend të ri /pa gjyshër dhe prindër. / Nata në shtëpinë e fëmijëve / një vazo emaili / e vendosur në mes / duke pritur të mbushet / dhe jashtë, pranë sallonit / shtrihet gjelbërimi i kopshtit / ku bimët me rrënjë të shkurtëra / nxitojnë të bashkohen… ».Mbrëmë ishte poetika e vargjeve dhe gjuhëve, pasi mund të dëgjoje poetë që recitonin në gjuhën e vjetër irlandeze, në gjuhën franceze, spanjolle, berbere, marokene, etj., të shoqëruar me fizarmonikë me pjesë të ndryshme muzikore si dhe ajo latino-amerikane. Si gjithnjë dhe poetja franceze Laure Cambau me poezinë e saj origjinale. Me shumë interes ishte poezia që lexoi një poet algjerian në gjuhën berbere, një poezi e shkruar nga një poete berbere e vdekur në vitin 1979 në qelitë e të dënuarve me vdekje, faji i së cilës ishte se mbronte me forcë gjuhën berbere, gjuhën e etërve të vjetër të saj dhe ku siç shkruante ajo « Liria vlen më shumë sesa vetë jeta ». Ishte poetja franceze Linda Maria Baros që lexoi poezinë e Visar Zhitit « Elegjia e pyjeve » të cilën e lexoi gjithë ndjenjë: «… Një fëmijë vizaton pemë mbi mure/ i vizaton ato para syve të mi/ një pemë si tatuazh / mbi krahun e tij/ aq hollë sa ky fund shekulli… »Poetja irlandeze Patricia Nolan në poezinë e saj, recitonte në gjuhën e vjetër irlandeze : « Sikur zemra ime të ishte një trëndafil / dhe ti ta prishje pa asnjë fjalë / a do ta lije të paktën një gjethe / thjesht për të mbajtur shënim në një faqe / të librit të poezive të dashurisë?/

Duke folur për poezinë shqipe nënvizova se në Shqipëri ajo që spikat është se poezia mbetet mjaft e dashur në publikun e gjerë, se ajo është bërë mjaft demokratike dhe se shumë të rinj botojnë, veçanërisht femra, botojnë vëllimet e tyre të para poetike çka tregon pasionin e shqiptarëve për poezinë, ndryshe nga shumë vende ku botimet poetike janë të rralla Një mbrëmje poetike ku dhe një aktor kishte përzgjedhjen e vet, çka i dha një tjetër dimension kësaj mbrëmje mes poetësh.