Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S.Qazimi : Qershia “Mbi Tortë”

118
Sigal

Këtë, qershi, qyshkur isha shtatë vjeç, e kujtoj të lartë e degëgjerë. Plot lule në mars dhe gjithë gjethe në maj. Plot kokrra të zeza e të bëshme, paksa majhoshe, por shumë të shijshme në qershor e korrik. Kështu për çdo vit. Ashtu më përcolli kur shkova në shkollë të mesme në kryeqytet, 1959. E njëjtë ishte që më priti atë vit të furishëm, kur u bëra prind. E atillë më takoi përsëri në vitin 2002. Ashtu i përcolli e priti të gjithë djemtë e trungut të asaj familjeje atdhetare. Ajo dinte jo vetëm të përcillte por sidomos të priste. Ishte aq shumë bujare! Oohh, sa bujare! Ajo dinte të falte dashuri, ëmbëlsi, mirësi, fruta, hije, aromë qershie. Të gjithë, pjesëtarë të familjes, miq, shokë, kalimtarë të rastësishëm, bashkëfshatarë e banorë të fshatrave të tjerë, nga Sitica, Prishta, Blezëncka, Dorësi, Liqedhi, Rovica, deri te Vëndresha e Gostencka e largët; vajza e djem, burra e gra, nxënës të shkollës,…shijonin kokrrat e saj dhe ajo kënaqej që u shërbente njerëzve. Asnjëherë nuk e fotografuam ashtu me kokrra e gjethe. Na dukej e përjetëshme. Në kujtesën tonë mbeti pemë e madhe, qershi vishnje kokërrzezë, mikpritëse, bujare, që nuk u ankua kurrë pse ndokush ia thyente degën për t’i marrë kokrrat. As përse nuk e rëmihën rregullisht tek rrënjët. As pse pranë saj luanin çamarrokët e lagjes me topa rrecke dhe ia thyenin degëzat. As kur kafshët ia gërvishtnin lëkurën me dhëmbë. Edhe kur ndonjë i paudhë, ia nxirrte lëngun nga trungu duke e prerë me thikë, ajo përsëri nuk ankohej. Pale po, në muajin maj kishte nga ata që ia rripnin lëvozhgën e ndonjë dege për të bërë borije, për qejf! Jo, kurrë nuk u ankua. Sa për dimrin e ftohtë me akull, ngricë e borë asaj nuk i shkonte në mendje as të trembej e as të qahej. Dhimbjet i përballonte vetë. E mori jetën ashtu siç ia dhuroi natyra dhe babai ynë që e mbolli. Për këta ajo kish respekt hyjnor. Ndaj çdo mëngjes kur delte dielli kthente kokën nga ai dhe e shoqëronte deri sa perëndonte. Kur afrohej babai ynë, i zoti që mbolli, ajo ‘ulte degët’ për ta përshëndetur dhe kokrrat e kuqe ia ‘zgjidhte’. Ajo,vërtet ishte pemë, por ama dinte kë, kur, pse dhe si të respektonte! Qershia mbante në gjirin e saj aq shumë të fshehta.  E para fare, mbante mend moshën e fqinjit lis dhe komshijes bajame dhe kurrë nuk i prishi marrëdhëniet e mira me ta. Të kujt ishin, vallë, ato varre aty poshtë hijes së saj në pjesën e sheshtë verilindore? Këtë e dinte vetëm ajo. E dinte se cilët persona kishin biseduar me babanë tonë kur ai punonte në lëmë, në Selishtë, nëpër hereke dhe se si qenë ndarë. Ajo mbante çdo vit deri në dhjetë fole zogjsh dhe i ushqente me insekte dhe me kokrrat e saj. Madje edhe në dimër ushqente zogj me bërthama që i ‘fshihte’ poshtë vetes. Mikeshat e saj më të mira ishin bletët. Në fundmarsi deri fillim të majit ajo dukej sikur drejtonte një orkestër muzikore me zukatjet e bletëve, zhingave dhe mjaft insekteve të tjera polenthithëse dhe pllenuese. Ato ishin miq të përvitshëm dhe ajo ishte dirigjente  në këto dy muaj për gjatë gjithë jetës së saj. Ajo e dinte se sa herë në ditë shkonte nëna, nuset e djemve dhe të tjerë për të mbushur ujë te Gurra e Madhe. Ajo rrëfente me heshtjen e saj se cilët miq kishin hyrë e kishin dalë të mirëpritur në katër brezat e atij trungu familjar me lashtësi dyqindvjeçare. I kujtoheshin dasmat, fejesat, poganikët e emrave të të lindurve…Ooohh! Ajo ishte hambar dijesh! Qershia  mblonte  të fshehura kujtimet e hidhura, dramat, vdekjet… Ajo dinte se sa kafshë qenë lidhur te gardhi e sa makina ishin ndaluar aty pranë saj matanë në rrugën-xhadé; cilët qenë atë që delnin a hynin-vetëm për mirë në tri shtëpitë e fisit. Eeehh, sa gjëra dinte, ruante, mbronte, tregonte me heshtjen e saj ajo qershi! Mbi të gjitha ajo i qëndroi besnike të zotit që e mbolli. Me mënyrën e saj atë fund janari 1983, ajo qau kur ai iku në qiell, por kujdesin që ai pat treguar për të kurrë nuk e harroi. Prandaj edhe besnikërinë ndaj bijve, nipërve e mbesave të tij kurrë nuk e treti. Në në vitin 2004,vura re se ajo u mpak. U plak. Dhe pas dy vitesh u tha. E tmerrshme! Por ja që fillimet kanë një fund…Për të nisur një fillim të ri… Foton e bëra në vitin 2006. Ishte respekti që kisha për atë pemë ‘të përjetshme të familjes’ atje lart te Shtegu, paçka se ishte tharë, që më shtyu ta kem në albumin fotografik familjar. Kujtimet për të as nuk vyshken e as nuk thahen. Ajo pemë, e mbjellë nga im atë në vitin 1946, buzë udhës së gjerë, me qënien e saj të heshtur, me uniformë të gjelbër në verë, me rroba ngjyrë kafe të florinjtë në vjeshtë e pa kostum në dimër, ka pritur e përcjellë të gjithë ata që kanë shkelur, të gjithë ata që e kanë përshëndetur me sy ose me shijim të kokrrave të saj… E pra, pas shtatëdhjetë e gjashtë vjetësh, Qershia e vendlindjes qe tharë dhe ronitur. Por jo, ajo nuk kish vdekur! Ajo pret t’i vijnë nipërit dhe stërnipërit e atij që e mbolli. Ata kanë emigruar. Ajo i pret, i pret…Sepse e ndjen që ata një ditë do të vijnë…Kjo pemë e plakur fshati, qëndron e qetë, thuajse e pahabitur prej rrebesheve të kohrave dhe njerëzve. Trungu i saj, mbi tokën mëmë e ndën qiellin e errësuar, duket si vet habia, fitimtar në duelin jetë-vdekje; po ronitet e shkon drejt kalbjes, por tek  rrënja, (tek rrënja, a më dëgjoni?!) ka nisur të mbijë një filiz me gjethe…Po qe se vendlindjen do ta quaja më të ëmblën tortë të botës, kjo pemë do të ishte qershia mbi tortë’!